Skip to content


Rrëgjimi emocional, sinjifikativ për reifikimin e marrëdhënieve shoqërore

Ardian GOLA

 

Materializimi i jetës në të gjitha sferat e saj mund të shihet qartë, jo vetëm në ngarendjen pas përfitimimeve eksluzivisht materiale, që për synim përfundimtar e kanë profitin e ngushtë ekonomik, por edhe në zbehjen gjithnjë e më të theksuar emocionale në marrëdhëniet e ndërsjellta njerëzore në Perëndim. Dominimi i racionalitetit dhe varfërimi i emocionalitetit në marrëdhëniet shoqërore ishin, për Ëeberin, një tendencë e pashmangshme e Perëndimit, aq sa pikëpamjet e tij e identifikuan atë me një pesimit të llojit të vetë. Si konsekuencë të fundit të kësaj tendence ai e shihte “Kafazin e hekurt”. Në shoqërinë tonë - thotë Fromm-i – emocionet dekurajohen… të qenurit emotiv është bërë sinonim i paqëndrueshmërisë ose ç’ekuilibrit.[i] Ndërsa Edgar Moren-i, duke i parë si të polarizuara kahjet e zhvillimeve në Lindje dhe në Perëndim, vërejti se, përderisa në njërën anë, Botën e Tretë e karakterizon zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik, i cili duke gufuar gjithnjë e më tepër në vetëdije, zbulon vazhdimisht një subzhvillim fantastik afektiv, psikologjik, moral të qenies njerëzore, në anën tjetër në shoqëritë perëndimore, përkundër zhvillimit të lartë ekonomik, zvogëlimit dhe mjerimit fiziologjik e material, fillojnë të paraqiten gjithnjë e më tepër në vetëdije mungesa e dashurisë, mjerimi mental si dhe mungesat psikologjike.[ii] Në një studim të tij, Michael Maccoby përmes një analize që iu bëri strukturës së karakterit të dyqind e pesëdhjetë udhëheqësve, menaxherëve dhe inxhinierëve të dy kompanive më të suksesshme në SHBA, e që i përmbledhi në një punim të titulluar: “The Gamesmen: The New Corporate Leaders”, erdhi në përfundime (krahas përfundimeve tjera) që tregonin qartë jo vetëm mbizotërimin e sferës racionale ndaj asaj emocionale, por edhe dobësimin si dhe zhvillimin tejet të ulët të kësaj të fundit. Asnjëri nga subjektet e studiuar nuk është e mundur të përcaktohet si “përson i aftë për një dashuri të thellë”, megjithëse 5% e përbëjnë “të përzemërtit dhe të zjarrtët”. Ndërsa për të gjithë të tjerët janë karakteristike interesat e matura ose tradicionale, paaftësia për të dashuruar ose mohimi i jetës, është në të vërtetë tablo e jashtëzakonshme e një mungese zhvillimi emocional, në kontrast të plotë me epërsinë e një racionaliteti të shprehur qartë.[iii] Dashuria për njerëzimin – thotë Edgar Moren – vjen jo nga racionaliteti, por nga mistika thuajse fetare që ka shpirtëzuar humanizmin.[iv] Çdo përfundim mbi ndonjë rritje proporcionalisht të zhdrejtë të këtyre dy sferave (racionalitetit dhe emocionalitetit) të kundërta, por komplementare në konstituimin e një personaliteti stabil, do të ishte i gabuar. Kjo është pasojë e anashkalimit dhe mospërfilljes së rëndësisë së zhvillimit të domenit emocional. Tiparet e tilla njerëzore, si dashuria, dhimbsuria, respekti, kënaqësia etj. i takojnë sferës emocionale dhe si të tilla manifestohen në marrëdhëniet njerëzore vetëm falë dinamikës së kësaj sfere të qenies njerëzore. Kultivimi emocional i individit sidomos në stadet e hershme të procesit të formësimit të personalitetit, paraqet bazën për një zhvillim të rregullt dhe normal psikik, bazë kjo që përmes preventivave të ndryshme të metodave edukative, do t’i paraprinte çrregullimeve të ndryshme mentale, sëmundjeve të ndryshme psikike si dhe neurozave eventuale, fenomene këto që për shkaqe të ndryshme janë të pranishme mjaft në shoqërinë (post) moderne.

