Skip to content


Sulmi mbi Amerikën: sulm mbi Perëndimin apo kundërpërgjigje ndaj modernizmit? - Recension i librit: ‘Përplasja e qytetërimeve…’ të Samuel Huntington

Fadil MALOKU, PhD*

 

Pas tmerrit dhe lemerisë që e përjetuan qytetarët e Nju Jorkut nga ana e terroristëve të Osama Bin Ladenit, kurse më pas si kundërpërgjigje edhe ata të Kabulit nga bombat e sofistikuara amerikane, thuhet se “asgjë më nuk do të jetë si ka qenë përpara”!? Globalizimi… mori fund?! Kureshtja e njerzëve të rëndomtë nga mbarë rruzulli tokësor ka filluar të kaplohet nga “flaka” e kureshtjes për të mësuar fenomenin e ri të terrorizmit fondamentalist që në “Profecitë e Nostradimusit” (libër i cili po shitet papresedan) dhe profetëve tjerë që prognozuan të “vërtetën” për ardhmërinë e njerëzimit, projektohet si diçka e pashmangshme që do të ndodhë në mileniumin që po hyjmë! Athua për çka në të vërtetë është fjala? A është ky fillim i një “lufte civilizimesh (apo religjionesh – kursivi im), siç do të thoshte filozofi dhe sociologu i njohur botëror Samuel Huntigton, apo është një kundërpërgjigje e re ndaj modernizmit të përshpejtuar të shoqërive përëndimore apo siç quhen shoqërive konsumuese?! T’i hedhim një vështrim, për një moment këtij diskursi të ri në këtë milenium që dosdio po përputhet me trendin e ri të globalizimit.

 

Terrorizmi fundamentalist, do të thonim mund të jetë derivat i gjitha besimeve monoteiste, ngase të gjitha ato konsistojnë në rregulla ekstremisht të ngurta, që në vartësi nga pozicioni i interpretimit dhe shpjegimit marrin konotimet e një forme të re të luftës, luftës mes civilizimeve apo kulturave të ndryshme. Por çka në esencë nënkuptojmë me konceptet civilizim, kulturë, fundamentalizëm kulturor, etj., le të ndjekim elaborimin e Samuel Huntigtonit që u bënë këtyre fenomeneve të reja.

 

Kur Samuel Huntington, profesor i mirënjohur i Harvardit dhe Drejtori i Institutit për studime strategjike John M. Olin, në vitin 1993 e botoi për herë të parë punimin e titulluar ”Ndeshja e Civlizimeve?” në revistën prestigjioze “Foreign Affairs”, pasuan një sëri reagimesh, të cilat sipas redaktorëve të kësaj reviste, nuk mbaheshin në mend në 50 vitet e fundit të shekullit të kaluar! Fitohet përshtypja, nga kjo distancë kohore se kur njerëzit hetojnë nevojën që të reagojnë kështu në numër kaq të madhë, atëherë autori i tij, ose ishte shumë i bindur në ate që kishte thenë ose ishte tërësisht në aut!?

 

Samuel Huntington, i shtyrë nga ky numër kaq i madh i reagimeve publicistike, shkencore e besa edhe publike politike, para saktësisht shtatë viteve boton librin (i cili poashtu do të bëhet objekt i shumë kritikave, por tashmë çuditërisht edhe lavdatave!) me një titull identik:”Ndeshja e civilizimeve dhe ribërja e rendit botëror”.

 

Është interesant se tani, pas titullit të lartëpërmendur, mungonte pikëpyetja e mëhershme e apostrofuar në punimin e parë, që dmth. se në ndërkohë ai bëhet edhe më i sigurt në paragjykimet e tija të mëhershme për mundësit reale të “përplasjes së civilizimeve” botërore! Por, për çfarë paragjykimesh të këtij autori në të vërtetë ishte fjala, që atëbotë e patën tronditur botën me prognozimet pesimiste? Apo cili ishte thelbi i tezave të Huntingtonit, dhe sa në të vërtetë tani pas një distance kohore prej 11 vitesh, ato kanë dalë si të vërteta apo afër të vërtetës së tij?

 

Që në fillim, sa për të informuar lexuesit e nderuar, duhet theksuar se z.Huntigton mendon se: në fund të shek.XX kultura do të bëhet madhësi mesatare e kulturës së një rrethi qytetërues, kulturës së një qytetërimi! Ai me këtë rast faktikisht e identifikon kulturën si koncept dhe veçanti të grupeve apo komuniteteve të caktuara me konceptin e qytetërimit, që në thelb (për mendimin tonë) janë dy kategori të ndryshme…

 

Kultura, përkatësisht qytetërimi, sipas tij është një mënyrë e të jetuarit, përmbledhje e të jetuarit, të besuarit, institucioneve dhe strukturave shoqërore. ” Qytetërimet – thotë ai, janë “ne “ më të mëdhenjtë, brenda të cilës ndihemi në shtëpinë tonë – ndaras nga të gjithë “ata” të tjerët dikund atje”. Qytetërimet, si entitete më të gjera kulturore, kanë karakteristikat e tyre objektive, siç janë: historia, gjuha, feja, tradita, institucionet, pastaj edhe ato subjektive, që paragjykohen përmes vetidentifikimit të njerëzve si pjestarë të një qytetërimi të caktuar.

