Skip to content


Shekulli i unit, dokumentar nga Adam Curtis

Gëzim SELACI

“Ky dokumentar ka të bëjë me atë se si pushtetarët e kanë përdorur teorinë e Frojdit me qëllim që të kontrollojnë turmat e rrezikshme në epokën e demokracisë së masave.” -Adam Kërtis

Kjo seri katërpjesëshe e Adam Curtis e titulluar The Century of the Self hulumton ngritjen e unit konsumues duke e krahasuar me sfondin e dinastisë së Frojdit.

Për shumë, në politikë dhe biznes, ngadhënjimi i unit është shprehje finale e demokracisë, ku pushtetin përfundimisht e ka populli. Sigurisht, populli do të mendojë se është ai që udhëheq, por a është kjo e vërtetë? “Shekulli i Unit” na tregon ngjarjen e pathënë dhe nganjëherë të diskutueshme të rritjes së shoqërisë konsumuese në Britani dhe SHBA. Si është krijuar ky unë konsumator, nga kush dhe për interesa të kujt është krijuar?

Puna e Sigmund Frojdit në botën e errët të nënvetëdijes e ndryshoi perceptimin për mendjen njerëzore dhe mënyrën e funksionimit të saj. Ky dokumentar përshkruan ndikimin e teorive të Frojdit në perceptimin e mendjes njerëzore dhe mënyrën se si agjenci të marrëdhënieve me publikun dhe politikanë e kanë përdorur këtë gjatë 100 viteve për “inxhinierinë e miratimit”. Duke futur teknikën për të zbuluar mendjen e pavetëdijshme, Frojdi siguroi një mjet të përdorshëm për të kuptuar dëshirat e fshehta të masave. Padashur, puna e tij shërbeu si pararendëse e një bote përplot manipulues të opinionit, gjigantë të marketingut ku shoqëria beson se kërkimi i kënaqësisë dhe lumturisë është qëllimi përfundimtar i njeriut.

Dinastia e Frojdëve është në qendër të kësaj historie imponuese. Sigmund Frojd (Sigmund Freud), themeluesi i psikoanalizës; Eduard Bërnejs (Edward Bernays), i cili sajoi profesionin e quajtur Marrëdhënie me publikun (Public Relations) dhe ishte i pari që përdoret teknikat psikologjike në reklamim; Ana Frojd (Anna Freud), bija e përkushtuar e Sigmundit dhe mjeshtri i sotshëm i marrëdhënieve me publikun, nipi i Sigmundit, Mathju Frojd (Matthew Freud). Si stërgjyshi i tyre, të gjithë këta besonin se qeniet njerëzore udhëhiqen nga forca irracionale. Mënyra e vetme për t’u marrë me publikun është t’i adresohesh forcave të tyre irracionale.

Në vitet 1960, një grup radikal i psikoterapeutëve sfiduan ndikimin e ideve të Frojdit në Amerikë. Por, lëvizjet e ndikuara nga kjo ide kishin humbur betejën me komunitetin e biznesit.

Së voni, nga fundi i shekullit XX, ideja se qeniet njerëzore udhëhiqeshin nga forca racionale pati ndikim jo vetëm te korporatat e biznesit, por edhe në bërjen e politikës.

Tani edhe politika, si biznesi më parë, përdor Marrëdhëniet me publikun për të lexuar dhe plotësuar dëshirat tona, për t’i bërë produktet ose fjalimet e tyre sa më kënaqshme për ne. Curtis ngre çështjen e synimit dhe rrënjëve të këtij fakti. Ai citon një bankier të Wall Street-it: “Na duhet ta zhvendosim Amerikën nga kultura e nevojave tek ajo e dëshirave. Populli duhet të mësohet të dëshirojë, të dëshirojë gjëra të reja, bile para se ato të vjetrat të jenë konsumuar… Dëshirat e njeriut duhet të mbizotërojnë nevojat e tij.”

Ky film shpjegon rezultatet e këtij ndikimi në jetën shoqërore dhe politike, dhe se si ndonëse ndejmë se jemi të lirë, jemi bërë robër të dëshirave tona.

Pjesa I: Happiness Machines

Në episodin e parë vihet në pah lidhja në mes Sigmund Frojdit dhe nipit të tij Eduard Bërnejs. Bërnejs sajoi profesionin e marrëdhënieve me publikun në vitet 1920 dhe ishte personi i parë që idetë e Frojdit i përdori për t’i manipuluar masat. Ai u tregoi korporatave amerikane se si mund t’i bëjnë njerëzit t’i dëshirojnë gjërat që nuk iu nevojiten duke i lidhur sistematikisht të mirat për konsum masiv me dëshirat e pavetëdijshme të tyre.

Bërnejs ishte një nga arkitektët kryesorë të teknikave moderne për bindje të konsumatorëve në shkallë të gjerë, duke përdorë të gjitha marifetet e mundshme, që nga miratimi i njerëzve të famshëm dhe marifetet tjera të egra të marrëdhënieve me publikun, e deri te erotizimi i veturës.

