Skip to content


Si të shpëtohet bota arabe

Fareed ZAKARIA
Përktheu: Adnan Kika

Qasja ‘mos prek’ e Uashingtonit duhet të përfundoj. Hapi i parë për çrrënjosjen e ekstremizmit është të nxiten regjimet për reforma ekonomike.

Gjithmonë ndodhë e njëjta gjë dëshpëruese. Një diplomat i lartë amerikan hyn në njërin prej pallateve të mëdha në Heliopolis, në afërsi të Kajros nga ku presidenti Hosni Mubarak e sundon Egjiptin. Duke ecur nëpër korridore të mermerta dhe madhështore dhe duke kaluar kolonat e rojeve të sigurisë, ai arrin në një dhomë pritjeje formale ku pritet me miqësi të madhe nga presidenti Egjiptian. Dy burrat flasin me përzemërsi për marrëdhëniet e ShBA-ve me Egjiptin, për çështjet rajonale dhe për gjendjen e procesit të paqes ndërmjet palestinezëve dhe Izraelit. Pastaj mysafiri amerikan me stil ngre çështjen e të drejtave të njeriut dhe sugjeron që qeveria e Egjiptit duhet t’i pakësoj disidentët politikë, duhet të lejoj më shumë liri të shtypit dhe të ndaloj së burgosuri intelektualët. Presidenti Mubarak reagon me nervozizëm duke thënë që “nëse e bëj atë që ju kërkoni, fundamentalistët do ta marrin në dorë Egjiptin. A është kjo çfarë ju dëshironi?” Diplomati nuk pajtohet dhe biseda kthehet prapa te zhvillimi i fundit në procesin e paqes.

Gjatë dekadës së fundit, amerikanët dhe arabët kanë pasur shumë shkëmbime të këtilla. Kur presidenti Bill Klinton kërkoi nga Arafati që ta nënshkruaj planin e paqes në Kemp Dejvid në Korrik të vitit 2001, raportohet se Arafati është përgjigjur me këto fjalë, “ Nëse e bëj atë që ju dëshironi, Hamasi do të jetë në pushtet nesër”. Zëdhënësi më i qartë i Monarkisë Saudite Pinci Bandar bin Sultan shpesh ua përkujton amerikanëve që nëse ata i bëjnë shumë presion qeverisë së tij, alternativë e mundshme e regjimit nuk është një demokraci xhefersoniane por një teokraci Islamike.

Kjo frikë—Frika nga Alternativa (FOTA)—e ka paralizuar politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme. Në krahasim me gati çdo pjesë tjetër të botës, ku Shtetet e Bashkuara për tri dekada me radhë kanë bërë presion për reforma ekonomike dhe politike—nganjëherë shumë më ngadalë sesa do të dëshironin demokratët—në këtë rajon ShBA-të i kanë ikur çdo lloj konfrontimi të tillë. Lindja e Mesme është një përjashtim i madh në politikën e jashtme të ShBA-ve.

Rezultatet janë të qarta. Lindja e Mesme sot qëndron në një kontrast të plotë me pjesën tjetër të botës, ku liria dhe demokracia kanë zënë rrënjë gjatë dy dekadave të kaluara. Studimi i fundit vjetor, i nxjerrë së voni në revistën “New York’s Freedom House” zbulon se 75% e shteteve të botës tani janë “të lira” ose “pjesërisht të lira”. Nga shtetet e Lindjes së Mesme vetëm 28% mund të cilësohen si të tilla, një përqindje e cila ka rënë gjatë 20 viteve të fundit. Në krahasim me këtë, më shumë se 60% e shteteve të Afrikës tani janë të lira ose pjesërisht të lira.

Arsyeja fillestare për këtë qasje “mos prek” në Lindjen e Mesme ka qenë nafta, pastaj Izraeli. Shtetet e Bashkuara janë të tmerruara nga perspektiva e kaosit në parajsën arabe të naftës. ShBA-të po ashtu kanë menduar që diktatorët mund të sigurojnë një paqe më të sigurt me Izraelin sesa që këtë mund ta bëjnë demokratët. Por tani, mbi të gjitha, Uashingtoni shqetësohet rreth ndryshimit—FOTA. Monarkët dhe diktatorët janë të zgjuar që gjithmonë të na përkujtojnë që përkundër gabimeve të tyre, ata janë më të mirë sesa alternativa.

