Avni RUDAKU, MA*
1.“Decentralizimi në mes të hiperbolës dhe litotës”
Në agjendën e përpjekjeve për stabilitetin politik të të gjitha grupeve minoritare dhe etnike në Kosovë, gjegjësisht për komunitetin serb në Kosovë, ndër idetë qendore të dizajnuara ka qenë ajo që lidhet me “politikat etnike”, “komunitarianizmi” dhe “pjesëmarrjen demokratike qytetare”, “në vendimarrje lokale”, “ekstra-decentralizimin”…Decentralizimi është servuar si projekt i domosdoshëm për të rritur mirëqenien dhe sigurinë e serbëve, duke besuar që kështu “do të bëhet mirë për të gjithë”. Ky proces arsyetohej për të dërguar shërbimin sa më afër nevojave të qytetarit; për integrim të serbëve në strukturat institucionale të Kosovës; për të frenuar ndarjen de jure të vendit; për të qetësuar dhe ndikuar në sigurimin e serbëve; decentralizimi si kompromis politik për të arritur në zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës; për të parandaluar konfliktet ndër-etnike (serbo-shqiptare); si pajtim gjithkomunitar; për të lehtësuar heqjen dorë nga etniciteti dhe në të njëjtën kohë për ta fuqizuar atë…Në fillim të procesit negociator, pala serbe ishte e pakënaqur me llojin e decentralizimit, sidomos me numrin e komunave (duke kërkuar krijimin e komunave të reja dhe speciale), të cilat u rritën gjatë bisedimeve të vazhdueshme. Decentralizmi mori karakter tërësisht etnik dhe territorial. Atëbotë, ishte vetëm një “grup komuniteti që mëtonin të mos nënshtroheshin”, të njohur tashmë si “Vetëvendosje”, të cilët decentralizimin e shihnin ekuivalente me ndarjen e Kosovës dhe të qenurit e Serbisë brenda Kosovës (lexo ang.“in”). Vetëdijësimi qytetar përkufizues për decentralizimin më tepër sigurohej nga “kritikët e rinj” sesa nga Ministria përkatëse e Administrimit Lokal e Komunal. Përkundër papajtueshmërisë së plotë ndaj gjithë procesit të decentralizimit, “Vetëvendosja” arriti të ndihmoj në identifikimin më të qartë të disfavoreve (sigurisht në tërësi ka qenë kundër dhe nuk ka parë avantazhet e decentralizimit) të decentralizimit për opinionin publik kosovar. Me gjithë që kjo lëvizje aktive qytetare gjuhën e kishte dhe e ka akoma të ashpër ndaj decentralizimit si tërësi, herë të njëtrajtshme, etj., në fakt ajo është tregim i ngjashëm me “decentralistët ekstremistë”, të cilët krijuan një atmosferë ngulfatëse për të diskutuar llojin, natyrën dhe karakterin e decentralizimit në Kosovë, që për hesapin tim personal ka glorifikuar decentralizimin skajshmërisht dhe ka mbyllur diskutimin për të kapur dobitë/dëmet e përgjithshme dhe anësore për zhvillimin e qëndrueshëm funksional dhe integrativ të Kosovës. Decentralizimi është hiperbolizuar (stërzmadhuar) për kah rëndësia nga politika kosovare dhe ndërkombëtare, por edhe është litotizuar (stërzvogëluar) dobia e decentralizimit, sidomos nga “Vetëvendosja”.
2. Politikat etnike dhe decentralizimi
Është besuar shumë se zhvillimi i shoqërisë njerëzore kah progresi industrial, infrastruktura dhe ndryshimet urbane-rurale, zhvillimi tekniko-teknologjik, procesi i individualizimit shoqëror në Perëndim, ndërveprimet dhe globalizimi i jetës shoqërore gjithnjë e në rritje, interdependenca dhe domosdoshmëria e të të frymëmuarit e grupeve të ndryshme etnike në një shtet, multikulturalizmi, pluralizmi i shumanshëm, e të ngjashme, akëcilat do të përjashtojnë nga skena relevancën e etnicitetit. Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, moderniteti dhe globalizimi na treguan se sa të fuqishme dhe të ndërlikuara janë identitetet etnike dhe, për këtë qëllim duhet krijuar politikat që janë në përputhje me këto identitete.
