Skip to content


Utopizmi psikologjik i Frommit: recension i veprës “Arratisje nga Liria”

Ardian GOLA

 

Ndërveprimi kompleksiv në relacionet individ – shoqëri, është një ndër problematikat më të koklavitura, por njëkohësisht edhe më tërheqëse në fushën e psikologjisë dhe të sociologjisë. Frommi, si pjesëtar i frankfurtasve neomarksist dhe si një ndër klasikët e Psikologjisë, këtij problemi iu qasë nga një këndvështrim mjaft kritik. “Arratisje nga liria”, së bashku me “Njeriu për vete”, “Shoqëria e shëndoshë”, formon trilogjinë e njohur të  Frommit, ku me një lidhshmëri dhe kushtëzim të ndërsjelltë semantik përmbledhin koncepcionin e tij fundamental. Përmes analizimit të lirisë si problem psikologjik për njeriun bashkëkohor, elaborimet e tij tejkalojnë këtë fushë duke ngërthyer në mënyrë indirekte në gjirin e tyre edhe problemin e dinamikës së procesit social, si dinamikë të proceseve psikologjike individuale të kundruara në kontekstin e kulturës plazmuese, strukturën e karakterit të njeriut modern, krizën shpirtërore dhe socio-kulturore të tij etj.

 

 

I pranguar nga shtrëngesat tradicionale të shoqërisë paraindustrialiste, individi ishte i kufizuar, por, në kompenzim me këtë, ai fitonte një lloj sigurie shoqërore. Emancipimi modern rezultoi me çprangim nga këto shtrëngesa, por kufizimi dhe pamjaftueshëmria e tij konsiston në pamundësinë e gjertanishme për të fituar lirinë në “kuptimin pozitiv të realizimit të qenies së vet”. Ballafaqimi i njeriut modern me një situatë të tillë, i jep atij vetëm dy alternativa: “largimin nga perla e kësaj lirie drejt një marrëzie dhe nënshtrimi të ri” ose “përparimin drejt realizimit të plotë të lirisë pozitive që bazohet në unicitetin dhe individualitetin e njeriut”. Përzgjedhja e alternativës shndërrohet në problem të ri psikologjik, zgjidhja e të cilit kërkon analiza të thella të faktorëve dinamikë të strukturës së karakterit të njeriut modern. Këta faktorë psikologjikë zhvillohen si forcë aktive e procesit shoqëror, analizimi i të cilëve çon në problematizimin e faktorëve psikologjikë, ekonomikë dhe ideologjikë në procesin shoqëror. Ky riproblematizim psikologjik parashtron dilemën: a ekziston ndonjë dëshirë instinktive për nënshtrim, ashtu siç ekziston dëshira për liri e bashkëlindur me njeriun? Kjo nuk është e vetmja pyetje rreth këtij problemi. Pyetjet tjera që Frommi parashtron në këtë drejtim, janë pyetje që riproblematizojnë çështjen e lirisë në dimensione tjera komplementare.

 