Pjesa më e hidhur e kësaj është se është e mundshme që ata kanë të drejtë. Aleatët e Amerikës në Lindje të Mesme janë autokratë, të korruptuar dhe të ashpër. Por prapëseprapë, janë më liberalë, më tolerantë dhe më pluralistë se të tjerët që do të mund t’i zëvendësonin ata. Sikur të ishin mbajtur zgjedhjet me votime në Arabinë Saudite me Mbretin Fahd dhe Osama bin Laden-in, nuk do të mund të veja bast në fitoren e Lartmadhërisë së Tij Mbretërore. Vitin e kaluar princi i Kuvajtit, i nxitur nga Amerika, propozoi që femrave t’u njihet e drejta për të votuar. Por parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike—i mbushur me fundamentalistë islamikë—e refuzoi iniciativën në mënyrë të prerë. Një dinamikë e njëjtë është evidente edhe në mbretëritë e Gjirit Persik që nga Arabia Saudite e deri tek Bahrejni. Në Jordani dhe Marok, pothuaj në çdo çështje politike, monarkët janë më shumë liberalë sesa shoqëritë të cilat ata i sundojnë. Në Autoritetin Palestinez, Hamasi ka më shumë mbështetje popullore sesa që ka Organizata për Çlirimin e Plastinës, e veçanërisht nga të rinjtë. Shumica e këtyre fundamentalistëve islamikë janë demokratë të rremë.

Ata me kënaqësi do të vinin në pushtet përmes zgjedhjeve por pastaj do të vendosnin diktaturën e tyre. Do të ishte një njeri, një votë, një herë. Mendo reagimin e arabëve ndaj video-incizimit të Bin Ladenit. Shumica e qeverive të rajonit menjëherë vërejtën që kaseta dukej se ishte e vërtetë dhe se vërtetoi që Bin Ladeni ishte fajtor. Princi Bandar lëshoi një deklaratë që thoshte, “Kaseta paraqet fytyrën mizore dhe jonjerëzore të një vrasësi kriminal që nuk ka respekt për shenjtërinë e jetës njerëzore ose të parimeve të besimit të tij”. Krahaso këto reagime me ato të klerikut saudit Shaikh Muhammad Saleh, një opinion disidenti që thotë, “Mendoj që ky incizim është i falsifikuar”, ose Abdul Latif Arabiat-it, udhëheqës i Partisë Qendrore Islamike të Jordanisë, Fronti për Veprim Islamik, i cili shpjegoi , “A me të vërtetë amerikanët mendojnë që bota është aq e trashë sa ta besoj që kjo audio kasetë është dëshmi”? Në shumicën e shoqërive disidentët detyrojnë shtetin e tyre që të shikojë shumë dobësitë e veta. Në Lindjen e Mesme, demokratët janë të parët të cilët jetojnë në fantazi, mospranim dhe iluzion. Mediat shtetërore nuk kanë nevojë që të promovojnë teori të çmendura komploti rreth rolit të fshehtë të MOSAD-it në bombardimin e Qendrës Tregtare Botërore ose të fabrikimeve të video-kasetave të Bin Ladenit nga ana e CIA-së. Stacioni “i lirë” televiziv Al-Jazeera e bënë këtë vullnetarisht—dhe publiku e pranon atë me vrull.

Amerika përballet me një problem të çuditshëm. Ne jemi mësuar të mendojmë për demokracinë si diçka të mirë dhe për diktaturën si diçka të keqe, por në Lindjen e Mesme ne përballemi me një botë të kthyer së prapthi. I zënë ndërmjet shteteve autokratike dhe shoqërive joliberale, ngasja është që dikush të heq dorë me zhgënjim dhe të largohet. Në të vërtetë, shumë vëzhgues të urtë kanë bërë pikërisht këtë, duke argumentuar që detyra jonë duhet të jetë thjesht shkatërrimi i Al-Kaidas dhe i grupeve si ajo. Kjo ndoshta i shtynë arabët të mendojnë për shoqëritë e tyre dhe të bëjnë disa pyetje të vështira, por kjo është punë e tyre.