 

Për një përshkrim metaforik të emocionalitetit tejet ulët të zhvilluar (apo dukshëm të dëmtuar) në botën perëndimore, Maks Shileri huazoi konceptet antike platoniane Venus Cytherae dhe Venus Urania. Këto koncepte paraqesin trajtat e perëndeshës së dashurisë në “Simpozionin” e Platonit, ku Venus Cytherae identifikohet me prostitucionin ndërsa Venus Urania me dashurinë e vërtetë. Në letrat “Mbi edukimin estetik të njeriut”, Shileri përmes koncepteve të lartëpërmendura shoqërinë  moderne e përshkruan në këtë formë: “Shteti me aq xhelozi i mban për vete shërbëtorët e vet sa që më lehtë do të pranonte (e kush mund të mos i jepte të drejtë?) ta ndante njeriun e vet me Venus Cytherae se sa me Venus Urania”. [v] Për t’i paraprirë çdo ambiguiteti, duhet cekur se këtu kemi të bëjmë me një dallim strikt mes seksit si nevojë fiziologjike dhe dashurisë (erotike) si fenomen thelbësisht emocional.[vi] Dashurinë, për nga cilësia dhe qëllimi, duhet dalluar prej kënaqësisë shtazarake dhe epshit seksual. Pastaj, ajo i përket fushës së spiritualitetit që është i papajtueshëm me parimet e materializmit. Dashurinë duhet kuptuar si persiatje mbi çështjet shpirtërore bile edhe atëherë kur çështja sipërfaqësisht ka perspektivë materialiste. Kështu përafërsisht mendon edhe Bertrand Rasel kur thotë: “Dashuria është më e lartë se dëshira për marrëdhënie seksuale.[vii] Përkundër Sullivanit, i cili po ashtu vendos një vijë demarkacioni në mes të seksit dhe dashurisë, Frojdi, dashurinë e sheh si një fenomen thelbësisht seksual dhe pikërisht këtu qartë shihet ndikimi i trendeve  materialiste të kohës, që kanë për qëllim reifikimin e të gjitha trajtave të marrëdhënieve njerëzore – në mendimin e tij. Rezultat i çdo të menduari materialist është të simplifikuarit e problemeve pavarësisht nga natyra e tyre. Tendenca të tilla reifikuese dhe simplifikuese qartë mund të vërehen në botëkuptimet e fillimshekullit XX, që proklamojnë ide për mënyrën e sendërtimit  të dashurisë mes çifteve, përmes njohjes si dhe praktikimit sa më efikas të teknikës seksuale.[viii] Fromm-i e kundërargumenton këtë pikëpamje, me tezën se “dashuria nuk është rezultat i kënaqësisë së mjafteshme seksuale – bile njohuria e të ashuquajturës teknikë seksuale – është rezultat i dashurisë.[ix] Po të ishte ndryshe si do të shpjegohej ekzistimi aq i madh i divorceve, ndërrimi i partnerëve të shumtë para dhe pas martesës, shpërbërjet e familjeve etj. në botën perëndimore. Po të ishte problemi te teknika seksuale, atëherë Perëndimi këtë do ta tejkalonte që moti, për arsye se qytetërimi perëndimor edhe në këtë aspekt ka avancuar shumë. Në kuadrin e gjerë të përkushtimit ndaj seksit, si sferë jashtëzakonisht e rëndësishme e jetës, perëndimi ka ecur përpara edhe në konstituimin e një pjese të veçantë të edukimit dhe kulturimit të përgjithshëm njerëzor. Është fjala pra, për edukimin seksual.

 

Mirëpo, problemi qëndron diku tjetër dhe atë pikërisht në individualizmin, i cili megjithë faktin se luajti rol të veçantë në qytetërimin perëndimor, pasojat mund të vërehen dukshëm sot dhe mu në problemin i cili është duke u trajtuar. Individualizmi karakterizohet nga egoizmi, egocentrizmi, indolenca etj. dhe mbi të gjitha absolutizimi dhe hipostazimi i individuales. Në individualizëm, individi është i vetëmjaftueshëm, qëllim për vetvete dhe qëllim i fundit, më i lartë i jetës njerëzore. Individualizmi, i cili në kuptimin pozitiv të fjalës do të thotë çlirim nga vargonjtë social - thotë Fromm-i, në kuptimin negativ është e drejta e pronës së vetvetes, d.m.th. e drejta është detyrim për t’ia përkushtuar gjithë energjinë arritjes së sukseseve vetjake.[x] Individualizmi, jetën shoqërore e pezhorativizon duke e tretur përgjithësisht sakrificën humane, solidaritetin, altruizmin dhe individit ia imponon që tërë përkushtimin fizik e psikik së bashku me energjinë dhe potencialin e tij, ta përqendrojë rreth vetes duke mos qarë kokë fare për grupin, bashkësinë, kolektivin, shoqërinë dhe për pasojë edhe vetë njeriun.