Metodologjikisht, Frommi ka qasje tjetër nga ajo e Frojdit, i cili stërthekson faktorin subjektiv, gjegjësisht stratumin e nënshtresuar iracional, por edhe nga teoritë sociologjike me prirje sociologjiste të margjinalizimit të faktorëve psikologjikë, siç është ajo e Marksit, e sidomos ajo e Dyrkemit. Kështu te Frommi konfigurohen elemente të qarta të një psikologjie sociale, që përshkohen me përpjekje unike të sintetizimit të këtyre skajshmërive metodologjike dhe konceptuale. Është ideja e përshtatjes, respektivisht mënyra e të kuptuarit të përshtatjes, ajo që spikat qartazi këto përpjekje unike të Frommit. Duke bërë dallimin e përshtatjes “statike”, prej asaj “dinamike’, Frommi zhvillon mëtej psikologjinë dinamike, bazat e të cilës, sipas vetë Frommit, i ka hedhur Frojdi, duke mundësuar kështu ripërqëndrimin e preokupimit shkencor të psikologjisë në faktorin njeri. Përderisa përshtatja statike nënkupton “përshtatjen ndaj modeleve të tilla që e lënë të pandryshuar tërë strukturën e karakterit dhe që nënkupton vetëm përfitimin e një “strehimi” të ri”, përshtatja dinamike, përveç ambientimit në rrethanat e jashtme, “krijon diçka të re tek ai (individi), nxit impulse të reja dhe ankth të ri”. Pyetja që rrjedhon nga ky interpretim është: “çfarë e detyron njeriun për t’iu përshtatur pothuajse të gjitha kushteve të jetës dhe cilat janë limitet e përshtatshmërisë së tij”? Përgjigja në këtë pyetje Frommin e çon në diagnostikimin, e më pastaj edhe klasifikimin, e nevojave të individit, niveli i përmbushjes së të cilave përcakton edhe kufinjtë e adaptimit të tij në ambientin e jashtëm. Një ndarje në vija të përgjithshme e këtyre nevojave sajohet mbi kushtëzimin fiziologjik -  nevojat fiziologjikisht të kushtëzuara dhe pamundësinë e të jetuarit në izolim - nevoja për të shmangur vetminë. Lloji i parë i nevojave paraqet pjesën fikse dhe të pandryshueshme të natyrës njerëzore, ndërsa lloji i dytë është pjesa më fleksibile e strukturës së karakterit njerëzor, pjesë kjo e cila modelohet në saje të reaksionit të komplikuar të individit me sistemin socio-ekonomik. Është pikërisht kjo pjesë elastike e karakterit njerëzor ajo që çfaqet si produkt i ndërveprimit kompleksiv, përbrenda një qarku pothuajse të mbyllur, të tre faktorëve fundamentalë: psikologjik, ekonomik dhe ideologjik. Problemit të modelimit të karakterit të individit, Frommi i qaset nga perspektiva marksiste. Sipas tij, “sistemi i jetës i përcaktuar nga veçantësia e sistemit ekonomik, bëhet faktor parësor në përcaktimin e strukturës komplekse të karakterit të tij, sepse nevoja e domosdoshme për vetëruajtje e shtrëngon të pranojë kushtet në të cilat ai duhet të jetojë”. Këtij koncepcioni, Frommi i mvesh gjithashtu edhe elemente të frojdizmit. “Mbi të gjitha, personaliteti i tij (individit) modelohet nga sistemi i veçantë i jetës, siç është paraqitur që nga fëmijëria, i filtruar përmes familjes”.

 

 

Individualizimi dhe liria

 

Historia sociale e njeriut, thotë Frommi, filloi në momentin kur ai, duke dalë nga një gjendje uniteti me botën natyrore, u bë i vetëdijshëm për vetveten, si njësi e ndarë nga bota rrethuese dhe nga njerëzit tjerë. Procesin e shkëputjen së individit nga këto “lidhje primare”, Frommi e quan “individualizëm”. Mirëpo krahas rritjes së “forcës autonome të Unit”, ky proces, pashmangshëm shoqërohet edhe me “vetminë në rritje”. Vetmia është pasojë e vetëkonceptit të evoluar të individit si njësi e ndarë nga bota e jashtme, e cila më parë, gjatë “lidhjeve primare”, ishte botë miqësore, ndërkohë që më pastaj, gjatë evoluimit të procesit të individualizmit, shndërrohet në botë të rrezikshme dhe kërcënuese për inidvidin. Si rrjedhojë e pafuqisë së individit që të përballet me botën “në tërë aspektet e saj të rrezikshme dhe shtypëse” si dhe për të shmangur vetminë morale gjithnjë në rritje, burojnë impulset për të hequr dorë nga individualiteti. Ky është nënshtrimi ri, i cili megjithatë nuk paraqet alternativën e vetme karshi kërcënimit të botës së jashtme. “Raporti spontan” është një alternativë tjetër e mundshme sipas Frommit, e cila ndërton raporte të tilla me botën, në atë mënyrë që shmang shpërthimin e ndonjë konflikti të pazgjidhshëm dhe, mbi të gjitha, ruan individualitetin. Këtë Frommi e quan edhe “aktivitet spontan”, i cili për bazament e ka lirinë në kuptimin negativ të “lirisë nga” determinizmi instinktiv i veprimeve të tij. Për arsye se “ekzistenca njerëzore fillon kur, përtej një pike të caktuar, instinktet nuk janë në gjendje të përcaktojnë veprimin; kur përshtatja me natyrën  e humbet karakterin e vet shtrëngues; kur mënyra e të vepruarit nuk fiksohet me nga mekanizma trashëgimtarë”. Për më tepër, “ekzistenca njerëzore dhe liria janë të pandara”.