 

Huntingtoni, në të vërtetë, kur e përmend identitetin kulturor mendon se ai sot sërish është bërë një cilësi dominuese e identitetit personal dhe atij shoqëror, me fjalë të tjera sot, sipas këtij formulimi, njerëzit vetidentifikohën dhe të tjerët “ata “ i identifikojnë ekskluzivisht, si pjestarë të njërit ndër qytetërimet e caktuara, apo thënë më shkurt si pjestarë të njërit ndër tetë (sa edhe ai i identifikon) qytetërimet kryesore të shek.XX. Ato civilizime të identifikuara, sipas Huntigtonit, janë; qytetërimi kinez (apo konfuqian), qytetërimi japonez, qytetërimi hindus, qytetërimi islam, qytetërimi perëndimor, qytetërimi latioamerikan, qytetërimi orthodoks: qytetërimi budist, e ndoshta edhe qytetërimi afrikan.

 

Duke e shikuar këtë identifikim qytetërimesh nga ana e Samuel Huntigtonit, nuk është vështirë të hetohet që numri më i madh i kategorizimit të këtillë i përket apo i përgjigjet në thelb ndarjes sipas kriterit fetar, kriter të cilin autori me qëllim e përdor si mjet identifikues te këto qytetërime.

 

Sipas Huntigtonit, shkaqet ekonomike dhe ato ideologjike, më nuk do të jenë determinantet të cilat do t’i cilësojnë dhe do t’i tërheqin pas vetes turmat e mëdha të njerëzëve, e aq më pak determinante të cilat do t’i ndajnë ata mes vete. Duke iu falënderuar modernizimit të pjesës më të madhe të botës dhe prosperitetit të madh ekonomik të Azisë juglindore dhe Lindjes, antagonizmat mes të pasurëve dhe të varfërve, gjithnjë e më pak do t’i përcaktojnë kahjet themelore të politikës ndërkombëtare. Dobësimi i ndikimit të Perëndimit në skenën globale botërore, në vitet që po vijnë gjithnjë do të vijë duke u rritur. Në anën tjetër, mungesa e luftës së ftohtë mes dy superfuqive do ta zhdukë vijën e demarkacionit lindje-përëndim.

 

Parfimi i tubimit dhe i drejtimit të zhvillimit ekonomik, si edhe ai i bashkëpunimit të botës së sotme, është i përcaktuar si thot Huntingtoni, në rend të parë me limitet e përkatësisë së këtij rrethi apo atij rrethi qytetërues.

 

Duke e ndjekur një rrugëtim të tillë të strukturës dhe të dinamikës së raporteve në botën bashkëkohore, e në anën tjetër edhe të ridefinimit të sferave të ndikimit, do të thonim se reale apo potenciale në botën e sotme do mund të bëheshin si pasojë i së pari tendencave universale të cilitdo qytetërim, e para së gjithash atij përëndimor, pra dëshirës (dhe nevojës?) që parimet themelore të këtij civilizimi (sundimit të ligjit, pluralizmit social, individualizmit, etj.) t’u imponohen vendeve apo qytetërimeve të tjera, si diçka e mirë, e dëshiruar dhe diçka universale, dhe së dyti nga fakti se një numër bukur i madh i vendeve gjendet në vijën e ndarjeve të dy e më rrallë edhe të tri qytetërimeve.

 

Huntingtoni, në këtë rast shfrytzon nocionin e thjeshtë shkencor mbi dridhjet e tokës, për të ilustruar pozicionin e këtyre vendeve të fundit, të cilat gjinden në hapsirën e kryqëzimit të dy anëve.

 

Shtrohet pyetja, sa në të vërtetë është paradigma qytetëruese përcaktuese e marrëdhëdhënieve në botën e sotme, apo sa njerëz në të vërtetë të periudhës postbllokiste mund ta identifikojnë konceptin e asaj që u përket “atyre”, në mesin e atyre “tjerëve” që nuk i ndajnë as muret e qytetërimit (kulturës) përkatësisht fesë? Huntington, është shumë i vetëdijshëm se etnokulturat, në realitet kulturat autonome gjithnjë e më shumë po bëhen cak identifikues i shumicës së njerëzve rreth e përqark kopshtit të Krijuesit. Me siguri, më pak shkaku i pasojave të modernizimit dhe të anomizitetit të përcjellur me raportet e ndërtuara mes njerzëve të ambienteve urbane (mobiliteti i madh hapsinor, etj.), e më shumë shkaku mes tjerash edhe i reakcionit ndaj fenomenit të globalizimit, që dmth. uniformitetit planetar të informative, modës, ushqimit, argëtimit, etj.

