Dren ZEKA dhe Gazmend UKËHAXHAJ
Njëri nga aspektet që ndikohet më shumë nga përvojat e së kaluarës së një kombi mes aspekteve të sistemit politik modern është kultura politike. Mbi këtë bazë koncepti i kulturës politike në përgjithësi dhe atij kosovar në veçanti, mund të konsiderohet si njëri nga elementet apo faktorët vendimtarë dhe më të rëndësishëm të cilët ndikojnë në formatin politik të vendit. Diskutimi për këtë në rastin kosovar përbën një element të rëndësishëm dhe me vlerë. Kultura politike e Kosovës si koncept aq i rëndësishëm shoqëror paraqitet edhe si vështirësi e përforcimit nga ana e shoqërisë dhe aktorëve politik të saj.
1
Koncepti i kulturës politike është mjaft i njohur mes studiuesve të shkencave politike të cilët mendojnë se kultura politike është indikatorë shumë i rëndësishëm dhe domethënës në sistemin politik të vendeve.
Lidhur me këtë kontekst të sistemit politik, është diskutuar shumë pas luftës së dytë botërore nga studiues dhe teoricienë të këtij lëmi. Njëri prej këtyre teoricienëve është edhe Lawrence Mayer i cili kulturën politike e ka radhitur, si njërin nga faktorët kryesor që ndikojnë në formimin e identitetit politik të vendeve. Në rrjedha të këtij përkufizimi ai bënë përpjekje për të shpjeguar realisht ndikimin e konceptit në fjalë në sistemet politike të vendeve .
Sipas kësaj teorie faktorët që kontribuojnë në ndërtimin e këtij sistemi janë qëndrimet politike të popujve që sipas teorisë së lartcekur mund të jenë: autoritariste, barazitare dhe respektuese. Qëndrimi autoritarist nënkupton besimin e verbët të qytetarëve për pushtetmbajtësit, dmth ata kanë besim vetëm në një lider dhe mendojnë se ai është i pagabueshëm dhe nuk kërkojnë llogari prej tij. Qëndrimi barazitar konsiston në atë që qytetarët janë të bindur se çdo njëri nga pjesëtarët e tyre mund dhe është në gjendje të qeverisë me vendin. Dhe ai respektues që konsiston në një përzierje mes të parës dhe të dytës.
Pastaj ai thekson se këto veti bëhen pjesë të kulturës politike dhe janë aq të shpeshta në një popull sa mund të quhen tipike dhe merren si cilësi të vet popullit. Kështu kur flitet për qëndrimin e francezëve ndaj diçkaje, nënkuptohet se ky qëndrim është tipik apo karakteristikë për francezët, por jo edhe për një popull tjetër.
Faktor tjetër mjaftë me rëndësi sipas Mayeri-t dhe bashkëmendimtarve të tij janë edhe besimet dhe konceptimet se si mund të jenë gjërat. Mbi këtë bazë, dallohen qasjet pragmatike dhe ideologjike. Qasja pragmatike nënkupton se vendimarësit janë më fleksibil dhe zgjedhin mes rrugëve alternative të politikave publike. Qasja ideologjike përbënë një parim i cili nuk interesohet shumë për rezultatin dhe si ideologji nuk përshtatët me rrethanat që ndryshojnë.
Një faktor tjetër kontekstual i kulturës politike, e cila konsiston në aftësinë e sistemit për të funksionuar dhe për të këmbëngulur në kohë për t`i zgjidhur problemet në mënyrë që të ketë edhe fitues edhe të humbur është ndjenja e identifikimit apo tjetërsimit me regjimin. Po flasim për çështjen nëse qytetari ka prirjen për ta konsideruar regjimin si “NE” apo “ATA”. Kur njerëzit indetifikohen me regjimin, mendojnë se kanë një interes personal për mirëqenën e tij, prandaj ata priren ta pranojnë dhe ta mbështesin regjimin edhe kur disa zgjidhje politike të veçanta bien në kundërshtim me interesat apo preferencat e tyre. Prirja e të identifikuarit me regjimin ka të bëjë me dhënien e legjitimitetit ndaj regjimit, por shkon edhe përtej kësaj. Ajo nënkupton mbështetje pozitive përtej pranimit pasiv të nënkuptuar në konceptin e legjitimitetit dhe manifestohet me shfaqje patriotizmi. Ky identifikim me pushtetin dhe ndjenja e përkatësisë ndaj tij është ajo që sociologët e quajnë: “simpati për sistemin”.
Ndjenja e kundërt, tjetërsimi nga sistemi, shfaqet me mosbesim të theksuar ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe ata publik. Italianët p.sh thuhet gjerësisht se mendojnë se shumica e zyrtarëve politik, duan thjesht të mbushin xhepat pa marrë parasysh interesat e popullit.
