Skip to content


“Ontologjizimi efemerik” i nevojave si shprehje e tjetërsimit të vazhdueshëm të qenies njerëzore

Ardian GOLA

 

Në kontekstin filozofik, termi tjetërsim gjenë korrelatin e tij në realitetin shoqëror - duke arritur njëkohësisht formësimin e tij konceptual, pikërisht në iluzionin mbi autenticitetin dhe origjinalitetin e individualitetit. Përderisa Fromm-i, tjetërsimin e individit e analizoi në rrafshin psikologjik, ishte Herbert Marcuze, ai i cili përmes konceptit të nevojave të vërteta si dhe atyre të rreme, e bëri të njëjtën në rrafshin filozofik. Shumica e nevojave predominante për relaksim, për t’u gëzuar, për sjellje dhe konsumacion sipas reklamës – që të duhet ose të urrehet ajo që e duan ose e urrejnë të tjerët – hyn në kategori të nevojave të gabueshme.[i] Konceptimin e vërtetësisë respektivisht karakterit të rremë të këtyre nevojave, mund ta bën vetë individi. Mirëpo, ai është i penguar dhe kjo pengesë konsiston në shndërrimin e tij në objekt manipulimi të reklamave mediale. Ky manipulim medial përmes reklamave – karakterin e të cilave Lefebvre e quan ideologjik - asgjëson aftësitë e individit për të dalluar atë çka me të vërtetë don ai vetë, prej asaj se çka i është imponuar që të dojë. Ky mosdallim mes nevojave të imponuara dhe atyre të vërteta, rezulton pashmangshëm me tjetërsim gradual të individit. Mirëpo, edhe sikur të posedonte apo të rikthente aftësinë (e humbur) e tillë demarkative, ai për shkak të inferioritetit kuantitativ të imponuar nga gjeneralizimi i marramendshëm (në nivelin shoqëror) i përmbajtjeve të reklamuara mediale, të cilat nga ana e tyre po ashtu imponojnë reagime të caktuara emocionale, ngjallin motivime të ndryshme, lansojnë duke brumosur në të njëjtën kohë në vetëdijen e individit ide, mendime, pikëpamje, bindje etj. githmonë me prapavijë  të caktuar (Marcuse, Fromm, Lefebvre, Brzhezhinski), nuk do të bënte zgjidhje në favor të shijes së vetë personale por në dëm të saj për hirë “solidaritetit shoqëror”. Kjo nuk është aspak e çuditshme, kur të merret parasysh fakti se televizioni, të cilin Brzhezhinski e quan furnizuesin më të madh të kulturës masive, sot është shndërruar në mjetin me efikasitetin më të madh socializues, duke ia marrur primatin në rolin tradicional edukues si të familjes ashtu edhe të faktorëve tjerë shoqërizues.

 

Në një atmosferë të tillë të servimit të gatshëm dhe imponues të përmbajtjeve me natyra të ndryshme, individi humb në një ekzistencë të imponuar nga jashtë dhe pikërisht në një situatë të tillë “kur njeriu identifikohet me ekzistencën që i imponohet dhe në të cilën gjenë zhvillimin dhe kënaqësinë e vet, vie në shprehje koncepti i tjetërsimit”.[ii] Një identifikim i tillë i subjektit tjetërsues me ekzistencën e tjetërsuar, me ç’rast tjetërsimi objektivizohet në përmasa reale, është realitet e jo iluzion. Iluzion është vetëm koshienca e shtrembëruar e individit mbi origjinalitetin e personalitetit të tij. Kjo koshiencë, nivelizimin e imunitetit ndaj shtrembërisë së saj të pavetëdijshme, e ka ngritur gjerë në shkallët e mjaftueshmërisë për një rezistencë serioze ndaj çdo tentim vetëdijësimi real.

 

Servimi imponues i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i përmbajtjeve të ndryshme mediale, shpie drejt ontologjizimit të nevojave.[iii] Në këtë rast këto nevoja, dikur në nivelin e dëshirave apo vetëm në kuadrin e thjeshtë të atyre përmbajtjeve të lansuara mediale, përbrendësohen dhe inkorporohen në imanencën ontologjike të njeriut, duke fituar statusin e domosdoshmërisë së plotësimit të tyre për një normalitet dhe stabilitet jetësor. Këto nevoja të ontologjizuara, në rast të mosplotësimit të tyre do të kenë gjithmonë të njëjtat konsekuenca siç do të kishin edhe nevojat e vërteta njerëzore, të mbjellura në natyrën e njeriut qoftë në mënyrë apriori qoftë në procesualitetin historik. Ontologjizimit të këtyre nevojave, i ka paraprirë artificialiteti dhe imponimi medial (në fillim) dhe social (në kontekstin e imponimit të këtyre nevojave individëve nga ana e shoqërisë). Falë karakterit artificial të këtyre nevojave, respektivisht nxitjes artificiale të tyre përmes formave nga më të ndryshmet, konsumit material në botën perëndimore po i mundësohet vazhdimësia influencuese e saj. Ky artificialitet si i vetëm, nuk do të ishte funksional për të zhvilluar pandërprerë konsumin material, po të mos ishin tendencat obsolente dhe gjeneruese të mekanizmave imponues (mediat e ndryshme si: shtypi, radio, televizioni, interneti etj.) të nevojave.