 

Prej këtu, liria, në analizat e Frommit, vjen e bëhet kategori gjithnjë e më e ndieshme psikologjike. Fillimisht, analizat e tij për lirinë, ai i vendos në rrafshin e krahasimit historik. Në raport me mesjetën për shembull, periudha e reformës karakterizohet me theksim gjithnjë e më të madh të lirisë individuale. Megjithëse në mesjetë individi nuk ishte i lirë në kuptimin modern, ai megjithatë nuk ishte i vetëm dhe i izoluar. Shoqëria mesjetare nuk e privonte individin nga liria e tij, ngase “individi” nuk ekzistonte akoma; ai vazhdonte të jetë i lidhur me botën me lidhjet fillestare. Përpos kësaj, në mesjetë “rendi shoqëror konceptohej si rend natyror dhe të pasurit e një vendi të përcaktuar në të, individit i jepte një ndjenjë sigurie dhe përkatësie”. Një strukturë e tillë e raporteve ndërmjet “individit” dhe shoqërisë, ishte dominuese deri në mesjetën e vonshme, ku “struktura e shoqërisë dhe personaliteti i njeriut pësuan një transformim”. Kështu kah fundi i tij, “sistemi shoqëror mesjetar ishte tronditur dhe së bashku me këtë edhe stabiliteti dhe siguria relative që i kishte ofruar individit… nuk kishte më një vend të fiksuar në rendin ekonomik që të mund të konsiderohej natyror, i padiskutueshëm. Individi ishte i braktisur në vetvete; gjithçka varej nga përpjekja e tij personale dhe jo nga siguria e prestigjit e tij tradicional”. “Duke humbur vendin e tij fiks në një botë të mbyllur, njeriu humbi edhe përgjegjësinë mbi kuptimin e jetës së tij; pasoja ishte se ai filloi të shfaqë dyshimin mbi vetveten dhe mbi qëllimin e jetës. Kërcënohej nga forca impersonale: kapitali dhe tregu. Marrëdhënia me njerëzit tjerë, tani që këta u bënë konkurentë potencialë, u bë një marrëdhënie armiqësie dhe tëhuajësuese… liria e re krijonte një ndjenjë të thellë pasigurie, pafuqie, dyshimi, vetmie dhe ankthi”. Të gjitha këto ndryshime zanafillën e kanë në ndryshimet që pësoi mënyra e organizimit ekonomik të shoqërisë, me ç’rast parimet e sistemit ekonomik feudal të një konkurence të minimizuar përmes parimit të bashkëpunimit, zhvillimi kapitalist ia subordinonte gjithnjë e më shumë parimit të iniciativës individuale. Në tërë këto zhvillime, rol qendror kishte luajtur edhe dalja në skenë e Reformës si ndarje e madhe sektare prej kishës katolike dhe me pasoja afatgjata tejshpirtërore në planin historik. Përkundër elementeve të përbashkëta ndërmjet teologjisë katolike mesjetare dhe asaj të Reformës (protestantizmit dhe kalvinizmit), ekzistonte edhe një dallim thelbësor për sa i takon problemit të dinjitetit dhe lirisë njerëzore dhe pasojave të veprimeve të njeriut mbi fatin e tij. Këtë çështje, në formë të përmbledhur, Frommi e përshkruan kështu: “Kisha mesjetare i dha theksin dinjitetit të njeriut, lirisë së vullnetit të tij dhe faktit se përpjekjet e tij ishin  të dobishme; vuri në dukje ngjashmëritë ndërmjet Zotit dhe njeriut si dhe të drejtën e njeriut për të pasur besim në dashurinë e Zotit. Mbështeti idenë se njerëzit qenë të barabartë dhe vëllezër, pikërisht në saje të ngjashmërisë me Zotin. Në Mesjetën e vonshme, në përputhje me hapat e para të kapitalizmit, u krijuan turbullime dhe pasiguri, por, në të njëjtën kohë, tendencat që nënvizonin rëndësinë e lirisë dhe të përpjekjes njerëzore u bënë gjithnjë e më të forta. Mund të pohojmë se Filozofia e Rilindjes, si doktrina katolike e Mesjetës së vonshme pasqyronin frymën mbisunduese në ato grupe shoqërore që tregonin, nga vetë pozicioni ekonomik, një ndjenjë fuqie dhe pavarësie. Nga ana tjetër, teologjia e Luterit shprehte ndjenjat e klasës së mesme që luftonte kundër autoritetit të Kishës dhe që kishte mllef  për klasën e re të të pasurve, ndihej e kërcënuar nga kapitalizmi në rritje dhe e dërrmuar nga një mllef për pafuqinë dhe pakuptimshmërinë individuale”.