 

Në rrethana të tilla të mbizotërimit të individualizmit, vështirë se mund të pohohet ekzistimi i ndonjë forme të dashurisë. Këtu nuk është fjala vetëm për dashurinë në kontekstin erotik, por edhe më gjerë. Kontestimi i shpërbërjes së dashurisë në të gjitha trajtat manifestuese të saj, as që mund të vie në shprehje sipas Fromm-it. Asnjë vrojtues objektiv i jetës sonë perëndimore – thotë ai - s’mund të dyshojë që dashuria – ajo vëllazërore, dashuria e nënës dhe ajo erotike – është një fenomen relativisht i rrallë dhe që vendi i saj është zënë nga një numër formash të pseudodashurisë, të cilat në realitet janë shumë forma të shpërbërjes së dashurisë.[xi] Industrializimi i jetës, e dinamizoi atë (jetën) deri në atë masë, sa që shpartalloi çdo raport shoqëror të fundamentuar në altruizëm të ndërsjelltë, bamirësi, mirësjellje, respekt, dashuri etj. duke reduktuar kështu çdo relacion të individëve përbrenda shoqërisë, në interes – apo “profit” siç do të shprehej Fromm-i. Interesi, respektivisht profiti ekonomik, u bë faktori i vetëm gjenerues i dinamikës së marrëdhënieve sociale. Çdo raport shoqëror fundamentohet mbi të. Shiquar nga ky prizëm, “marrëdhëniet njerëzore janë të reifikuara, marrëdhëniet personale paraqiten si marrëdhënie objektive mes sendeve”.[xii] Njeriu më nuk është qenie me motive të brendshme i pajisur me shpirt dhe i strukturuar ashtu siç ai don vetë, por një objekt që pandërprerë mirret e jipet. Përveç kësaj, njeriu për njeriun humb karakterin intencional, duke u shndërruar në mjet për arritjen e qëllimit dhe asgjë tjetër. Fusha e marrëdhënieve njerëzore, sipas Frojdit, ngjan me tregun: është një shkëmbim kënaqësish të nevojave fiziologjike, ku marrëdhënia me individin tjetër është gjithmonë një mjet…[xiii] dhe këtu Frojdi fatkeqësisht kishte pasur të drejtë. Pra, imperativi kategorik kantian, këtu nuk gjenë hapësirë për zbatim praktik.

[i] Erich Fromm, “Arratisje nga liria”, faqe181

[ii] Edgar Moren, “Hyrje në një politikë të njeriut”, faqe 68

[iii] Erich fromm, “Të kesh apo të jesh”, faqe 177

[iv] Edgar Moren, “Evropa në mendje”, faqe100

[v] Revista Thema, nr.8/1988, artkulli Frika dhe Politika, Franc Nojman, faqe 126

[vi] Një ndarje e tillë në mes të seksit dhe dashurisë, (unë mendojë se) vie në shprehje vetëm në rrafshin teorik. Përndryshe, në rrafshin praktik dashuria dhe seksi përkundër asaj se janë të kompozuara në manifestimet e tyre, nuk mund të qëndrojnë si sfera disparate dhe absolutisht të veçuara.

[vii] Bertrand Rasel, “Marriage and Morals”, faqe 83

[viii] Erich Fromm, “Arti i të dashuruarit”, faqe 97

[ix] ibid., faqe 97

[x] Erich Fromm, “Të kesh apo të jesh”, faqe 89

[xi] Erich Fromm, “Arti i të dashuruarit”, faqe 98

[xii] Revista Thema, Nr.10, 1988; artikulli  Frika dhe politika”, Franc Nojman, faqe 127

[xiii] Erich fromm, “Arratisje nga liria”, faqe 19


Posted in Filozofi. Tagged with .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.