Skip to content


“Teknologjizimi” i individit - imponim i konformizmit tjetërsues dhe depersonalizimit inkoshient

Ardian GOLA

 

Faqja tjetër e pasojave të industrializimit, është të shndërruarit e njeriut në një “pjesë” të makinës dhe të humburit e individualitetit të personalitetit të tij. Ai më nuk është subjekt që bartë vlera dhe ide, por një send që lëviz me instruksione të dirigjuara dhe të determinuara nga jashtë. I involvuar në procesin kohor të punës së organizuar rigorozisht dhe të centralizuar përmes një ndarje hierarkike, ai ka humbur identitetin e tij njerëzor. Ndërmarrjet krejtësisht të centralizuara me një ndarje rrënjësore të punës – thotë Fromm-i - çojnë në një organizim të tillë pune ku individi humbet individualitetin e tij, ku ai bëhet dhëmb i konsumueshëm ingranazhi në makinë.[1] Humbja e identitetit të tij nuk lidhet vetëm me shndërrimin e tij në robot që kryen detyra të përcaktuara nga jashtë por edhe me humbjen e vet atij në makinën shoqërore – do të thoshte Fromm-i, me ç’rast mendimet, ndjenjat, dëshirat, bindjet, pikëpamjet etj. e veta i asimilon përmes akceptimit të po të njëjtave nga shoqëria. Kështu individi humbi origjinalitetin e vet në mendim, ndjenjë dhe veprim. Nga ky kontekst, marrëdhëniet njerëzore Fromm-i i sheh “si ato të automatëve të tjetërsuar” të cilët “s’mund të dashurojnë”. Automat, jo vetëm në kuptimin e individit pa identitet dhe personalitet origjinal - lloj individi ky, që i shërben “kuptimësimit” të trajtës si dhe përmbajtjes së kolektivit, grupit, bashkësisë etj. përmes një konformizmi ekstrem në tërë atë çka i servohet nga ato - por edhe në kuptimin e asaj se njëriu modern është shkrirë totalisht në ingranazhin kolosal teknologjik duke u bërë vetëm një pjesë e papërfillshme dhe funksionalisht ezauruese e tij. Sikurse konformzimi ashtu edhe inkorporimi teknologjik kanë për pasojë të fundit, humbjen e identitetit. Mirëpo, përderisa konformizmi humb identitetin origjinal të individit, duke e shndërruar atë vetëm në një partikularitet kuantitativ të kolektivit, inkorporimi teknologjik asimilion dhe zhdukë totalisht identitetin njerëzor.[2] Në tërë këtë proces asimilimi, është e involvuar edhe mënyra rigorozisht burokratike e organizimit të jetës shoqërore në të gjitha domenet e saja, mënyrë organizative kjo, e cila në sferën e sigurimit ekzistencial (material) të individëve përbrenda shoqërisë, rrjedhon me një “domosdoshmëri të imponuar”[3] të mënyrës së pjesëmarrjes në aktivitete jetësore. Kjo domosdoshmëri, e imponuar nga vetë procedura burokratike si dhe nga karakteri (evoluues) i sotëm i punës në përgjithësi, nuk lenë kurrfarë hapësire për alternativa tjera të pjesëmarrjes në punë të ndryshme. Kjo pashmangshmërisht shpie në tjetërsim të njeriut, respektivisht në reifikimin e personalitetit të tij. Alienimi reifikues dhe depersonalizues i individit, pavarësisht se a është produkt (në proces të vazhdueshëm) i inkorporimit teknologjik, konformizmit apo organizimit burokratik të shoqërisë, çon drejt disperzionit të identitetit të individit përbrenda aparaturës burokratike institucionale. Për këtë ç’identizim të individit, flet edhe Fromm-i: “Kriza e identitetit” – kjo eshtë kriza e shoqërisë së sotme – e shkaktuar nga fakti, që anëtarët e kësaj shoqërie janë bërë instrumente pa individualutet, ndjenja e identitetit të të cilëve mbështetet në marrjen pjesë në veprimtarinë e korporatave ose të organizatave të tjera burokratike gjigande. Atje ku nuk ka vetjakitet autentik, nuk mund të jenë edhe ndjenjat e identitetit.[4] Çdokujt që akoma dëshiron që të bëjë fjalë për njeriun, për mbretërinë dhe çlirimin e tij - thotë Foucault - mund t’i kundërvihet vetëm një e qeshur filozofike.[5]

 