Si faktor tjetër, i cili ndërton konceptin kulturor e që bën pjesë në vlerat shoqërore, është edhe konteksti fetar i cili përbën njërin prej indikatorëve shumë të rëndësishëm në vendet e ndryshme nëpër botë. Vendet e shumta kanë shumë grupime fetare të ndara në shumë sekte, të cilat njëherit kanë një rol shumë dominant në frymën politike të tyre.
Feja si faktor shumë dominant ka krijuar edhe shumë ndarje të cilat kanë shpier në shumë konflikte mes shteteve madje edhe brenda për brenda shteteve. Për shembull rasti në Nigeri, Sudan, Indi, apo edhe në Irlandën e Veriut ku problemet e krijuara mes protestantëve dhe katolikëve kanë krijuar probleme me përmasa ndërkombëtare.
Irlanda e Veriut është një shoqëri me ndarje fetare ku të pasurit janë protestant të cilët mbështesin lidhjen me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa katolikët që përfaqësojnë shtresën më të varfër urrejnë lidhjet e tyre me Britaninë dhe u pëlqen të bashkohen me Rep. e Irlandës. Këto ndarje që janë shoqëruar me probleme të kahmotëshme kanë krijuar një kulturë politike rigide në shumë vende dhe si i tillë konteksti fetar ka shumë ndikim në sistemet politike të vendeve të ndryshme.
2
Duke marrë parasysh teoritë e lartëcekura në lidhje më këtë kontekst në vazhdim do të mundohemi që të shtjellojmë kulturën politike kosovare, në dritën e faktorëve kryesor që ndikojnë në formësimin e kulturës politike të një shoqërie.
Qëndrimet politike
Lidhur me faktorin e parë, mund të themi se shqiptarët gjegjësisht kosovarët paraqiten me qëndimin barazitar lidhur me mundësinë e marrjës pjesë të tyre në qeverisje apo vendosje politike. Këtë mund ta argumentojmë me faktin se një pjesë e mirë e popullatës mendon se është e aftë për të marrë role politike apo për të bërë gjykime politike.
Si shkaktar kryesor për këtë mund konsiderohet e kaluara historike e vendit, ndjenja e të okupuarit dhe sundimi nga të tjerët, që paraprakisht e kanë shtyer qytetarin e thjesht për t`u marrë me probleme të kësaj natyre dhe për të qenë vet aktor në zgjidhjën e atyre problemeve politike. Shkaktar tjetër mund të llogaritet edhe synimi i gjithmbarshëm historik i tyre për të dalë nga statusi i të okupuarit dhe realizimin e të drejtës së tyre për vetvendosje, që shpiente në krijimin e bindjes se ballafaqimi me ngjarjët dhe rrjedhat politike është i domosdoshëm, dhe se të gjithë duhet të jenë aktiv dhe kontribues për zgjidhjën e problemeve politike e që ka rezultuar me krijimin e një populli të politizuar.
Megjithatë edhe me arritjen e një objektivi kryesor që populli i kishte dhenë vetës e që ishte dalja nga statusi i të okupuarit, problemet e shumta të cilat u shfaqen pas përfundimit të luftës në Kosovë krijuan parakushtet për ruajtjen dhe vazhdimin e statusit të një populli të imponuar politikisht. Por megjithatë edhe pse ata vazhdojnë të debatojnë në mes veti për problemet politike vërehet se në raste të caktuara ata nuk janë të gatshëm që të reagojnë për t`i zgjidhur këto probleme preokupuese. Kjo mos gadishmëri nuk është krijuar vetëm nga konfuzioni dhe pesimizmi për ngecjen e proçeseve dhe qarkun vicioz në të cilën gjendemi por edhe nga vetë fakti se realisht mungon nje masë kritike e njerëzve që i përkushtohen ndryshimeve dhe, fakt ky që krijon dallimin mes bindjes dhe realitet reth qëndrimin barazitar.
Ideologjia apo pragmatizmi
Për sa u përket besimeve, qytetarët e Kosovës duke përfshirë edhe institucionët udhëheqëse ngjasojnë shumë në konceptin e stilit të dytë. Ky stil përbënë një parim i cili nuk interesohët shumë për rezultatin dhe si ideologji nuk përshtatët me rrethanat që ndryshojnë sepse ata nuk preferojnë zgjedhjen e rrugëve alternative dhe mendimi që diçka sipas tyre është e përkryer ashtu duhet edhe të jetë. Këtë e argumetojmë edhe me faktin e procesit të reformimit të pushtetit lokal në Kosovë, ku pushtetarët vendosën për planin e tyre pa marrë rekomandimet nga pjesa tjeter e të zgjedhurve që në këtë rast ishte në opozitë. Njëherit edhe pa e shqyrtuar mirë se çfarë lloj formati i përshtatet nivelit qytetar kosovar, si dhe pa pranuar plane tjera alternative që ndoshta mund të ishin më efiçente.