 

Rrënjë psikologjike të Reformizmit dhe Kapitalizmit

 

Pas elaborimeve historike të rrethanave kushtëzuese që mundësuan paraqitjen e simptomeve të para të kapitalizmit dhe ndërrimin e sistemeve socio-ekonomike, Frommi studimin e tij e plotëson me analizat psikologjike. Ai analizon hollësisht srukturën e karakterit të dy reformatorëve: Luterit dhe Kalvinit, si dhe shkaqet psikologjike të grupit që pranoi doktrinën e tyre. Kësaj analize i parapriu pretendimi logjik lidhur me domosdoshmërinë e ngjashmërisë ndërmjet strukturës së karakterit të “udhëheqësit” dhe “pasuesve”.

 

Në studimet e tij, Frommi tërhiqte paralele ndërmjet doktrinës teologjike të Luterit dhe Kalvinit në njërën anë dhe rrethanave socio-ekonomike në ndryshim e sipër në anën tjetër. Ajo që ndodhte realisht me individin në planin shoqëror, në doktrinën e Luterit, u bart edhe në planin psikologjik. Kuadri i njeriut që Luteri skicoi me terma fetarë, thotë Frommi, përshkruan situatën e individit siç po e krijonte evolucioni social dhe ekonomik i epokës. Anëtari i klasës së mesme, përballë forcave të reja ekonomike, ishte aq i pafuqishëm sa ishte njeriu në përgjithësi, në përshkrimin e Luterit, në marrëdhënien e tij me Zotin. Atë që Max Weberi e bëri në planin sociologjik, e bëri Fromi në planin psikologjik. Në analizat e këtij të fundit, duket qartë ndërlidhja në mes protestantizmit në njërën anë dhe kapitalizmit në anën tjetër. Individualizmi shpirtëror i protestantizmit psikologjikisht nuk dallon shumë nga individualizmi ekonomik i kapitalizmit. “Në të dy rastet individi është  plotësisht i vetëm dhe në izolimin e vet përballon fuqitë e larta, qoftë kjo ajo e Zotit, konkuruesit apo forcat ekonomike impersonale. Marrëdhëniet individualiste me Zotin ishin përgatitje psikologjike ndaj karakterit individualist të aktivitetit tokësor të njeriut”. Si rrjedhojë, protestantizmi shfaqet si përgatitje psikologjike e terrenit për zhvillimin e mëtutjeshëm të kapitalizmit. Luteri dhe Kalvini, vazhdon tutje Frommi, përgatitën psikologjikisht njeriun për rolin që duhej të kryente në shoqërinë moderne: atë që të ndihej i paqëndrueshëm si individ dhe të ishte gati për ta varur jetën e tij ndaj qëllimeve që nuk ishin të tijat. Doktrinat e reja teologjike janë “përgjigje ndaj kërkesave njerëzore të individit të trembur, pa rrënjë dhe i izoluar, që duhej të orientohej dhe të lidhej në një botë të re. Struktura e re e karakterit, që buronte nga ndryshimet shoqërore dhe ekonomike dhe që u intensifikua nga doktrinat fetare, nga ana e vet u bë faktor i rëndësishëm për zhvillimin e mëvonshëm shoqëror dhe ekonomik. Cilësitë që ishin të rrënjosura në këtë strukturë të karakterit – obsesioni për punën, pasioni i kursimit, prirja për ta bërë jetën e vet një instrument për qëllime të një pushteti transpersonal, asketizmi dhe një ndjenjë shqetësuese e detyrës – ishin tipare karakteri që do të bëheshin forca prodhuese në shoqërinë kapitaliste, forca, pa të cilat, zhvillimi ekonomik dhe shoqëror modern nuk do të mund të mendoheshin… Të vepruarit në harmoni me tiparet e reja të karakterit ishte përfitues nga pikëpamja e nevojave ekonomike; por ishte edhe i kënaqshëm nga pikëpamja psikologjike, pasi një veprim i tillë i përgjigjej domosdoshmërisë dhe ankthit të këtij tipi të ri të personalitetit. Me terma më të përgjthshme, do të mund të thuhej se procesi shoqëror, duke përcaktuar mënyrën e jetës së individit, pra marrëdhënien e tij me të tjerët dhe me punën, modeloi strukturën e karakterit të tij. Kështu Frommi nxjerr në shesh ndërlidhjen e komplikuar ndërmjet shoqërisë dhe individit, gjegjësisht influencimit të ndërsjelltë të tyre në funksion të ndryshimeve në sistemin shoqëror dhe, rrjedhimisht, në strukturën e karakterin njerëzor.