“Shkaku i decentralizimit politik dhe në raste të skajshme dukuria e rënies së shtetit janë nxitur gjithnjë e më shumë nga dalja e një lloji të ri politike: politika e besnikërisë etnike dhe identitetit rajonal. Në disa anë, dalja e politikës etnike në tevonën e shekullit XX vjen parallel me daljen e politikave nacionaliste në shekullin XX dhe mund të ketë pasoja të gjera të ngjashme”. (H.Andrew: “Politika”, f.132) Është shumë me rëndësi të kuptohet se si filloi të dal në pah elementi i theksimit të dallimeve etnike edhe në periudhën bashkëkohore moderne. Kjo po ashtu ngjizi të mendohej edhe për “politikat etnike”, të cilat do të jepnin ide dhe qasje të zgjidhjes së problemeve ndër-etnike në vendet multikulturore dhe multietnike. “Rëndësia gjithnjë e më e madhe ndaj ndërgjegjësimit etnik në Perëndim është një dukuri tashmë e pas Luftës II Botërore, në të vërtetë mund të thuhet se e gjejmë në vitet 1960. Gjithsesi, rritja e rëndësisë së etnicitetit në politikë erdhi për çudinë e shumë analistëve. Kjo ishte sepse ishte menduar se moderniteti do të shkaktonte shpërbërjen e dallimeve etnike, ndërkohë që përhapja e vlerave liberal-demokratike do të thoshte braktisje e rivaliteteve atavike dhe solidariteteve komunitare. Gjithsesi në tevonën e viteve 1960 dhe hershmërinë e viteve 1970 grupet secesioniste dhe format e nacionalizmit etnik shpërthyen në shumë pjesë të Evropës perëndimore dhe Amerikës së Veriut. Kjo u pa më qartë në Kebek të Kanadës, Skoci e Vells të Britanisë, Katalonjë dhe zonën baske në Spanjë, Korsikë të Francës dhe Flandër të Belgjikës. Kjo gjë krijoi trysni për decentralizimin politik dhe nganjëherë i parapriu përmbysjeve madhore kushtetuese.” (po aty) Në modernitet lidhjet familjare/farefisnore (lidhjet primare) dukshëm u dobësuan dhe solidariteti ndërmjet antarëve të shoqërisë ndërroi. Prej një “vetëdije të përbashkët kolektive” kaluan në raporte jopersonale dhe anonime. Dhe, kjo nxiti disa autorë, anarkistë, sociologë, e të tjerë, decentralizimin të shihnin si një mënyrë e lidhjes së individit me bashkësinë lokale për të mos humbur nevojën e përkatësisë sociale dhe reduktuar ankthin e vetmisë sociale. “Anarkistët klasikë si Proudhon, Peter Kropotkin (1842-1921) dhe Gustav Landauer (1870-1934) ngritën në qiell virtytet e bashkësive të vogla të decentralizuara ose komunave ku qeniet njerëzore mund t’i organizojnë jetët spontanisht dhe i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes ndërveprimit ballë-ballë. Qëllimet e tilla kanë frymëzuar themelimin e sistemit të kibuceve në Israel. Për anarkistë bashkëkohorë Murray Bookchin (1989), nevoja për një theksim të tillë mbi bashkësinë është më e ngutshme se sa që ishte në shekullin XIX për shkak të natyrës së zymtë dhe të depersonalizuar të jetës moderne të qytetit. Theksimi nga Bookchin-i i “grupeve të afërsisë” si njësia themelore e shoqërisë së re ka ndikuar gjithnjë e më shumë planifikuesit e qyteteve, të cilat i janë larguar idesë së shtrirjes së ndërtimeve dhe kanë filluar të parapëlqejnë në vend të kësaj ndërtimin e “fshatrave urbane”. (po aty, fq.135)
