Marion GAJDA
Nuk është aspak e pazakontë që demokracive Europiane u duhet të përballen me sfida dhe mundësi, që vijnë si pasojë e ndryshimeve te rëndësishme në mjediset e tyre të jashtme. Kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur në të shkuarën dhe, pavarësisht nga kthimet mbrapa te rastësishme (këtu kujtojmë menjëherë periudhën midis dy luftërave botërore), ato kanë qenë shumë më të suksesshme se autokracitë në përballjen me kërcënime të tilla ndaj ekzistencës së tyre. Arsyet për këtë superioritet relativ, studiuesit bashkëkohorë te demokracisë Philippe C. Schmitter dhe Alexander H. Trechsel ne një studim te bere kohet e fundit e shpjegojnë përgjithësisht ne dy pika.
E para, demokracitë gjenerojnë informacion më të saktë rreth interesave dhe pasioneve të qytetarëve të tyre. Ato mund të duken si më të diskutueshme dhe më pak efeciente në plan afatshkurtër – më saktë për shkak të lirive të tyre të të shprehurit, tubimin dhe peticionin - por ato do të jenë më të përgatitura për t’u përballur me ndryshime në preferencat dhe intensitetet individuale, kur u duhet të reformojnë institucionet dhe praktikat e tyre.
E dyta, demokracitë kanë mekanizma të brendshëm të përgjegjshmërisë dhe gatishmërisë, çka nuk i lejon qeveritarët të reagojnë dobët apo në mënyrë të ekzagjeruar ndaj kërcënimeve të tilla të jashtme.
Pavarësisht nga rreziku, shpesh i parë negativisht, i “populizmit”, interesat dhe pasionet e qytetarëve - të filtruara nëpërmjet konkurrencës dhe bashkëpunimit të politikanëve / përfaqësuesve të tyre - zakonisht rezultojnë në përgjigje më të matura dhe më të përshtatshme. Me kalimin e kohës, dhe me shmangie të rastësishme, ata tentojnë të marrin vendime kolektive, të cilat konsiderohen legjitime, edhe prej atyre, që ndikohen negativisht prej këtyre vendimeve. Qytetarët mund të ankohen ndaj qeveritarëve të pavëmendshëm dhe joaktivë, por ata përgjigjen më me lehtësi ndaj asaj çka kërkohet prej tyre, në qoftë se do ta krahasonim me rastet më të përkryera të diktaturave dhe teknokracive, sepse të drejtat e tyre politike janë më të mbrojtura dhe, prandaj, ata kanë më shumë besim se do të jenë në anën e fituesve në të ardhmen.
Dikush mund të thotë se sfidat dhe mundësitë e inkorporuara në kontekstin e sotëm europian janë jashtëzakonisht të ndryshme dhe të forta. Sigurisht që ne jemi të destinuar të jetojmë në “kohëra interesante”, në të cilat norma, shkalla dhe gjerësia e ndryshimit duken te paprecendentë dhe, çka është më e rëndësishmja, përtej kufijve të njësive tradicionale, që kanë dominuar derimëtani peisazhin e saj politik.
Shumica e problemeve të sotme janë ose shumë të mëdha ose shumë të vogla për shtetet sovrane kombëtare të së shkuarës, dhe prandaj brenda Europës janë bërë një numër i pafund eksperimentimesh me krijimin e njësive më të vogla politike apo me integrimin në njësi më të mëdha. Për herë të parë, njohja e nivelit të bashkimit, në të cilin duhet të kryhen reformat, është bërë pothuaj po aq e rëndësishme sa edhe njohja e përmbajtjes së vetë reformave. Pyetja klasike Que faire? duhet të plotësohet me pyetjen Ou faire?
Për më tepër, për arsye se ato vijnë nga një “mjedis relativisht i paqtuar”, demokracitë në fjalë do të hasin vështirësi të mbështeten në masat e “emergjencës” apo në pezullimet “e përkohshme” me qëllim që të realizojë reforma, të cilat hasin në opozitë të fortë. Duke supozuar që qeveritarët do të jenë të tunduar të rrisin sensin e urgjencës duke nxjerrë në pah kërcënime të reja mbi sigurinë dhe përgjigjet ndaj tyre (të tilla si “lufta kundër drogës”, “lufta kundër terrorizmit”, apo “frika ndaj të huajve”), si dhe t’i shfrytëzojnë ato për të zbatuar reforma antidemokratike.
Por shumëllojshmëria e burimeve të informacionit dhe konkurrenca ndërmjet politikanëve duhet ta kufizojnë këtë mundësi në demokracitë, të cilat funksionojnë mirë. Problemi kyç është gjetja e vullnetit për të reformuar rregullat ekzistuese pikërisht me qeveritarët, të cilët kanë përfituar prej tyre dhe që zakonisht nuk mund të detyrohen për të vepruar kështu për shkak të një kërcënimi të jashtëm të fuqishëm në lidhje me sigurinë e tyre apo mbajtjen e postit.
0 Responses
Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.