 

Tëhujësimi i individit dhe reifikimi i marrëdhënieve shoqërore

 

Për dallim nga sistemi mesjetar, struktura e shoqërisë moderne individin e bëri më të pavarur, të vetëmjaftueshëm dhe kritik. Kapitalizmi jo vetëm që liroi njerëzit nga lidhjet tradicionale, por edhe ka kontribuar jashtëzakonisht në rritjen e lirisë pozitive, në zhvillimin e personalitetit aktiv, kritik dhe të përgjegjshëm. Megjithatë, edhe pse kjo ishte një nga pasojat që kapitalizmi pati mbi procesin e shtimit të lirisë, në të njëjtën kohë e la individin më të vetmuar dhe të izoluar dhe e përshkoi një ndjenjë paqëndrueshmërie dhe pafuqie. Krahas të arriturave të kapitalizmit, Frommi fuqimisht konteston bindjen se eliminimi i shtrëngesave tradicionale është në proporcion të drejtë me arritjen e lirisë. Mbetemi të mahnitur, thotë Frommi, përballë zhvillimit të lirisë ndaj forcave të jashtme për ne, por mbetemi të verbër përballë realitetit të shtrëngimeve, të frenave dhe frikave të brendshme, që synojnë ta minojnë kuptimin e fitoreve që liria ka sjellur kundër armiqve të vet tradicionalë. Përpos kësaj, kapitalizmi solli me vete ndryshime radikale edhe në relacionet njeri – njeri dhe njeri – natyrë. Këto relacione të reja vendosen në shënjestër të kritikës së Frommit, sipas të cilit raporti i ri njeri – natyrë shkëputi lidhjet tradicionale ndërmjet tyre, duke proklamuar relacion të njëanshëm dhe dominues në favor të njeriut. Por megjithatë, kjo shkallë e dukshme dominimi ndaj natyrës, njeriut nuk i mundësoi kontrollimin e forcave shoqërore që ka krijuar. Kështu ai “u bë i huaj me produktin e duarve të veta… përkundrazi… vepra e duarve të tij është bërë Zoti i tij”. Ndërsa në marrëdhëniet njeri – njeri, marrëdhëniet e tëhuajësuara dhe të sendëzuara ekonomike ndërmjet tyre, shtrijnë ndikimin e tyre edhe në marrëdheniet shoqërore. Kështu relacionet njeri – njeri “kanë humbur karakterin direkt dhe njerëzor dhe ka marrë një karakter manipulimi dhe instrumentalizimi… marrëdhëniet personale kanë karakter të tjetërsuar, në vend që të jenë marrëdhënie midis qenieve njerëzore, ato marrin karakterin e marrëdhënieve midis sendeve”. Në kohët moderne, me ndërrimin e vazhdueshëm të rrethanave të jetesës, me individualizimin gjithnjë në rritje në jetën shoqërore dhe ekonomike, shpartallimin gjithnjë e më agresiv të lidhjeve tradicionale, pakuptimshmëria e individit sa vjen e rritet. Fusha ekonomike dhe skena politike janë shembujt kryesorë për zhvleftësimin e individit përballë forcave mbipersonale. Si konsumator, shijen e ka të dirigjuar nga publiciteti i propagandave irracionale të reklamave bombarduese, ndërsa përballë magazinave gjigande me një bollëk të jashtëzakonshëm të mallrave të ekspozuara, individi konsumues ndihet i vogël dhe i privuar nga rëndësia. “Si klient abstrakt është i rëndësishëm, ndërsa si klient konkret është absolutisht i parëndësishëm”. Ndërsa propaganda politike lajkaton individin duke i dhënë përshtypjen se është i rëndësishëm dhe shtiret se i bënë thirrje sensit të tij kritik dhe qartësisë së tij. Gjendjen e turbulltë shpirtërore, që njeriu e maskon dhe e racionalizon përmes “rutinës së përditshme të aktivitetit të tij, suksesit ekonomik, zbavitjeve të panumërta, argëtimet, njohjet, daljet në shëtitje”, Frommi e përshkruan kështu: “Qytetet e mëdha ku banon individi, ndërtesat e lartë si male, bombardimi konstant akustik i radios, titujt me shkronja të mëdha që ndryshojnë tri herë në ditë, nuk lejojnë asnjë liri për të vendosur se çfarë është e rëndësishme… (këto) janë shprehje të një konstelacioni në të cilin individi ndodhet përballë dimensionesh të pakontrollueshme, në lidhje me të cilët është shndërruar në një pjesëz të vogël”.