Decentralizimi korrelon edhe me idetë e “komunitarianistëve” të cilët kundërshtojnë idetë e liberalizmit që konsiston në “të mirat individuale” dhe qendërson individin kundrejt interesit të përgjithshëm të kolektivit. “Ideja e bashkësisë është trajtuar edhe nga akademikë si Michael Sandel (1982) dhe Alisdair Macintyre (1981), që e kanë përdor për të ndriçuar dobësinë e individualizmit liberal. Komunitarianistët kanë shtjelluar që në konceptimin e individit si logjikisht paraprijës dhe “jashtë” bashkësisë, liberalizmi thjesht ka legjitimuar sjelljen egoiste dhe e ka ulë rëndësinë e idesë së të mirës publike. Përfaqësuesit e demokracisë liberale kanë demantuar përpjekjet e “komunitarianistëve” të cilët duke vë në pah rëndësinë e komunitetit mund të na shtyjnë në autoritarizëm, organizim tradicional të jetës familjare dhe roleve e detyrave prindërore, si dhë po ashtu të ndikoj në konceptimin gjinor/seksual. ” Përmes shkrimeve të Amitai Etzionit (1995), këto pikëpamje patën ndikim mbi administratën Clinton në SHBA si dhe mbi partitë laburiste dhe conservative të MB-së. Etzioni shtjelloi që fragmentarizmi dhe prishja shoqërore ka qenë në masë të madhe pasojë e “makthimit” të individëve me të drejtat dhe mospranimit të të drejtave dhe përgjegjësive reciproke morale. Kjo tregohet nga e ashtuquajtura “mungesë prindërore”, domethënë braktisja e barrës së prindërve nga baballarët dhe nënat që interesohen më shumë për jetën dhe karrierën vet. Gjithsesi, kritikët tregojnë që duke lartësuar detyrat mbi të drejtat komunitarianistët mund të paraqesin një zhvendosje nga liria individuale drejt autoritarizmit. Për më shumë, marrja me bashkësi, përgjithësisht ka ndërlikime conservative, ngaqë ajo priret të lidhet me përpjekjet për të forcuar institucionet e tashme shoqërore si p.sh. familja. Në këtë formë komunitarianizmi kërkon të legjitimoj status quo-n dhe në rastin e familjes ai kërkon të fuqizoj rolin tradicional të gruas si shtëpiake, nënë dhe kujdestare”.( po aty)
3. Qeverisja qendrore dhe periferia
Gjatë decentralizimit pushteti, detyrat dhe përgjegjësitë shpërndahen nga qendra drejt niveleve lokale, krahinore, komunale. Ndërsa, Qeverisja qendrore mundëson që të jesh i aftë të veprosh në marrëdhëniet ndërkombëtare, të prezentohesh dhe antarësohesh në organizma internacional, të kesh politikë të jashtme, të mbrojtjes, etj. “Hulumtimet kanë treguar se shumë prej nesh nuk janë në gjendje të thonë shumë emra politikanësh të komunës, ndërsa emrat e politikanëve të vendit i njohin në majë të gishtave”.