Fitorja ushtarake është me të vërtetë thelbësore. Sipas frazës së Edmund Durkesë, Islami politik radikal është një “doktrinë e armatosur”. Njëjtë si doktrinat tjera të armatosura para tij—fashizmi, p.sh.—ai mund të diskreditohet vetëm atëherë kur të mundet. Kur Adolf Hitleri ishte në ngritje dhe duke përparuar në vitet e 1930-ta, dhjetëra milionë njerëz në Evropë dhe rreth botës admiruan fuqinë dhe vizionin e tij. (Fëmijë të porsalindur në Amerikë latine dhe Turqi emëroheshin Adolf si respekt ndaj tij.) Kur Nazizmi u shkatërrua, ata shpejt e braktisën kauzën e tij. (Fëmijëve u viheshin emra të rinj). Bin Ladeni e kupton shumë mirë fuqinë e suksesit. Në video-incizimin e tij, duke folur për valën e madhe të epërsisë së kauzës së tij pas 11 Shtatorit, ai tha një realitet, “Kur njerëzit e shohin një kalë të fortë dhe një të dobët, nga natyra ata do ta dëshirojnë kalin e fortë”. Amerika duhet të siguroj që njerëzit si Bin Ladeni gjithherë të shikohen si kuaj të dobët, madje më mirë të ngordhur fare.

Shtetet e Bashkuara, duke qenë se kanë shkatërruar ndenjën e suksesit të Bin Ladenit, ato tani kanë mundësinë e veçantë për të vazhduar drejt fitores dhe “ tharjes së moçalit” të ekstremizmit islamik. Kjo nënkupton çuarjen e luftës tek burimi i saj i vërtetë që nuk është Afganistani por Arabia. Uashingtoni nuk mund të ik nga rajoni. Nafta, lidhjet strategjike dhe historia do ta vërtetoj pjesëmarrjen tonë të vazhdueshme. Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë regjimin egjiptian, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë Monarkinë Saudite dhe ne do të vazhdojmë të zhvillojmë negociatat ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve. Pyetja e vërtetë është, a duhet të kërkojmë diçka në këmbim? Shtetet e Bashkuara duke mos i shtyrë këto regjime do të bënin një vendim të vetëdijshëm që ti lënë gjërat të qëndrojnë ashtu siç janë—që dhe njëherë të zgjedhin “stabilitetin”. Por është tmerrësisht e qartë që situata e tanishme është tepër e paqëndrueshme. Madje edhe nëse shikohet nga një perspektivë e ngushtë strategjike, është në interes imediat të Amerikës të mundohet që të bëj regjimet e Lindjes së Mesme më pak të prira për të shtuar fanatizmin dhe terrorin. E vetmja rrugë për të bërë këtë është të bëhen këto regjime më shumë legjitime në sytë e popujve të tyre.

Në fillim të kësaj Shtetet e Bashkuara duhet të shquajnë qëllimet e veta. Ne nuk kërkojmë dëmokraci në Lindje të Mesme—së paku deri tani. Ne së pari kërkojmë atë çka mund të quhet parakusht për demokraci, ose çka unë e kam quajtur “liberalizëm kushtetor”—pushtet i ligjit, të drejta individuale, gjyqe të pavarura dhe ndarje të kishës nga shteti. Në botën perëndimore këto dy ide janë fokusuar së bashku –prandaj janë “demokraci liberale”—por të dallueshme në mënyrë analitike dhe historike. Britania dhe Shtetet e Bashkuara, të dyja kanë qenë të qeverisura nga ligji në të cilin të drejtat e njeriut janë respektuar mirë para se ato të bëhen demokraci të plota elektorale. Ne nuk duhet të presim që ajo e cila mori qindra vite që të ndodhë në Perëndim do të ndodhë brenda natës në Lindjen e Mesme.

