Asdren GASHI
Kalimi nga një shoqëri e mbyllur, ku mungesa ishte ngushëllim për të gjithë, në një shoqëri ku bollëku është i paarritshëm për shumicën, i bën individët të luftojnë jo për vlera postmoderne, se për to nuk bëhet fjalë, por për vlera materiale duke shkelur shpesh vlerat njerëzore.
Shoqëritë, të cilat në fund të vitëve ’80 e filluan tranzicionin, e dinë më së miri se çfarë është politika. Tranzicioni nga një shoqëri e mbyllur, të cilën Gashpar Miklosh Tomash, një përjetues nga afër i tranzicionit, e quan një shoqëri kazermë, konformizmi, planifikimit të përpiktë dhe ku kishte kohezion, rregull dhe disiplinë më tepër se sa ishte e nevojshme. Në një shoqëri të cilën Karl Poper do ta quajë shoqëri e hapur ku mbizotërojnë vlerat e lirisë dhe të barazisë. Proqesi i tranzicionit është koha në të cilën ndërrojnë vlerat shoqërore. Ky ndryshim për shumë vende është i vështirë për të mos thënë i pamundur dhe pambarim. Periudha e tranzicionit është një periudhë dilemash të mëdha. Edhe politika e tranzicionit është në dilemë dhe e dyfishtë. Nëse do t’i personifikonim do të kishim politikën e Karl Shmit dhe politikën e Hana Arendit. Politika Shmindit, është mbizotëruesja e kësaj periudhe, politika e cila operon me teorinë e mikut dhe armikut. Kjo politikë nuk ka një të mesme, ose je mik ose je armik. Nëse je armik do të luftohesh deri në fund me të gjitha mjetet e mundshme. Përkundrazi, politika e Hana Arendt është më e “moralshme”. Arendt nuk e mendon politikën si luftë në mes së mirës dhe së keqes, por si një veprim. Politika Arendtiane është politika e veprimit dhe esenca e politikës për të është liria. Liria për të pas një fillim të ri. Kjo dilemë mes politikës së Shmit dhe politikës së Arendit, apo mes politikës së mirë dhe politikës së keqe, është një dilemë qenësore për këto shoqëri të cilat e përjetojnë tranzicionin. Në këto shoqëri vlerat humbin esencën e tyre. Vlerat të cilat deri ishin qenësore, tashmë janë të dorës së dytë dhe ato, të cilat deri dje nuk kishin rëndësi, dalin në pah. Nëse do të flasim për vlerat e kësaj periudhe, edhe pse ato tashmë kanë ndyshuar, nuk bëhet fjalë ende për vlera “postmoderne”, për të cilat flet Ronald Ingelhard. Përkundrazi, vlerat materiale tashmë kanë karakter më të theksuar. Vlerat materiale për Ingelhardin, janë vlerat e ashtuquajtura themelore si: ekonomia stabile e rritja e saj, siguria e vendit të punës, ruajtja e rendit politik, lufta kundër krimit e kundër ngritjes së çmimeve etj. Me vlerat postmoderne, Ingelhardi kupton orientimin kah vlerat sociale, shpirtërore e intelektuale si shprehja e lirë e mendimit, vlerësimi i ideve më shumë se i parave, qytete të bukura, shoqëri njerëzore etj. Shoqëritë në tranzicion janë shoqëri të cilat nuk kanë arritur ende të sigurojnë këto vlera materiale të domosdoshme për ekzistencë që të kalohet në vlera postmoderne. Kjo është edhe një arsye pse këto shoqëri janë të prirura drejt politikës së Shmidit, sepse kjo politikë u jep mundësi që të operojnë me paradigmat e egra të miqësisë dhe të armiqësisë në kundërshtim më politikën e Arendit, e cila promovon më shumë vlerat postmoderne të tilla si liria e drejtësia.
Shoqëritë e tranzicionit janë përballur në shumicën e rasteve me një tranzicion të dyfishtë. Përveç kalimit nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur, ato përballen edhe me kalimin nga një shoqëri konfliktuoze e luftës, në një shoqëri paqësore. Tranzicioni i këtyre vendeve është shumë më i zgjatur dhe shumë më i egër. Këto shoqëri, në të cilat ndryshimi i vlerave, gjithmonë i vlerave materiale, i ka vënë në pozitë të pangopësisë shoqërore. Tranzicioni i ka bërë shoqëritë që të jenë shumë shpesh të pandjeshme ndaj nivelit të lartë të kriminalitetit, dhunës shoqërore, deformimeve të tjera sociale. Në ditët e sotme nuk janë të pakta ato shoqëri, të cilat kanë përkrahur dhe aprovuar edhe deformime kulturore e gjuhësore pa e kuptuar as vetë pse? Kjo ka ndodhur sepse shoqëritë e tranzicionit përballen me problemin e “urisë”. Egziston një “uri” e papërballueshme në të gjitha sferat jetësore. Kalimi nga një shoqëri e mbyllur ku mungesa ishtë ngushëllim për të gjithë në një shoqëri ku bollëku është i paarritshëm për shumicën i bën individët të luftojnë jo për vlera postmoderne se për to nuk bëhet fjalë por për vlera materiale duke shkelur shpesh vlerat njerëzore. Dilema në mes të politikës së keqe dhe politikës së mirë do të zgjidhet me zgjidhjen e dilemës së vleravë moderne dhe postmoderne. Politika do të bëhet e mirë atëherë kur do të flasim për vlera të tilla postmoderne të cilat, sipas Ingelhardit, theksojnë shprehjen e vetës në vend të nënshtrimit ndaj autoritetit, u japin përparësi çështjeve kulturore edhe kur këto bien në kundërshtim me maksimalizmin e rritjes ekonomike, e i shohin gjërat egzotike e shumëllojshmërinë kulturore si stimuluese e nxitëse dhe jo kërcenuese. Kjo periudhë duket të jetë e largët për shoqëritë në tranzicion. Për shoqëritë të cilat në vend të shprehjes së vetës preferojnë nënshtrimin ndaj autoritetit. Rastet të tilla ka shumë e janë të dukshme. Këto shoqëri, të cilat në vend të përparësisë për çështjet kulturore u japin përparësi atyre gjërave të cilat nuk kanë asnjë rëndësi. Shoqëri, të cilat diversitetin kulturor nuk e kuptojnë si nxitje por si kërcënim, kërcënim serioz për qenien e tyre. Shumë vonë do të kenë një politikë të mirë, “morale”, dhe shumë vonë do të fillojnë të mendojnë për vlerat postmoderne. Jo pse nuk i duan këto vlera por janë shumë të zëna me kuptimin e modernitetit dhe konfliktit të vlerave.
0 Responses
Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.