 

Të gjitha këto janë pasoja shoqëruese të këputjes së lidhjeve primare, që përfundimisht ka rezultuar me pafuqi dhe vetmi të individit. Tani individi gjendet përballë dy mundësive: ta tejkalojë këtë gjendje përmes krijimit të marrëdhënieve të reja me botën, me spontanitet, dashuri dhe punë duke rigjetur kështu unitetin e tij me natyrën, pa hequr dorë nga individualiteti dhe personaliteti i tij (kjo është njëkohësisht edhe realizimi i lirisë pozitive); ose heqja dorë nga liria e tij dhe të kërkojë ta kapërcejë vetminë e tij duke eliminuar boshllëkun që formohet midis qenies së tij dhe botës. Përndryshe, ribashkim në trajtën paraindividualiste me botën nuk ka; ai realitet është i pakthyeshëm. Meqenëse gjendja e pafuqisë dhe e vetmisë izoluese në të cilën është katandisur individi është skajshmërisht e padurueshme, ai duhet të lëvizë tutje drejtë zhbërjes së unit të tij për të fituar sigurinë, ose drejt realizimit të lirisë pozitive. Vështirësia, që jo rrallëherë përfundon me pamundësi, për realizimin e lirisë pozitive, edhe lirinë e fituar negative e bënë të papërballueshme. Për rrjedhojë, nënshtrimi (siç ndodhi me vendet fashishte) dhe konformizmi obsesiv me modelet ekzistuese (siç ndodh me demokracitë perëndimore) janë dy alternativat e vetëofruara.

 

Sikurse konformizmi, ashtu edhe nënshtrimi ka për qëllim zhbërjen e unit dhe, për pasojë, humbjen e individualitetit, për të fituar sigurinë e dikurshme. Megjithatë secila prej këtyre dy rrugëve ka specifikat e veta për depersonalizimin e individit dhe zhveshjen e tij nga individualiteti. Sa i përket nënshtrimit, shembull ilustrativ është prirja imanente sado-mazohiste e individit drejt varësisë ndaj një autoriteti që, përmes ushtrimit të pushtetit absolut ndaj tij, do të përvetësoj lirinë, zhbëjë unin dhe depersonalizon përfundimisht individualitetin e tij. Kështu, duke mos duruar së qenuri vetvetja, individi provon rishtazi një ndjenjë sigurie përmes eliminimit të unit. Ndërkohë që tendenca mazohiste, përmes varësisë ndaj një autoriteti të caktuar, synon kotësisht rikthimin e sigurisë përjetësisht të humbur të individit, pra gjendjen e lidhjeve primare, tendenca sadiste përmbysë këtë raport duke synuar të njëjtën gjë, veçse përmes sundimit dhe inkorporimit të objektit. Këto dy tendenca koekzistojnë vazhdimisht në një “kompleks simbiotik”, për shkak të paaftësisë për t’i rezistuar vetmisë së vetë unit individual, me ç’rast krijohet impulsi për të hyrë në marrëdhënie simbiotike me dikë tjetër; ndërsa formulimin e tyre përfundimtar këto tendenca të kundërta komplementare e gjejnë në “karakterin autoritar” – koncept ky bazë që Frommi e shfrytëzon për shpjegimin e rrethanave psikologjike, që krahas atyre ekonomike dhe politike, bënë të mundur shfaqjen e nazizmit. Relacionet sado-mazohiste, mundësojnë varësinë e ndërsjelltë ndërmjet një uni dhe tjetri, duke krijuar kështu një “kompleks simbiotik”, që shpërbën unin dhe suprimon përfundimisht pavarësinë e individualitetit, duke ofruar kështu siguri nga vetmia e ankthshme e individit të shkëputur nga lidhjet primare.