Fitorja më famëkeqe e tij ishte thyerja e tabusë së pirjes së duhanit në mesin e grave duke i bindur ato se cigarja ishte simbol i pavarësisë dhe lirisë.

Por, Bërnejs qe i bindur se kjo ishte më shumë se sa një mënyrë për të shitur të mirat konsumuese. Ishte një ide e re politike se si të kontrollohen masat. Duke i kënaqur dëshirat e brendshme irracionale që i kishte identifikuar Sigmund Frojdi, njerëzit mund të bëhen të lumtur dhe kështu të bindur.

Ky ishte fillimi i unit konsumues që mbizotëron botën e sotme.

Pjesa II: The Engineering of Consent

Ky episod shqyrton se si pushtetarët në Amerikën pas Luftës së Dytë Botërore i kanë përdorur idetë e Frojdit mbi të pavetëdijshmen për qëllim të kontrollimit të masave.

Politikanë dhe planifikues përqafuan premisën themelore të Frojdit – se në thellësi të të gjitha qenieve njerëzore qëndrojnë dëshira dhe frikë irracionale dhe të rrezikshme. Ata ishin të bindur se zgjidhja dhe çlirimi i këtyre instinkteve ka çuar te barbarizmi i Gjermanisë Naziste. Që të mos përsëritet kjo, ata sajuan mënyra për të mbajtur nën kontroll këtë armik të fshehur në mendjen e njeriut.

Vajza e Sigmund Frojdit, Ana dhe nipi i tij Eduard Bërnejs, siguruan themelin e kësaj filozofie. Qeveria amerikane, bizneset e mëdha dhe CIA i përdori idetë e tyre për të zhvilluar teknika për të menaxhuar dhe kontrolluar mendjet e popullit amerikan. Por ky nuk ishte një manipulim cinik. Pushtetarët besonin se mënyra e vetme për të vënë në funksion demokracinë dhe për të krijuar një shoqëri të qëndrueshme ishte të shtypet barbarizmi i egër që strehohet nën sipërfaqen e jetës normale të Amerikës.

Eduard Bërnejs thoshte se njerëzve mund t’u shesësh produkte duke njohur ndjenjat e pavetëdijshme të tyre dhe motivimin njerëzor: pse njerëzit sillen ashtu siç sillen, pse bëjnë atë që e bëjnë.

Ernest Ditkër (Ernest Ditcher) mbante diskutime grupore rreth produkteve konsumuese ku bisedohej e komentohej për to dhe dikush vëzhgonte. Një shembull ilustrues i suksesit të diskutimeve të këtilla ishte rasti i tortës “Betty Crocer” e cila ishte një ëmbëlsirë që shitej e gatshme dhe e paketuar e destinuar për t’u konsumuar në shtëpi. Ndonëse pritshmëria e prodhuesit ishte se ky produkt përshtatej me dinamizmin e jetës amerikane dhe jetën e grave që gjithnjë e më shumë po punësoheshin jashtë shtëpie në Amerikën e pasluftës, dhe prandaj shpresonte se do të kërkohej nga konsumatorët, megjithatë ky produkt nuk u shit aq sa shpresonte prodhuesi. Si rezultat i punës me fokus-grup, Ditkër i sugjeroi prodhuesit, që thjesht, në ambalazh të ëmbëlsirës të shkruante se asaj i duhej shtuar një vezë. Pas kësaj, ky prodhim nisi të blihej në masë të madhe nga konsumatorët. Diskutimet në fokus grup kishin vënë në pah se gratë (amvise ose të punësuara) donin të kishin ndjenjën e pjesëmarrjes në përgatitjen e ëmbëlsirës që ia shërbejnë burrit dhe fëmijëve të tyre. Torta e gatshme nuk ua plotësonte këtë ndjenjë (ajo vetëm ua shtonte ndjenjën e fajit për mospjesëmarrje), por veza të cilën ato duhej t’ia shtonin tortës, po.

Pjesa III: There is a Policeman Inside all our Head: He Must be Destroyed

Në vitet 1960, një grup radikal i psikoterapeutëve sfiduan ndikimin e ideve të Frojdit në Amerikë. Ata ishin frymëzuar nga idetë e Uillhem Rajk (Wilhelm Reich), një nxënës i Frojdit, i cili ishte kthyer kundër tij dhe urrehej nga familja Frojd. Ai besonte se vetja e brendshme nuk do të duhej të shtypej dhe të kontrollohej. Përkundrazi, ajo duhet të inkurajohej për të shprehur veten.

Nga kjo doli një lëvizje politike që synonte të krijojë njerëz të rinj e të lirë nga konformiteti psikologjik që politika dhe biznesi e ka ngulitur në mendjet e njerëzve.

Ky episod tregon se si kjo ide është përhapur me shpejtësi ne Amerikë përmes lëvizjeve për ndihmë të vetvetes, siç ishin seminaret trajnues të Ueber Erhardit (Werber Erhard) në një ngritje të pafrenueshme të unit të shprehur: Me generation (brezi i Unit).