Qartësimi i qëllimeve tona imediate në të vërtetë i bënë ato më lehtë të arritshme. Regjimet në Lindje të Mesme do të jenë të kënaqura ta dinë që ne nuk do të mundohemi t’i detyrojmë ato të bëjnë zgjedhje elektorale nesër. Ato do të jenë më pak të kënaqura që ne në mënyrë të vazhdueshme do t’i shtyjmë ato për një sërë çështjesh tjera. Pika strategjike e bisedave me aleatët tanë duhet të jetë që ata ta ndjekin premtimin që “të mos bëjnë dëm”. Monarkia Saudite duhet të jap urdhër për rishikim të plotë dhe të hollësishëm të financimit të saj (publik dhe privat) të ekstremizmit Islamik, që është tani eksporti i dytë më i madh i mbretërisë tek pjesa tjetër e botës. Ajo duhet të frenoj liderët e saj religjiozë dhe edukativë dhe t’i detyroj ata të ndalin së përkëdheluri fanatizmin. Në Egjipt, ne duhet të kërkojmë nga Presidenti Mubarak që të insistoj që shtypi i kontrolluar nga shteti të ndalë deklarimet anti-amerikane dhe anti-semitike, të ndalë mbulimin me lavdi të bombarduesve vetëvrasës dhe të filloj hapjen për zëra të tjerë në vend. Në Katar ne duhet të kërkojmë nga princi, i cili hapi kanalin televiziv Al-Jazeera, që në rrjetin televiziv të tij të paraqiten fytyra të përgjegjshme dhe të moderuara aq sa paraqiten ato ekstremiste dhe simpatizantë të Bin Ladenit. Asnjëra nga këto nuk do ta prodhojë demokracinë, por do ta vonojë përhapjen e zërave dhe pikëpamjeve joliberale.

Të gjithë këta janë hapa të rëndësishëm, por ata janë të përkohshëm, janë përpjekje për të derdhur ujë në një kulturë të zjarrtë. Rruga më e qëndrueshme për reformim do të jetë ajo ekonomike. Përgjatë tri dekadave të kaluara ka pasur një motiv të shquar në progresin e lirisë politike nëpër botë. Ato shtete të cilat kanë kaluar nga diktatura në demokraci me sukses të madh që të gjitha kanë udhëtuar nëpër të njëjtën rrugë, si –Spanja, Portugalia,Kili, Tajvani, Koreja Jugore dhe Meksika.

Regjimet së pari liberalizuan ekonominë, jo pa ndonjë dëshirë për të zgjeruar lirinë por më shumë sepse ato dëshiruan të bëhen të pasura. Por ky ekspansion i lirisë ekonomike pati efekte graduale më të mëdha sesa që u parashikuan. Reforma ekonomike nënkuptoi fillimin e një pushteti të vërtetë të ligjit—kapitalizmi kërkon marrëveshje—hapje ndaj botës, mundësi për të arritur tek informatat dhe ndoshta më me rëndësi, zhvillim të klasës së biznesit.

Karl Marksi ka qenë gabim për shumicën e gjërave, por ai ka pasur të drejt kur ka thënë që një klasë e pavarur e biznesmenëve është çelës për demokracinë liberale. (Natyrisht ai nuk e ka thënë këtë si kompliment). Biznesmenët kanë hise në hapje, në ligje dhe në stabilitet. Ata dëshirojnë që shoqëritë e tyre të modernizohen dhe të ecin përpara sesa të qëndrojnë të mbërthyer në fraksionizëm dhe luftë. Në vend të romancës së ideologjisë, ata kërkojnë realitetin e progresit material. Në Lindjen e Mesme sot ka shumë njerëz të shpenzuar nga ëndrrat politike dhe shumë pak të interesuar në plane praktike. Ka një klasë dominuese të biznesit atje, por është ajo e cila i detyrohet pozitës së vet të naftës ose lidhjes me familjet mbretërore. Pasuria është e feudalizmit, jo kapitalizmit, dhe efektet e saj politike mbesin po ashtu feudale. Një klasë biznesi ndërmarrëse do të ishte forca e vetme më e rëndësishme e ndryshimit në Lindje të Mesme, duke shtyrë përpara të gjitha të tjerat. (Palestinezët, tragjikisht, kanë qenë tregtarët më të mirë të rajonit për një kohë të gjatë dhe ka të ngjarë se do t’i përgjigjeshin me shpejtësi shanseve të reja ekonomike sikur ata të mund të lenin intifadën prapa tyre). Përfundimisht, këtë betejë duhet ta bëjnë njerëzit e Lindjes së Mesme, që është arsye përse atje ka nevojë të ketë disa grupe brenda këtyre shoqërive të cilat thërrasin dhe përfitojnë nga reformat ekonomike dhe politike.