Në koncepcionet e Fromm-it, konformizmi më tepër mund të kuptohet si konsekuencë e pashmangshme e vetë industrializimit të jetës, që së pari ka mundësuar asimilimin dhe shkrirjen e individualitetit të njeriut, e pastaj për shkak të humbjes së këtij uni, shtrohet domosdoshmëria e konformizmit, i cili i largon dyshimet rreth identitetit pikërisht “përmes të konformuarit me dëshirat e të tjerëve, përmes të mosqenurit ndryshe… duke u fituar keshtu një farë sigurie”. Duke u identifikuar me të tjerët, në këtë mënyrë individi pushon së qeni vetvetja dhe përshtatë krejt tipin e personalitetit që i ofrohet nga modelet kulturore.[6]

 

Konformizmi, si një fenomen që paraqet mungesën e origjinalitetit dhe nevojën që këtë zbrazëtirë ta kompenzojë me një strehim të verbër dhe oportunist tek të tjerët (duke i nënkuptuar këtu edhe shkaqet dhe rrjedhimet tjera me tërë llojllojshmërinë e tyre që domosdoshmërisht janë të lidhura me vetë konceptin e konformizmit por që s’kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me kontekstin), gjenë hapësirë shtrirjeje mu në tri sfera më kruciale, përmes të cilave individi në fakt edhe duhet ta demonstrojë individualitetin origjinal të tij: ndjenjat, të menduarit si dhe vullneti apo të dëshiruarit. Përkundër përpekjeve për kontestimin e një pikëpamjeje të tillë përmes koncepteve liberaliste, ekziston një fakt i pamohueshëm, të cilin e përmend edhe Fromm-i në analizat e tij, që ka të bëjë pikërisht me iluzionin mbi autenticitetin në këto sfera. Përpjekjet e shumta dhe historikisht të vazhdueshme të njeriut, që rezultuan me çlirimin e tij nga shtrëngimet e jashtme që më në fund ia mundësoi demokracia moderne, s’do të thotë që automatikisht kanë garantuar edhe individualitetin e tij. Njeriu i sotëm perëndimor, me të vërtetë nuk është subjekt i ndonjë autoriteti të jashtëm, është i lirë në shprehjen e mendimit dhe të ndjenjave të tij, mirëpo një liri e tillë nuk përmban parametra të tillë real që do të mundësonin objektivisht hipostazimin e saj deri në nivelin aksiomatik për garantimin praktik si dhe argumentimin teorik të individualitetit dhe origjinalitetit të tij. Zëvendësimi i njëpasnjëshëm i trajtave diversive të autoritetit, siç janë: ai i kishës, i cili u zëvendësua nga ai i shtetit, ai i ndërgjegjës që e zëvendësoi këtë të fundit (shtetin), si dhe ai i autoritetit anonim i sensus communis dhe të opinionit publik - si instrumente të konformizmit, e të cilat njeriun perëndimor e përcjellen hap pas hapi gjatë historisë, i pamundësuan atij që ta pavarësojë realisht individualitetin e tij, megjithë faktin se njëfarë iluzioni mbi origjinalitetin dhe pavarësinë e un-it të tij, vazhdimisht e përcjelli atë duke e ndihmuar në pavetëdijësimin për pasigurinë e tij. Ky iluzion në të njëjtën kohë ishte edhe një lloj ngushëllimi për të.


[1] Erich Fromm, “Arti i të dashuruarit”, faqe 94

[2] Këtu nuk e kam fjalën për inxhienerinë gjenetike, e cila përmes arritjeve të saja me intenca  “pakontestueshmërisht” humane, ka mundësuar praktikën e transpalantimit të organeve njerëzore, praktikë kjo që sot me të drejtë ka nxitur të shtruarit e pyetjes rreth identitetit të njeriut.

[3] Përmes këtij kocepti dëshiroj që të ravijëzoj “domosdoshmërinë”  ontologjike të aktivitetit njerëzor, dhe imponimit të kahjes së kësaj domosdoshmërie në procesualitetin historik të saj, deri në rrafshin tjetërsues.

[4] Erich Fromm, “Të kesh apo të jesh”, faqe 173

[5] Michel Foucault, “Les mots et les choses”, faqe 353 Në fakt ky mendim i Foucault, ka të bëjë drejtëpërdrejt me “antihumanizmin teorik” si ide themelore e strukturalizmit, mirëpo si argument konoton në problematikën tonë.

[6] Erich Fromm, “Arratisje nga liria”, faqe 141

Posted in Filozofi. Tagged with .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.