( Kval- Mellbye- Trany: “Politika dhe Demokracia”, fq.85) Po ashtu, qeverisja qendrore dikur kishte gjithçka nën kontroll dhe tendencat liberale-demokratike janë për të minuar këtë qasje totalitare. Ja si shprehet një ndër udhëheqësit komunal për autoritarizmin e qeverisjes qendrore: “Qeverisja komunale ekziston vetëm teoritikisht. Ne qeverisemi nga larg”, - tha Marvin Wiseth, pasi kishte qenë disa vjet me radhë kryetar bashkie në Trondheim”.(po aty, f.92)
Sipas autorit të njohur Andrew Heywood, në librin e tij të përkthyer tashmë edhe në gjuhën shqipe, “Politika”, janë këto avantazhe të centralizimit:
1. Bashkimi kombëtar: Vetëm qeveria qendore nyjëton interesat e të gjitha pjesëve e jo të pjesëve të veçanta, domethënë interesat e kombit, e jo interesat e grupeve vendore, etnike, ose rajonale. Në kontekstin kosovar, ne mund të themi arsyen pse pikërisht decentralizimi ekstrem etnik po thellon ndarjet ndër-etnike dhe po fuqizohet “shteti komunitar”. Me “Projektin e Ahtisarit” Kosova është “shtet i komuniteteve” dhe jo shtet qytetar, sepse po munguaka edhe “kombi qytetar” që nyjëton interesat këtyre komuniteteve. Asnjë komunitet nuk heq dorë nga etniciteti, dhe për këtë shkak duhet qasur me “politika etnike”. “Kosovaristët” e “kombit kosovar”, për këtë shkak e gjejnë zgjidhjen në “ndërtimin e kombit” (Fukuyama), i cili do të ishte mbi “identitetet e veçanta komunitare”. Poashtu na kujtohet edhe qëndrimi i “Vetëvendosjes” se decentralizimi etnik dhe territorial vetëm se po ndan kombin, pra nuk po shkakton ngjizje dhe bashkim kombëtar (vë re: për kombin kulturor). Ose, në rregull decentralizimi, por jo me baza etnike, segregacion e secesion, dhe vetëm nëse qëllimi është që qytetarëve t’i shkoj te dera shërbimi dhe ta kenë më afër.
2. Njëtrajtshmëria: Vetëm qeveria qendrore mund të vendos ligje dhe shërbime publike të njëtrajtshme që ndihmojnë njerëzit të lëvizin lirisht nga një pjesë e vendit në tjetrën. Lëvizshmëria gjeografike ka gjasa të kufizohet kur ka regjime të ndryshme taksash dhe sisteme të ndryshme ligjore, arsimore dhe të sigurimeve shoqërore në vende të ndryshme.
3. Barazia: Decentralizimi ka pengesa që i detyron institucionet vendore të mbështeten në burimet që janë në vendin ose rajonin e tyre. Vetëm qeveria qendore mund të rregulloj pabarazitë që dalin nga fakti se zonat me nevoja më të mëdha shoqërore janë gjithmonë ato me potencialin më të pakët për të nxjerrë të ardhura;
4. Përparimi: Zhvilimi ekonomik dhe centralizimi gjithmonë shkojnë “dorë-për-dorë”. Vetëm qeveria qendore, p.sh. mund të drejtoj një monedhë të vetme, të kontrolloj politikat taksative dhe të hargjimit duke u kujdesur për rritjen e qëndrueshme dhe nëse është e nevojshme, të mundësoj infrastrukturën e duhur në formën e rrugëve, hekurudhave, aeroporteve, e kështu me radhë.