Kjo nuk është një ide aq fantastike sa tingëllon. Atje tashmë ka një aktivitet ekonomik të vërtetë në disa pjesë të Lindjes së Mesme. Jordania është bërë anëtare e WTO (Organizata Botërore Tregtare), ka nënshkruar një marrëveshje tregtie më Shtetet e Bashkuara, ka privatizuar industritë kyçe dhe madje ka inkurajuar përpjekjet tejkufitare për biznes me Izraelin. Egjipti ka bërë disa përparime në rrugën për reformim. Në mesin e shteteve të pasura me naftë, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po mundohen ta largojnë vetveten nga varësia në naftë. Dubai, pjesë e EBA, tashmë e ka ulur përqindjen e naftës në gati 8 përqind të GDP-së së vetë dhe në mënyrë publike ka shpallur qëllimin e vet për tu bërë “Singapori i Lindjes së Mesme”. (Do të kishte qenë mirë ta imitonte tolerancën religjioze dhe etnike të Singaporit për minoritetet). Madje dhe Arabia Saudite e pranoi që ekonomia e saj mund të ofroj vetëm një punë në çdo tre të rinj që po bëhen fuqi punëtore. Në Algjeri, presidenti Abdel Aziz Bouteflika më dëshpërim dëshiron investimet e huaja që ta përmirësojnë ekonominë e tij të copëzuar. Ne duhet ta mirëpresim këtë përpjekje. Nevoja ekonomike mund të jetë nëna e reformës. Por Uashingtoni duhet të insistoj për reformat e vërteta—kode të reja ligjore, rregulla të reja, privatizim—para se të japin çfarëdo inkurajimi FMN-it apo sektorit privat për t’u angazhuar në këto shtete. Më mirë të kesh dy shtete të cilat janë reformiste të vërteta sesa 20 programe mashtruese.

Nëse do të mund të zgjedhnim një vend ku do të mund të bënim presion të madh për reforma, ai duhet të jetë Egjipti. Jordania ka një sundues më përparimtar; Arabia Saudite është më shumë kritike për shkak të naftës së saj. Por Egjipti është shpirti intelektual i botës arabe. Nëse ai do të bënte progres ekonomik dhe politik, do të argumentonte me më shumë fuqi sesa çdo ese ose fjalim që Islami është i përputhshëm me modernizmin dhe që arabët mund të zhvillohen në botën e tanishme. Në Azinë Lindore, suksesi ekonomik i Japonisë tregoi që është një shembull i fuqishëm të cilin të tjerët në rajon e shikuan dhe e ndoqën. Lindja e Mesme ka nevojë për një shembull të tillë të suksesit. (Për këtë, administrata e presidentit Bill Klinton kishte nisur një iniciativë ekonomike të nivelit të lartë për Egjiptin përgjatë këtyre vijave, por regjimi egjiptian qe në gjendje ta ndaloj atë).

Kur ulemi për të biseduar me këto regjime, në mënyrë të pashmangshme ne do të kthehemi tek FOTA, Frika nga Alternativa. Regjimet do të na përkujtojnë që ato nuk mund të bëjnë gjithë atë që ne kërkojmë sepse fundamentalistët do të vijnë në pushtet. Ne nuk duhet t’u besojmë atyre. Pushtetarët e Lindjes së Mesme nuk janë politikanë demokratë që ndjekin atë çka kërkon populli i tyre. Ata janë diktatorë. Në fund të fundit, nëse Mubaraku është aq i afërt me popullin e tij, përse do t’i duhej atij ti arrestonte, torturonte dhe t’i vriste qindra njerëz për të qëndruar në pushtet? Këta njerëz ia kanë frikën një populli të cilin mezi e njohin.

Rëndësinë më të madhe të cilën e ka fundamentalizmi është sepse ai është alternativa—një alternativë mistike, utopike—për realitetin fatkeq të cilin shumica e njerëzve në Lindje të Mesme e jetojnë. Përshtatja e këtyre forcave—për aq kohë sa ato janë jo të dhunshme—ka efektin e zbutjes së tyre, sjelljes së tyre në sistem. Askush nuk po flet për kalimin në demokraci brenda natës. Në Egjipt, për shembull, parlamenti është plotësisht pa pushtet. Deri tani fundamentalistët muslimanë nuk mund të marrin pjesë hapur në zgjedhje për të hyrë në të. Kjo i ka bërë ata më shumë ekstrem dhe ka shtuar reputacionin e tyre si hero të persekutimit. Pak regjime të cilat kanë filluar të lejojnë disa mospajtime mendimesh brenda sistemit—Jordania dhe Maroku—janë në një gjendje shumë më të mirë.