 

Përkundër Lefebvre-it i cili efemeres i atribuon karakter metodologjik kur thotë se “obsolenca, si ideologji dhe si praktikë merr parasysh efemeren vetëm si metodë për ta bërë të përditshmen rentabile”[iv], unë mendoj se efemerja është ajo që mundësohet si e tillë vetëm falë obsolencës dhe gjenerimit. Vjetërsimi i nevojave përmes krijimit (gjenerimit) të të rejave imponon përkohshmërinë (efemeren) e nevojave. Për t’i paraprirë kundërshtimit që në rrafshin teorik mund të jetë rezultat i përjashtimit të ndërsjelltë të efemeres me ontologjiken, duhet të theksojmë se ky përjashtim vlenë vetëm në sferën e temporalitetit të qëndrueshmërisë. Nëse themi se efemerja është element sinjifikativ i përkohshmërisë së nevojave të ontologjizuara, atëherë për rezultat kemi një ontologjizim efemerik të nevojave. Në këtë rast, ontologjizimi nënkupton përbrendësimin dhe mishërimin e nevojës në vetë qenien njerëzore duke u kornizuar në faktorët që e kuptimësojnë në një mënyrë apo tjetër jetën njerëzore. Në këtë kuadër ontologjik, plotësimi i nevojave bëhet domosdoshmëri dhe pashmangshmëri. Ndërsa efemerja, tërë këtij akt-procesi i jep karakter temporal duke i de-ontologjizuar këto nevoja deri në neantizacion, për t’u racionalizuar fenomeni i konsumizmit[v] apo për t’u rentabilizuar e përditshmja – do të thoshte Lefebvre.

 

“Askush prej Mësuesve të tjerë të mëdhenjë të së kaluarës nuk pohonte se prania faktike e dëshirës krijon ndonë normë etike. Ata mendonin rreth asaj se si njerëzimi mund të arrijë mirëqenien (vivere bene). Elementi kryesor i doktrinës së tyre është dallimi i nevojave thjeshtë subjektive (i dëshirave), përmbushja e të cilave të shpie në marrjen e një kënaqësie kalimtare, dhe i nevojave, që janë rrënjosur në natyrën njerëzore, plotësimi i të cilave e ndihmon zhvillimin e njeriut dhe e shpie atë drejtë eudaimonisë, d.m.th. në gjendjen e “kënaqësisë së plotë”. Me fjalë të tjera, ata përsiatnin për dallimin midis nevojave të ndijuara subjektivisht dhe kërkesave reale objektive, si dhe rreth asaj se disa prej të parave ndikojnë në mënyrë shkatërrimtare në zhvillimin e njeriut, kurse të dytat ndodhen në përputhje me kërkesat e natyrës njerëzore”.[vi] Ky nuk është mendim origjinal i Fromm-it lidhur me këtë problematikë, sa është një referencë nga historia profetike me qëllim përforcimi të pikëpamjes së tij lidhur me tjetërsimin e qenies njerëzore.

 

Nëse esenca njerëzore me të vërtetë është një e dhënë a priori, që në mënyrë implicite nënkupton pandryshueshmërinë dhe konstanticitetin e saj, mund të themi se në procesualitetin historik ajo është tjetërsuar mjaft, për arsye se vetëm e dhëna mund të tjetërsohet. Ndërsa tjetërsimi si i tillë, mund të vlerësohet vetëm në raport me “diçka” dhe kjo “diçka” është pikërisht kjo e dhënë. Mirëpo, a thua kjo esencë e dhënë e ka arritur kulminacionin alienues të saj në qytetërimin e sotëm perëndimor?!!! Nëse koncepcioni i esencës së dhënë nuk qëndron, atëherë a thua seleksionimi natyror, përmes procesit të gjatë evolutiv, ende nuk ka konstituuar ndonjë “esencë”, e cila do të përmbante adekuatësinë korreponduese ndaj qenies njerëzore apo, si të thuash, njeriu për të cilin edhe flasim aq shumë, nuk është ende produkti përfundimtar i seleksionimit natyror?! Mbase edhe mund të mos ketë fare të tillë!



[i] Herbert Marcuze, “?ovjek jedne dimenzije”, faqe 24

[ii] ibid., faqe 29

[iii] Në këtë rast, me “ontologjizim të nevojave”, nuk nënkuptojë (vetëm) të nxjerrurit e diçkaje nga mosqenia në sferën e të qenurit, pra, krijimin e të qenësuarit të disa nevojave të paqena, por mbi të gjitha hipostazimin e atyre nevojave deri në nivelin ontologjik të vetë qenies njerëzore.

[iv] Henri Lefebvre, “Jeta e përditshme në botën moderne”, faqe 108

[v] Sot konsumi nuk është vetëm ndonjë fenomen, përjashtim apo privilegj ekskluziv për shtresat e larta. Ai më shumë se zakonshmëri triviale e përditshmërisë moderne, është shndërruar në qëllim në vehte, formë dhe mënyrë jetese, kuptimësuese e jetës etj. Pra konsumi më nuk është vetëm konsum, por, duke ia shtuar -izmin e  filozofive dhe ideologjive të ndryshme perëndimore, ai mbi të gjitha është konsumizëm. 

[vi] Erich Fromm, “Të kesh apo të jesh”, faqe 17

Posted in Filozofi. Tagged with .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.