Ardian GOLA
Ngjarjet pa precedent, janë të rralla në historinë njerëzore. Kur këto ngjarje ndodhin, atëherë këto shndërrohen në paradigmë influencuese të produkteve të mëvonshme historike. Qytetërimi i sotëm perëndimor, për aq sa mund të quhet i paprecedent në historinë njerëzore për shkak të zenitit zhvillimor të komponenteve përbërëse të saj (veçanërisht teknikës), aq është edhe produkt i ngjarjeve dhe fenomeneve që kanë ndodhur në momentet e caktuara historike. I tërë qytetërimi perëndimor, në kuptimin e ngushtë të fjalës, mund të përmblidhet në traditën judaiko – kristiano – greko – romake, duke mos lënë anash ndikimin e tërthortë të Lindjes. Është i pamohueshëm fakti se, përmes bartjes së traditës greke (filozofisë, mendimit, kulturës, artit, shkencës etj.) në Evropë, Lindja luajti rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e vazhdimësisë së qytetërimit perëndimor. “Pa dyshim që në formë kapilare – thotë Edgar Moren - ka patur një mijë qarkullime ndërmjet botës muslimane dhe Evropës së krishterë, e cila përfiton nga rrezatimi ekonomik e kulturor i qytetërimeve islamike në shkëlqimin e tyre të pare”.[1] Kenneth Clark, në librin e tij famoz kushtuar qytetërmit, thotë: “Teposhtëza e qytetërimit mund të kishte zgjatur shumë kohë, por në mes të shekullit të shtatë u shfaq një forcë e re, që kishte besim, energji dhe vullnet për të ngadhnjyer si edhe një kulturë alternative – Islami”.[2] Pikërisht nga fakti se cilit burim i mbeti besnik qytetërimi perëndimor, varet edhe pozicioni zhvillimor i domeneve të tij. Nuk ka dyshim se qytetërimi perëndimor, disa prej burimeve të veta mbi të cilat është fundamentuar, i ka tejkaluar dhe asesi nuk mund të themi se ato kanë forcën influencuese në të menduarit e sotëm perëndimor. Burimet religjioze (judeo-kristiane) janë një prej atyre burimeve.
Qytetërimi perëndimor modern karakterizohet nga një avangardizëm[3] specifik, i cili i këputë rrënjësisht lidhjet me traditën, pothuajse në të gjitha sferat e saja. Ky qytetërim paraqet një mentalitet dhe tërësi vlerash që kanë bërë rivlerësimin e pozitës së njeriut në univers, jashtë botëkuptimit tradicional.[4] Avangardizmi i qytetërimit perëndimor, konsiston në tendencat për të pohuar nevojën e ndryshimit dhe zëvendësimit të vlerave dhe normave, shfuqizimin e ideve dominuese tradicionale, duke i shfrytëzuar të gjitha këto si rrugë drejt krijimit të një “vështrimi të ri mbi botën”. Pikërisht një atrofizim i tillë radikal i ndikimit të traditës, e paraqet qytetërimin perëndimor si qytetërim tipik kundërtradicional. Meqenëse krishterizmi nuk është asgjë tjetër pos religjion i mbështetur në traditë, atëherë domosdoshmërisht del se Perëndimi është i kundërkrishterë. Këtë bukur e shpreh edhe René Guénon kur thotë: “botëkuptimi bashkëkohor është i kundërkrishterë sepse në thelb ai është kundërfetar; ndërsa është kundërfetar për arsye se në një kuptim edhe më të gjerë, ai është kundërtradicional”.[5] Guénon më tej thot: “Perëndimi ishte i krishterë në Mesjetë, por nuk është i tillë më “, ndërsa duke shprehur një dëshirë të flakët për një rikthim të mundshëm kah vlerat spirituale religjioze, për të evituar degradimin moral, ai vazhdon: “po të thuhej se do të mund të bëhej përsëri i tillë, nuk gjendet kush që dëshiron këtë më me afsh se ne…” [6]
Qarja dhe krijimi i hendekut mes Evropës dhe krishterizmit – që nënkupton largimin e qytetërimit evropiano-perëndimor prej burimit të saj tradicional religjioz, judeo-kristian – ndodhi pikërisht me përfundimin e periudhës mesjetare dhe fillimin e asaj moderne. “Shfaqja e Kohëve Moderne - thotë Edgar Moren- do t’i shkoqë Evropën dhe Krishterizmin. Amerika çelet për krishterizmin dhe Evropa për mendimin laik. Pra, vetëm Evropa Mesjetare mund të njësohet me Krishterizmin”.[7] Në librin e tij, “Arti romanit”, Milan Kundera Krishterizmin e sheh si faktorin e vetëm unifikues mbi të cilin ndërtohej identiteti unik i popujve europian. Ndërsa duke e kundruar Evropën në spektrin e modernitetit, ai përfytyrimin e ketij identiteti e sheh si diçka të kaluar – pra, në Evropë po, por jo në atë moderne (por në atë mesjetare).[8]