 

Në ndërkohë, tjetër çështje, është se ku gjindet në hierarkinë e ndjenjës së përkatësisë dhe besnikërisë së tërë këtij uniformiteti, lojaliteti ndaj qytetërimit që i përkasim, me fjalë tjera, sa mund të jetë e fuqishme ndjenja e (vetë)identifikimit të njerzëve sipas vijës së përkatësisë qytetëruese.

 

I ashtuquajturit sindrom “ne”-“ata”, nuk e ka kuptimin e lojalitetit dhe solidaritetit mes veti. Sot në të vërtetë, ky sindrom i “neve” dhe “atyreve”, më së shpeshti ekspozohet në vetëdijen etnocentrike pra në ndjenjat etnonacionale (siç do të mund të thoshnim ishin rastet e luftërave identifikuese mes serbëve dhe kroatëve; shqiptarëve dhe serbëve; serbëve dhe boshnjakëve, maqedonasve dhe shqiptarëve etnik në maqedoni, etj.). E përbashkët për tërë këtë sindrom, do të thonim është se sa është e fortë ndërlidhja që ushtrohet me paradigmat e quajtura qytetërim mes njerzëve? Ose a mundet qytetërimi si një ndër grupimet më të gjera njerëzore, (disa thonë vetëm më e vogël se raca!?) të shërbejë si mjet identifikimi, apo disi ajo si koncept (kazan) shumë i gjerë i identifikimit të vetvetes është i tepërt dhe si do të thonim i papërthekueshëm për mentalitetet apo identitetet të cilat ende notojnë në ujërat e etnosit, racës, fesë dhe identifikimeve tjera? Kjo për Ballkanin ku janë zhvilluar dhe zhvillohën ende luftëra në baza etnike (prapa të cilit me siguri fshihet ai fetar?!) do të thoshnim, është e paimagjinueshme! Për shkak, përkatësia e identitetit të qytetërimit barierat e etnosit, religjionit, dhe përkatësisë regjionale i shkrinë në një kazan tjetërfare që si identifikim kërkon disa segmente të tjera identifikuese.. Përveç kësaj shumë vende në kuadër të regjionit përkatës, pra të njëjtit qytetërim kanë të shumtën e rasteve; kulturën, mitet, kujtesën historike, etj. si “argumente” kontestuese në mes veti, sa që është vështirë të shkrihen në kazanin e përbashkët të zhvillimit dhe emancipimit ekonomik, politik, religjioz, etj.

 

Ndarjet në mes vetë qytetërimeve ngandonjëherë dinë të jenë aq kundërthënëse, sa që janë më shprehura se sa në mes vetë qytetërimeve (psh. papajtueshmëritë e shprehura mes sunitëve dhe shiitëve në qytetërimin islam; apo ai mes protestantëve dhe katolikëve në krishterizmin përëndimor, etj.)

 

Dhe më në fund vetëdija mbi përkatësinë e një qytetërimi, nuk është e thënë të jetë gjithnjë e njëjtë tek të gjitha qytetërimet. Sot psh. ajo është më e thelluar në islam se sa civilizimit përëndimor, në mes tjerash edhe për shkak se përkatësia e ndonjë shteti (kombëtar), luan rol më të vogël në vetëpërceptimin dhe vetëidentifikimin e anëtarëve të qytetërimit të parë.

 

Duhet cekur se Samuel Huntingtoni shumë mirë e heton se në fund të shek. XX, çështja e identitetit (sërish) fuqishëm fillon t’i preokupojë njerëzit dhe se njerëzit nevojën për identifikimin të vetvetes më me sukses do të mund ta kënaqin në ndjenjat e përkatësisë etnike, se sa në atë të bashkësisë shtetërore, pra të një entiteti politiko-territorial, në mes tjerash edhe për shkak se përkatësia etnike apo ndjenja etnike është më pak racionale se sa bie fjala përkatësia e ndonjë entiteti shtetëror; për shkak se, përkatësia etnike në thelb thirret në të kaluarën dhe është shumë më e qëndrueshme.