Favoret e decentralizimit:
Shteti modern që përfshin dhjetëra ose qindra milionë qytetarë që qeverisen krejtësisht nga qendra është thjeshtë i pakuptimtë. P.sh. nëse gjithë shërbimet dhe detyrat e qeverisë moderne do të administroheshin nga qendra, pasoja do të ishte kaosi burokratik, duke pasqyruar atë që ekonomistët e qujanë disekonomitë e shkallës (diseconomies of scale);
Pjesëmarrja: Qeveria vendore ose rajonale sigurisht është më e dobishme se qendrorja në dhënien e rasteve që qytetarët të marrin pjesë në jetën politike të bashkësisë së tyre. Përfitimet e zgjerimit të fushës së pjesëmarrjes politike përfshijnë faktin se ndihmon të krijojë një qytetari më të arsimuar dhe më të informuar;
Përgjegjshmëria: Institucionet vendore zakonisht janë më afër popullit dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre. Kjo jo vetëm se forcon llogaridhënie demokratike dhe bën që qeveria t’i përgjigjet jo thjeshtë interesit të përgjithshëm të shoqërisë por edhe nevojave të veçanta të bashkësive të caktuara;
Ligjshmëria: Largësia fizike nga qeveria ndikon pranimin ose drejtësinë e vendimeve të saj. Vendimet e marra në “nivel vendor” ka më shumë gjasa të shihen si të kuptueshme dhe të ligjshme. Në dallim nga kjo qeveria qendrore mund të duket e largët, gjeografikisht dhe politikisht;
Liria: Centralizimi kërcënon ta kthej qeverinë në tirani kundrejt individit. Decentralizimi e mbron lirinë duke e shpërndarë pushtetin qeveritar, duke krijuar me anë të kësaj një rrjet kontrollesh dhe balancash. Trupat vendorë kontrollojnë qeverinë qendrore si dhe njëri-tjetrin. (shih më gjerësisht librin “Politika”, të autorit A.Heywood)
4. Ngërçi ndërmjet “kombit kosovar-etatist”, “kombit shqiptar” dhe “kombit komunitar”
Në Kosovë ky lloj decentralizimi që getoizon, nuk po lejon procesin intensifikues të brendshëm politik të të komunikuarit dhe integruarit të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo pengohet ngaqe shteti i Kosovës nuk është shtet as i shqiptarëve, as i serbëve apo ndonjërit etnicitet tjetër. Kosova është e gjithkujt dhe e askujt. Kosova është shtet i komuniteteve. Kosova nuk është shtet qytetar. Në qendër nuk është as shoqëria e përgjitshme (autoritarizmi), as individi (liberalizmi demokratik), por tendenca për kthim kah “komunitarianizmi”. Në Kosovë, nga Bashkësia Ndërkombëtare është parë se as serbët dhe as shqiptarët nuk mund të imagjinojnë të largohen nga idetë e “kombit etnik/kulturor”. Përkundër që shqiptarët megjithatë janë shumicë (dhe kritere tjera për të qenë faktori determinues), nuk është arsyetuar po ashtu se ata mund të vendosin “tiraninë e shumicës”, por nuk është shpresuar se është zgjidhje e duhur as “tirania e pakicës” (serbëve). Decentralizimi ka shkuar aq thellë sa nuk lejon as ndërtimin e kombit kulturor (Kosova shqiptare) dhe as kombin kosovar (Kosova qytetare). Ne jemi akoma në një “ngërç identitar”. Disa janë optimistë se “kombi kosovar” është “shtatzënë” që mund të abortohet eventualisht vetëm me ndonjë bashkim kombëtar me Shqipërinë. Pas të gjithë kësaj na del një gjë me rëndësi: ta bëjmë shtetin funksional edhe me “politika etnike”, por jo aq sa të dominoj etnizimi i Kosovës. Për serbët e Graçanisës, Parteshit, Varoshit (lagje në Gjilan), etj. mësoj vetëm nga mediat, aty-këtu ndonjë lajm. Por serbët e Kosovës intuitivisht më merr mendja se kanë ndryshuar ndjenjat dhe përceptimet për shqiptarët dhe Kosovën. Edhe ata i nënshtrohen ndryshimeve të natyrshme që ndodhin në shoqëri. Po më kujtohet edhe Herakliti që nuk mendonte se mund të hyjmë dy herë në të njëjtin lumë. Çdo gjë rrjedh dhe ndryshon…Por nuk e dijmë si dhe çfarë ka ndryshuar e mbetur tek serbët e Kosovës, sepse na mungon “mbikomunitarizmi”(kombi shqiptar ose qytetar) dhe na pengon decentralizimi i skajshëm etnik. Pa shije! Përsëri po them, na mungon procesi i brendshëm politik, koheziv, integrues dhe komunikues. Duket të tingëlloj kjo si refren. E di! Por kjo është kënga që duhet të bëhet hit politik!
*Autori është pedagog në Universitetin Fama në Gjilan.
0 Responses
Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.