Ndjenjat dhe mitet
Kurse sa i përket ndjenjave për pushtetin në rastin e qytetarëve të Kosovës vlen ndjenja e tjetersimit sepse ata parasëgjithash janë më shumë të lidhur dhe ruajn një masë besnikërie për partitë politike e jo për regjimin apo sistemin në fuqi. Kjo mund të argumentohet me faktin se është në traditën e tyre që nga njerëzit të krijohen “mite” dhe këto mite i konsiderojnë si të shenjëta dhe të pagabueshme, që të ngjanë me besimin e verbër e të kaluar paganist. Në këtë drejtim kur partia për të cilën ata ruajn besnikëri është në pozitën udhëheqëse ata e tregojnë një masë të madhe simpatie dhe dashurie, edhe për kundër faktit se ajo shpërputhet ndonjëherë me interesat e tyre. Një ndjenjë e tillë është tipike për traditën kanunore kosovare dhe është e vështirë për tu larguar nga ky popull që ka krijuar një traditë ku besnikërit konkurojnë.
Feja
Në rastin konkret shoqëria kosovare paraqitet si një shoqëri multikonfesionale e cila në krahasim me shumë vende tjera është shumë më pak e fragmtenuar për nga aspekti fetar dhe nga kjo jo shumë me prirje ekstreme fundamentale. Konteksti fetar në Kosovë paraqitet si një element jo shumë me peshë dhe ndikim në rrjedhat politike të vendit. Kjo argumentohet edhe me faktin se kosovarët apo shqiptarët në përgjithësi gjithmonë e kanë abstrahuar veten nga roli i ndikimit fetar në proceset politike të saja. Divergjencat fetare nuk kanë sjellë ndasi grupore kur është paraqitur interesi nacional. Ky element kulturor konkretisht kosovar mund të thuhet se përbën një karakteristikë për shoqërinë kosovare. Në lidhje me këtë koncept kanë kontribuar edhe shumë mendimtar dhe shkrimtar të traditës arsimore dhe kulturore shqiptare. Këtë e bënte edhe PashkoVasa i cili si synim shtytje dhe ruajtje të unitetit ndër popullor shqiptar konsideronte duke i`u drejtuar popullit me porosinë: … “mos shikoni kisha e xhamija se feja e shqiptarit është shqiptaria”.
3
Kultura politike si veti e shteteve është përballur me shumë vështirësi gjatë formimit dhe formësimit të saj. Vështirësitë më të mëdha janë shfaqur sidomos në vendet të cilat gjinden në procesin e tranzicioni politik dhe që luftojnë për demokraci, të cilat paralel me ndryshimet objektive politike duhet njëherit të ndryshojnë dhe reformojnë edhe ndryshimet subjektive apo ato të brendshme shoqërore siç janë: qëndrimet, besimet, ndjenjat dhe vlerat politike.
Ky ndryshim dhe reformim i konceptit të kulturës politike për kosovarët përbën një fazë e cila kërkon një hapësirë të konsiderueshme kohore, dhe krahas me këtë edhe zhvillim të fushave edukativo-arsimore të cilat domosdshmërisht duhet kontribuojnë lidhur me këtë.
Kushti kryesor për reformimin e kulturës politike në Ballkan është heqja e bindjes së verbër ndaj autoritetit dhe përshtatja e njerëzve me idenë se duhet të bëjnë qeverinë përgjegjëse për veprimet e saja politike. Procesi politik që karakterizoi Evropën Juglindore gjatë më shumë se dyzet vjetëve të sundimit komunist mund ta ndërlikoj konsolidimin e demokracisë edhe pse tani ky rajon nuk përkon me atë sundim.
Elaborimet e lartëcekura na bëjnë të kuptojmë dhe të mendojmë seriozisht mbi ndikimin e kulturës në sistemet politike dhe anasjelltas. Kjo e argumenton punën shumë vjeçare të studiuesve të shkencave politike mbi këtë dukuri, polemikat e shumta që ka ngjallur kjo çështje e bëjnë edhe më kompleks fenomenin. Andaj duke marrë parasysh se shkencat politike janë kryesisht një lami e re për ne, mendojmë se duhet t`i qasemi më seriozisht konteksteve të tilla për t`i kuptuar dukuritë që ndodhin. Mendimi se kultura politike e një vendi është e lidhur me regjimin dhe sistemin është më se e sigurt dhe ndonjëherë problemet e shumta që na paraqiten në shoqërinë politike të vendit bazën mund ta kenë pikërisht në kulturën politike që kemi.
0 Responses
Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.