 

Sipas Huntigtonit, qytetërimi nuk është asgjë tjetër përveç se një etnos global. Mirëpo, shtrohet dilema: a mos është ende heret të mendohet se vetë etnosi global i Huntingtonit është disi i pamjaftueshëm për t’i globalizuar shumicën e njerëzve të etnoseve të ndryshme, në mënyrë që ata të mund të ndihen psiqikisht e sociologjikisht të identifikuar me të? Si duket, Huntington harron se fuqia apo niveli i identifikimit të njerëzve me qytetërimin që i përkasin varet shumë edhe nga pjesa e territorit se ku gjinden këta njerëz të këtij qytetërimi të përzier me etnose të ndryshme. Psh. njerëzit që jetojnë në thellësinë e Sibirisë, me siguri më pak janë të ndërgjegjësuar për përkatësinë e vetë specifike të orthodoksizmit si qytetërim, se sa bie fjala rusët të cilët të cilët janë të ngulitur kryesisht në pjesët jugore kufitare të këtij vendi.

 

Raca poashtu është një grupim i madh komunitetesh sikurse qytetërimi që si objekt i identifikimit të njerzëve që i ofron dhe i largon ata nga rrënjët e përkatësisë së një qytetërimi, mund t’i konkurrojë seriozisht konceptit Huntingtonian të qytetërimit. Bie fjala, zezakët e qytetërimit amerikano-latin, të cilët e kanë pranuar krishterizmin të shumtën e rasteve më shumë identifikohën me vëllezërit sipas races se sa vëllazërit e civilizimit lationoamerikan përëndimor. Ose p.sh. Australia edhe sot e kësaj dite vuan ekonomikisht nga paragjykimet racore, të cilat janë evidente! Ngase, atje ndarjet demarkative ende sponzorohën në vijën e racës së verdhë dhe asajë të bardhë, e jo të përkatësisë shtetërore, popullësi kjo që në aspektin kulturor, të traditës, religjionit, etnosit, etj. i përket civilizimeve të ndryshme, duke përjashtuar këtu identifikimin e jashtëm se ata i përkasin një civilizimi përëndimor. Thënë më ndryshe, “njerëzit e Azisë”, atje nuk perceptohen si përfaqësues të qytetërimit japonez, konfuqian apo atij budist, por si aziatik, pra si përfaqësues të racës së verdhë!

 

Meqenëse, Samuel Huntigton, në qytetërim gjen, siç shprehet, etnosin global, atëherë politika lokale është një politikë e etnoseve, ndërsa politika globale politikë e qytetërimeve, ku përleshjet e ardhëshme do të ndodhin mes këtyre qytetërimeve. Por ngjarjet e fundit të shekullit të kaluar dhe të fillimit të mileniumit të ri sikur dëshmojnë se politika globale nuk është vetëm politikë që zhvillohet mes qytetërimeve, por parasëgjithash edhe politikë që zhvillohet për shkak të interesave. Në Luftën e Gjiut, bie fjala mes dy vendeve të qytetërimit islamik, SHBA (si personifikim i qytetërimit perëndimor), furishëm e sulmoi Irakun i cili pretendonte të marrë rolin prijës në qytetërimin islam. Në konfliktin e Bosnës dhe atë të Kosovës, qytetërimi përëndimor ishte në anën e boshnjakëve dhe të shqiptarëve, që kurrësesi nuk përputhet me pikëpamjet e profesorit të nderuar të Harvardit. Ai në një prononcim të vetin në gazetat me renome amerikane, intervenimin e NATO-s (lexo; Amerikës!) e patë shquar si joqytetërues dhe anomali të llojit të vetë.

 

Si duket Huntigtoni i ngazëllyer me teorinë e tij të pastërtisë qytetëruese dhe idenë se secili nga qytetërimet e identifikuara nga penda e tij do të duhej t’i përmbajhej “vetvetes”, mendon se SHBA-të gjithnjë e më shumë po rrezikohen përmbrenda pikërisht nga multikulturalizmi i tepruar që ajo u ofron qytetërimeve të tjera! Ai në të vërtetë është ithtar i mendimit se mbyllja hermetike ndaj qytetërimeve është shumë më e sukseshme se sa hapja. Në këtë drejtim, koncepti i shpjegimit të raporteve njerëzore dhe qytetërimeve nga ana e Profesorit nga Harvardi, më tepër i ngjanë një projeksioni të tepruar dhe paragjykues se sa ndonjë kahje të përshkruar me optimizëm. Tekefundit, 11 shtatori e dëshmoi këtë… Kurse kundërsulmet e Amerikës në Afganistan treguan se veprimet ushtarake mund të jenë relativisht të sukseshme e aq më tepër senzibilizuese për qytetërimin e atjeshëm, gjë që u dëshmua edhe nga vetë qeveria amerikane.

 

Shtegëdalja do të mund të gjurmohej në një dialog të ri mes kulturave të ndryshme të vendeve islamike dhe atij përëndimor, në mënyrë që projekti i globalizimit të bëhet më i besueshëm për të gjitha qytetërimet e Huntigtonit. Se a do të mund të arrihet kjo mbetet për t’u parë…

 

*Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës.

Posted in Recensione dhe botime. Tagged with , , , .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.