 

Mirëpo ekziston edhe një trajtë tjetër e arratisjes nga pesha dhe barra e lirisë; ajo që Frommi e quan “konformizëm prej automati”. Sipas tij, individi pushon së qenuri vetvetja, përshtat për vete krejt tipin e personalitetit që i ofrohet nga modelet kulturore. Përmes rasteve të ndryshme dhe situatave të improvizuara psikanalitike, Frommi dëshmon se jo çdo mendim, ndjenjë, veprim i yni është me të vërtetë i yni. Në rastet e konformizmit obsesiv, pseudomendimi zëvendëson mendimin, pseudondjenja zëvendëson ndjenjën, pseudodëshira zëvendëson dëshirën dhe, mbi të gjitha, uni autentik mbytet dhe ndrydhet plotësisht nga pseudouni. Në situatat e tillë konformiste, “secili është tjetri, e askush nuk është vetvetja” (Heidegger). “Mendon, ndien dhe do atë që beson se mbrohet për t’u menduar, ndier dhe dashur dhe pikërisht në këtë proces humbet uni i tij, mbi të cilin duhet të ndërtohet tërë siguria autentike e një individi të lirë”. Siguria për vetveten kushtëzohet me mos zhgënjimin e dëshirave të tjerëve. Këtë problematikë Frommi e sqaron kështu: “Përmes të konformuarit me dëshirat e të tjerëve, përmes të mosqenit ndryshe… fitohet një far sigurie. Por çmimi që paguhet është i lartë. Të heqësh dorë nga spontaniteti dhe individualiteti do të thotë t’i zësh frymën jetës. Nga pikëpamja psikologjike automati, megjithëse jeton biologjikisht, ka vdekur si ndjenjë dhe mendim”. “Subjekti impersonal” i Heideggerit, është pikërisht “autoriteti anonim” i Frommit, në të cilin është i konformuar njeriu modern. Ky lloj autoriteti  ka pasuar të gjitha autoritetet paraprake: atë të Kishës, që u zëvendësua nga ai i shtetit; atë të shtetit që u zëvendësua nga ai i ndërgjegjes – autoriteti i brendshëm. Duke u çliruar nga format e vjetra të hapura të autoritetit, thotë Frommi, nuk menduam se ramë pre e një lloji të ri të autoritetit. U bëmë automatë që jetojnë në iluzionin e të qenurit të pavarur.

 

Rekapitullim

 