Kudo që fundamentalistët myslimanë kanë qenë të përfshirë në politika të zakonshme—Bagladeshi, Pakistani, Turqia, Irani—shkëlqimi i tyre është shuar. Njerëzit e kanë kuptuar që rrugët prapëseprapë duhet të pastrohen, financat e qeverisë duhet të menaxhohen dhe arsimimi duhet të ndiqet. Mullatë mund të predikojnë, por ata nuk mund të sundojnë. Për këtë arsye, Irani mund të jap shpresën më të madhe për demokraci liberale dhe politikë shekullare në lindje të Mesme. Iranianët janë tani imunë ndaj thirrjes së fundamentalizmit Islamik, duke qenë se kanë jetuar nën sundimin e tij. Mund të marrë edhe një dekadë ose dy dhe një kohë aq e gjatë, në një rrugë—të papërshtatshme—dhe të ngadalshme, është e rrezikshme për shtetet si Egjipti dhe Arabia Saudite. Por nëse këto regjime krijojnë hapësirë politike dhe i detyrojnë armiqtë e tyre fundamentalistë të ballafaqohen më shumë me realitete praktike sesa me vërtitje ëndrrash, ata do ta kuptojnë që kjo nuk bënë tjetër përveç dobësimit të tërheqjes së ekstremizmit. Fundamentalistët Islamik duhet të ndalohen së shikuari si heronj të largët dhe në vend të kësaj të shihen si politikanë lokal.

Tip O’Neill, një politikan i përkryer, tha njëherë që të gjitha politikat janë lokale. Frustrimet e arabëve të zakonshëm nuk janë rreth përleshjes së civilizimeve ose ngritjes së McDonaldsit ose të politikës së jashtme imperiale të ShBA-ve. Ato janë një përgjigje ndaj jetesës nën regjime përçmuese dhe represive me pak mundësi ekonomike dhe pa shprehje të mendimeve politike. Ata e fajësojnë Amerikën për përkrahje të këtyre regjimeve. Ata të cilët mendojnë se ky problem është i veçantë për botën Arabe ose se arabët nuk do të ndryshojnë kurrë, le ta kujtojnë që 25 vite më parë protestat më të fuqishme anti-amerikane kanë ndodhur në shtetet si Kili, Meksika dhe Koreja e Jugut. Arsyet qenë të njëjta—njerëzit urrenin regjimet të cilat i sundonin ata dhe ata e konsideronin Amerikën si mbështetëse të këtyre regjimeve. Më pastaj, këto regjime u liberalizuan, jetët e njerëzve u përmirësuan, reforma politike pasoi atë ekonomike dhe ndenjat anti-amerikane u transformuan në protesta të zakonshme kundër amerikanizimit të kulturës së tyre. Me rënien e Osama Bin Ladenit, ka të ngjarë që Lindja e Mesme do të lëvizë në të njëjtin drejtim; dhuna, ektremizmi religjioz dhe terrorizmi do të largohen nga kultura politike dhe në vend të kësaj, njerëzit e saj mund ti bashkangjiten shqetësimit të pjesës tjetër të botës rreth kërcnimit nga McDonaldsi dhe “BayWatch-i”. Ky lloj anti-amerikanizmi do të jetë një shenjë e një kulture të shëndoshë politike.

Posted in Politikë ndërkombëtare. Tagged with , .

2 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

  1. Ardiani said

    autori i ketij artikulli eshte nje islamofob i njohur prandaj nuk e di pse njerezit shpenzojne kohe per te perkthyer artikuj nga atutor te tille, nese dikuj i japin kenaqesi keto kritika qe i behen islamit dhe muslimaneve atehere persona te tille mund ti kenaqin epshet e tyre duke lexu artikuj ne gjuhen shqipe pa pas nevoj te perkthehen nga autore te huaj sepse kemi me qindra artikuj te tille te cilet jane shkruar dhe vazhdojn te shkruhen nga islamofob shqiptare.

  2. dreni said

    Ardian komenti yt eshte shume i qelluar.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.