Natyrën areligjioze të qytetërimit perëndimor, në mënyrë alegorike bukur e përshkruan Erich Fromm-i. Heroi i krishterë dhe heroi pagan janë dy koncepte, përmes të cilave, Fromm-i në mënyrë simbolike e ilustron joreligjiozitetin e qytetërimit perëndimor. Për Fromm-in, “Heroi i krishterë ishte martir, sepse, sipas traditës hebreje, heroizmi më i lartë është të japësh jetën tënde për zotin ose për të afërmin”. Kryesorja që e karakterizon martirin, - është që të jetë, që të përkushtohet, që ta ndajë gjithçka me të afërmin, kurse i heroit pagan – është që të ketë, të nënshtrojë, të detyrojë. Në këtë kontekst, heroi pagan është simboli më i fortë metaforik që e përshkruan natyrën e qytetërimit perëndimor, për arsye se, siç thotë edhe vetë Fromm-i, “nuk është e domosdoshme të provohet se historia e Evropës – është historia e pushtimeve, e shfrytëzimit, e dhunës dhe e nënshtrimit”.[9] Në pyetjen që e parashtron Erich Fromm-i në librin e tij “Të kesh apo të jesh”, se “a është vallë bota perëndimore e krishterë”? – përgjigjet: “Megjithëse për këtë pyetje zakonisht jepet përgjigje pohuese, analiza më e thellë tregon se kristianizmi i Europës ka qenë në një shkallë të konsiderueshme mistifikim…”[10] Erich Fromm-i, përafërsisht ashtu si René Guénon dhe Edgar Moreni, flet për një kristianizëm të kufizuar midis shekujve XII dhe XIV. “Periudha e shkurtër e kristianizmit mori fund” – vazhdon Fromm-i – “dhe Europa u kthye në paganizmin e saj fillestar”.[11] Për më tepër, Fromm-i në Lojrat e sotme Olimpike gjenë një shprehje simbolike të paganizmit perëndimor, lojra këto të cilat i ngrejnë lavdi heroit pagan.[12]
Përkundër faktit se siç edhe më lartë thamë, se struktura embrionale e qytetërimit perëndimor mund të reduktohet në traditën judeo-kristiano-greko-romake, ajo që në strukturën e këtij qytetërimi ka mbetur si relikt, është kryesisht tradita romake me utilitarizmin dhe materializmin e fshehtë të tij. Për këtë arsye, në një retrospektivë të mundshme, bazat e vërteta të qytetërimit perëndimor, duhet kërkuar në traditën romake – si burim me forcë më të madhe ndikuese në krahasim me traditat tjera burimore të këtij qytetërimi – respektivisht, në trashëgiminë e civilizimit romak me qëndrimin e tij latent antireligjioz, plotësisht utilitar dhe materialist ndaj jetës, pa kurrfarë shqyrtimesh të mbinatyrshme. Ai (civilizimi bashkëkohor) padyshim ka pranuar shumë ndikime tjera gjatë zhvillimit të vet dhe natyrisht se ka ndryshuar dhe e ka modifikuar trashëgiminë kulturore të Romës, në shumë aspekte. Por mbetet fakti se në tërë atë që sot është reale në etikën perëndimore dhe në pikëpamjet për botën, mund t’i gjindet gjurma në qytetërimin e vjetër romak. Siç ka qenë atmosfera intelektuale e shoqërore e Romës së vjetër, plotësisht utilitariste dhe antireligjioze - ndonëse jo në mënyrë të hapët – e tillë është atmosfera edhe e Perëndimit bashkëkohës. Ideja bashkëkohore e perëndimit edhe pse e toleron e ndonjëherë edhe e thekson religjionin si konventë shoqërore, përgjithësisht etikën transcendente e lë jashtë kornizave të shqyrtimit praktik. Nga këtu, del edhe një fakt tjetër që argumenton atë çka thamë më lartë, lidhur me humbjen e forcës ndikuese të disa prej burimeve të këtij qytetërimi - atij religjioz krishterë. Nuk ka dyshim se krishterizmi si religjion, me postulatet e saja morale, mbështetet në etikën transcendente, së cilës i mohohet hapësira për shqyrtim dhe zbatim praktik ligjor në jetën perëndimore. Shpirti bashkëkohor perëndimor është i fortifikuar në antagonizëm të vendosur ndaj cilësdo formë të kërkesave shpirtërore në raport me njeriun. Qysh këtu, në aspektin etik paraqitet një lloj hendeku i patejkalueshëm për çfarëdo ndikimi të mundshëm të krishterizmit në qytetërimin bashkëkohor. Në anën kulturore, si rezultat është krijimi i tipit njerëzor, moraliteti i të cilit është kufizuar, vetëm në çështjet e dobisë praktike, e kriteriumi më i lartë i së mirës, e i së keqes është suksesi material. Për pasojë, të gjitha virtytet, të cilat deri vonë vlerësoheshin nga prizmi etik, ato dalëngadal humbin vlerën imanente të tyre për shkak se nuk i sjellin shoqërisë dobinë e prekshme materiale.