Dilema që përshkon tërë këtë shtjellim, është: si të tejkalohet gjendja e pasigurisë që mundësoi shkëputja e individit nga lidhjet primare të tij, ashtu që ky tejkalim të ruaj pavarësinë dhe integritetin e unit që të mos bie në ndonjë varësi të re dhe si të vazhdohet më tutje në realizimin e lirisë pozitive drejt vetërealizimit ontologjik të qenies njerëzore? Frommi ishte mjaft konkret në shtjellimet e tij lidhur me kahjen që duhet të marrin rrjedhat e qytetërimit perëndimor në fushën ekonomike dhe politike, ashtu që të garantohet hapësira për iniciativën individuale dhe mundësia për vetërealizim të qenies njerëzore. Demokracia, sipas tij, është sistem që krijon kushtet ekonomike, politike dhe kulturore për zhvillimin e plotë të individit, me kusht që të mos abuzohet me konceptin e saj. Ai mendonte se kapitalizmi ka krijuar premisën kryesore, atë ekonomike, e cila së bashku me atë shoqërore, krijojnë bazën, mbi të cilën krijohet hapësira që do të lejonte individin “të bëhet i lirë në funksion të realizimit të qenies së tij”.  Mirëpo, Frommi tejkalon caqet e reales kur përshkruan ndryshimet e kërkuara psikologjike në strukturën psikike të individit. Sipas tij, veprimtaria spontane e përshkuar me dashuri - që nuk nënkupton “shkrirje te ndonjë person tjetër e as zotërim të ndonjë personi tjetër” por “pohim spontan të tjerëve si bashkim i individit me të tjerët mbi bazën e ruajtjes së unit individual - dhe punë - si “një aktivitet, jo të ankthshëm për t’iu larguar vetmisë, as si marrëdhënie me natyrën, që pjesërisht është sundim mbi të dhe, pjesërisht adhurim dhe nënshtrim i të njëjtave prodhime të duarve të njeriut, por puna si krijim, ku njeriu bëhet një me natyrën në aktin e krijimit” - paraqet rrugëdaljen, zgjidhjen dhe përgjigjen e vetme përballë dilemës që ofron individualizmi modern me lirinë negative të saj. Kjo veprimtari spontane, thotë Frommi, është e vetmja mënyrë e zhdukjes së terrorit të ankthit dhe vetmisë izoluese të shkaktuar nga liria negative. Për dallim nga karakteri i qartë dhe tejet konkret i analizës së rrethanave shoqërore dhe ekonomike, sugjerimet e natyrës psikologjike të Frommit për rrugëdalje nga kolapsi psikologjik i njeriut modern i shkaktuar nga varësimi i aktivitetit njerëzor ndaj qëllimeve eksternale, veçanërisht atyre ekonomike, ngjajnë në një utopi të llojit të vetë, që unë do ta quaja “utopizëm psikologjik”. Aktiviteti spontan së bashku me dashurinë dhe punën mbetet i mjegulluar teoretikisht dhe i sfidueshëm praktikisht përballë vrazhdësisë së realitetit konkret, përbrenda të cilit vardiset njeriu dhe shoqëria në përgjithësi.

 

Kontributi i Frommit në lëmin e Psikologjisë mbetet i padiskutueshëm, ndërkohë që analizat e tij për shoqërinë moderne me të gjitha krizat dhe të arriturat e saj, shërbejnë ende si referencë e freskët për analizat aktuale lidhur me problemet akute me të cilat ballafaqohet mbarë njerëzimi dhe veçanërisht bota perëndimore. Shumëçka nga ajo që përshkroi në analizat e tij lidhur me reifikimin shoqëror, tëhuajësimin e njeriut përballë vetes, njeriut dhe natyrës, problemet psikologjike të njeriut modern etj. i qëndrojnë ende kohës. Vizioni i tij për një të ardhme të qetë të njerëzimit, me liri të vetërealizimit të qenies njerëzore, sado utopik të jetë, artikulon qartë angazhimin e tij teorik në zgjidhjen e problemeve që kërcënojnë njerëzimin me rënie në totalitarizëm të ri, që do ta rivendoste njeriun në një skllavëri marramendëse. Me tërë bagazhin e tij intelektual prej një psikologu social, dhe një filozofi neomarksist, që në teorinë e tij u përpoq të sintetizonte perspektiven marksiste me atë frojdiste, Frommi mbetet ndër klasikët më të famshëm të Psikologjisë.

Posted in Recensione dhe botime. Tagged with , , .

5 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

  1. faruk said

    .pershendetje nga faruki jan disa artikuj te shkelqyer ne kete link gjith te mirat..

  2. linda said

    pershendetje me pelqen recensioni i profit shum,por ska dyshim sepse esht ma i miri ardian gola

  3. meti said

    Linda s’ke pas pse te shkruash fjalen “POR”, sepse kjo i bije se ju paska keni mohuar ne fjaline e pare, ndersa ne te dyten deshet ta beni nje balancim. :)

    Pershendetje

  4. vjosa said

    pershendetje me vjen mire qe nje profesor siq eshte ardian gola ka shtjelluar disa nga temat me te rrendesishme filozofike e sociologjike shpresoj qe shkrimet tuaja te vazhdojn me tutje

  5. geny said

    flm shumm se me ki shpetu me kit permbledhje

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.