Skip to content


Demokracia dhe komunikimi politik

Adem BEHA

Thelbi i sistemit demokratik nuk është pushteti, as monologu, por qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai probabiliteti për të abuzuar me të është ma i vogël. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve.

Demokracia

Demokracia do të duhej të siguronte (funksioni normativ) disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia siguron, dhe do të duhej të siguronte, që shekullarizmi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra, siç thotë Claude Lefort, në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ,organ apo parti,askush s’mund të jetë bashkesubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”.

Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor. Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që thotë Talcott Parsons se: pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (aludohet posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit. Në këtë linje argumentimi,sikurse ekomomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje per te fituar para, ashtu edhe politikanet konkurrojne per pushtet ne “tregjet politike”apo te quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli .Kjo realizohet si rezultat i reflektimit të dialogut në mes të dy subjekteve pronare të të drejtave dhe detyrave politike.

Dialogu është kushti sine qua non nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre ne demokraci. Kjo do të thotë që njerezit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog vice-versa, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para nje opinioni publik real, e jo fiktiv apo sic njihet ndryshe publik fantazem. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal-praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdonë e një telepubliku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.

Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes një teknike të përsosur, pra teknikës së arsyetimit të aktveprimeve politike. Arsyetimi i aktveprimeve politike në raport me qytetarin ordianar është pazgjishmërisht i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime ,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore në këtë linjë diskursi është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit dhe nuk del e dhëne njëherë e përgjithmonë. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. .Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku ,kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (telepolitikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.

Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do te duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i aktereve politike) për të qenë legjitim duhet ,ose do te duhej qe vet pushteti të krijon kushte, siç thote LEFORT, ku do të debatohej përkundrejt tij mbi legjitimen dhe jolegjitimen.

Komunikimi politik

Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që Edellman e quan politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik ,sipas tij, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimesionit instrumental dhe dimesionit ekspresiv. Dimensioni intrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyre të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi ,që është karakteristikë e politikës simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është sine qua non për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre.

Në këtë sens, ne jemi te prirë të pyesim: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politike të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra,pyetja e mësipërme sikur ofron edhe gjysmën e përgjigjës. Politika simbolike ,se pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.

Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike etj) dhe telepublikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklames e përdor edhe J.Schumpeter, përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në te njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv te qytetarit përkatësisht konsumuesit te politikës. Qytetari/konsumuesi politik posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së analizës së tij politike, gjykon ne mënyre fëmijërore. Kjo më sipër lidhet me një performancë të ulët mendore të qytetareve në raport me politikën , thote Schumpeter.

Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe telepolitikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezentuesit e politikës, jo politikbërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërënduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive (sidomos gjatë fushatave parazgjedhore) ,e që e tëra akordohet me një telepublik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në total, këto agjenda të bashkrënduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recept, kod apo plan hyjnor që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektualizma, simbole, fraza josubstanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër, pra që ndoshta në intezitet ka të bejë me “maninë e përsosshmërise” së Sartorit apo utopinë e Tomas Morit.

Megjithkëtë, mund te konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës telepolitikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra vis a vis ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet pergjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje. Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura, themi ne, prezentimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipesh, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku. Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, thotë Jens Tenschner, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.

Pra,demokracia është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike parademokratike. Dialogu ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më përshtatshme është fushata parazgjedhore. Telepolitikanët reklamojnë produktet e tyre me ane te komunikimit simbolik ose instrumental, dhe ky komunikim mund të jetë sa manipulues, për shkak te mosveprimit politik (ose veprimit retorik) aq edhe produktiv, për shkak se ata iniciojnë pjesëmarrjen aktive të qytetareve në procesin vendimmarrës. Ekzistimi i një opioni real që do te kontrollonte “produktet’’e telepolitikanëve mbetet, si duket, detyrë permanente e shoqërive demokratike.

Bibliografia

Giovanni ,Sartori, Edhe Një Herë Për Demokracinë. Dituria, 1998.
Schumpeter ,Joseph, Capitalism,Socialism and Democracy. New York,1950.
Arendt,Hanah, Between Past And Future. Onufri,Tirane 1998.
Cloude, Lefort, Demokracia dhe Totalitarizmi. Arberi ,Tirane, 1993.
Goldstein J.G, International Relations. Dituria,Tirane, 2003.
Ferraj,Hysamedin, Shkenca Politike. Pegi,Tirane, 2004.
Mc Lean, The Concise Oxford Dictionary of Politics. OUP,1996.
Revista filozofike dhe sociologjike.
Thema”,nr.11, 1993.
C.Mayer, Lowrence, Politikat Krahasuese. Ora 2003, Tiranë.

Posted in Demokracia.

Tagged with , .


0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.



Some HTML is OK

or, reply to this post via trackback.