Kryengritja kundër religjionit të krishterë - pasojat e së cilës u bënë determinante mjaft të rëndësishme në pëcaktimin e kahjes së zhvillimit të qytetërimit perëndimor - ishte aq e suksesshme sa që kishat qenë të detyruara që me modifikime të ndryshme, gradualisht t’i adaptojnë disa dogma të veta kushteve të ndryshuara shoqërore e intelektuale të Evropës. Në vend që të ndikojë në jetën shoqërore te pjesëtarëve të vet dhe që ta modeloj atë çka edhe është obligim natyror i religjionit, krishterizmi u pajtua me rolin e konventës toleruese dhe mbulesës së ndërmarrjeve politike. Për masat, ai tani ka vetëm kuptim formal siç ka qenë rasti me zotërat e Romës së vjetër, të cilëve nuk u është lejuar e as që është pandehur të kenë çfarëdo ndikimi real në shoqëri – rast tipik për jetën perëndimore. Nga frika e nënvetëdijshme që të mos jetë përsëri e mposhtur nga forcat, të cilat paraqesin të drejtën në autoritet hyjnor, Evropa u bë kampion i çdo gjëje antireligjioze edhe në parim edhe në aksion. Ashtu ajo iu kthye trashëgimisë së saj të vjetër romake.
Përkundër laramanisë kulturore që e përshkonte Evropën, Krishterizmi – me gjithë diversitetin sektar përbrenda tij – ishte i përbashkët për multikultura-litetin evropian. Me një kthim të qytetërimit, kundër tradicionalitetit dhe religjionit, është rrezikuar edhe vetë kultura evropiane. Duke vërejtur këtë fenomen, Moren-i thekson: “…kultura evropiane është bërë qytetërim duke luzmuar nëpër botë, por kulturat evropiane mbeten të kërcënuara tashmë nga vetë qytetërimi i dalë prej Evropës”.[13]
[1] Edgar Moren, “Evropa në mendje”, faqe 169
[2] Kenneth Clark, “Qytetërimi”, faqe 29
[3] Këtu nocionin avangardizëm, nuk e kam përdorur rigorozisht në kuptimin estetik të saj, por në një kontekst më të gjerë konotativ, duke nëkuptuar çarjen e thellë në mes qytetërimit perëndimor dhe traditës.
[4] Ismet Özel, “Tri çështjet”, faqe 138
[5] René Guénon, “Kriza e botës bashkëkohore”, faqe 163
[6] ibid, faqe 164
[7] Edgar Moren, “Evropa në mendje”, faqe 32 Pra, siç po shifet, ashtu si René Guénon, edhe Edgar Moreni (ndërsa siç do ta shofim më poshtë edhe Milan Kundera dhe Erich Fromm –i) kanë të njëjtin mendim lidhur me periudhën në të cilën Evropa mund të identifikohet si e krishterë.
[8] Milan Kundera, “Arti romanit”, faqe 142
[9] Erich Fromm, “Të kesh apo të jesh”, faqe 166
[10] ibid, faqe 163
[11] ibid, faqe 165
[12] ibid, faqe 167
[13] Edgar Moren, “Evropa në mendje”, faqe 58
2 Responses
Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.
a mund te behet me e shkurter d.m.th e permbledhur me pak fjale
Shkrim i mrekullueshem.Areligjioziteti eshte ne kulmin e zhvillimit te tij ne komunitetin global…