Lëvizja e studentëve në vitet 1960 akuzonte biznesmenët amerikanë se po shfrytëzonin analizat psikologjike për të manipuluar ndjenjat e njerëzve dhe për t’i shndërruar ata në konsumatorë. Studentët që e kundërshtonin këtë sistem të kontrollit social, mentor kishin Herbert Markuzen (Herbert Marcuse). Markuze ngrihej kundër keqpërdorimit të psikanalizës dhe idesë së gabuar se e keqja vjen nga individi. Përkundrazi, sëmundja e shoqërisë vjen nga shoqëria e jo nga individi.

Por, korporatat amerikane shpejt e kuptuan se ky unë i ri i rebeluar kundër uniformitetit nuk është kërcënim për ta, por shans i madh. Këta unë të rinj nuk silleshin sipas paragjykimeve të korporatave. Por, edhe këta “unë” dëshironin diçka që shprehte unin e tyre të brendshëm e të veçantë (përmes rrobave të veçanta, unazave dhe stolive unikate, veturave të vogla europiane etj.). Ishte në interes të tyrin t’i inkurajojnë njerëzit të ndjenin se janë individë unikë dhe pastaj t’u shesin mënyra për të shprehur këtë individualitet. Për ta bërë këtë, ata iu drejtuan teknikave të zhvilluara nga psikanalistët frojdianë me qëllim për të lexuar dëshirat e brendshme të këtij uni të ri.

Gjatë procesit, ideja politike e cila i dha shtysë lëvizjes për transformim personal filloi të zhduket. Tani po në pah po dilte ideja se njerëzit mund të jenë të lumtur thjesht përbrenda vetes. Ndryshimi i shoqërisë ishte jo relevant. Vetëm individi ka rëndësi. Nuk ka konsiderata shoqërore. Me rëndësi është që ti të jetosh ashtu si do.

Kështu, këto lëvizje e kishin humbur betejën e politikës.

Një ide po përhapej me shpejtësi në të gjitha shtresat e shoqërisë amerikane: librat dhe programet televizive promovonin idenë se detyra e parë e njeriut është që ai të jetë vetja e tij. Preokupimi me veten u shpërnda në shumicën e popullatës amerikane. Por, pyetja ishte: si të afirmosh veten? Ishte ky momenti kur kapitalizmi amerikan vendosi t’i ndihmojë këta njerëz për të afirmuar veten e tyre, dhe kështu të bëjë shumë para. Gjëja e parë që duhej të bënin ishte të gjenin mënyrën si të futen në kokat e tyre për të zbuluar se çfarë dëshironin këto qenie të reja për të qenë vetja e tyre.

Këtë detyrë e kreu një nga institutet më të fuqishme në Amerikë: Instituti i Stanfordit për Hulumtime (Stanford Research Institute (SRI) në Kaliforni. Psikologë dhe ekonomistë në këtë institut lexonin, matnin dhe plotësonin nevojat e kësaj kategorie të papritur të konsumatorëve. Për ta bërë këtë, SRI kërkoi ndihmën e atij që kishte nisë çlirimin e unit dhe liderit të potencialit njerëzor, psikologut Abraham Maslou (Arbaham Maslow). Ai kishte zbuluar hierarkinë e nevojave ku përshkruante fazat e ndryshme emocionale nëpër të cilat kalonin njerëzit ndërsa çlironin ndjenjat e tyre. Në maje ishte vetafirmimi ose vetaktualizimi e cila ishte një pikë ku individët udhëhiqeshin plotësisht nga vetja dhe të lirë nga shoqëria.

SRI kishte idenë se duke u bazuar në fazat e Maslouit, shoqëria do të mund të kategorizohej në një formë të re: jo duke marrë për bazë klasat, por dëshirat dhe shtysat psikologjikë. Kjo lejonte që njerëzit të shiheshin jo vetëm si të dhëna demografike (mosha, të ardhurat etj.), por të kuptohen motivet themelore të tyre, ashtu që të mund të parashihet se çfarë mënyre jetesë bëjnë (‘life-style’), në mënyrë që korporatat të kenë mundësi t’u shesin gjëra atyre, pra jo duke shikuar në veprimet e tyre, por në vlerat e tyre. Nëse produkti i ri shprehte vlerat e tyre, atëherë ai do të blihej nga ata. Kjo e bëri sistemin e vlerave dhe të ‘life-stylit’ aq të fuqishëm: mundësia për të parashikuar se cilat produkte të reja do të zgjidhen si vetafirmuese.

Psikanaliza si biznes përdorte teknikat e saj jo vetëm për të krijuar modele të konsumatorëve, por edhe të qytetarëve. Kjo kishte të bënte jo vetëm me të mirat e tregut, por edhe të politikanëve që do të zgjidheshin. Në fushatën e tij për president, Regani e përdori këtë duke premtuar liri më të madhe individuale përmes sintagmës “t’ua heqim qeverinë nga qafa” (“taking government of your back”).

Pjesa IV: Eight People Sipping Wine in Kettering

Ky episod shpjegon se si politikanë të së majtës, në Britani dhe SHBA, përdorën teknikat e zhvilluar nga biznesi për të lexuar dhe plotësuar dëshirat e brendshme të unit.

Ronald Regani dhe Margaret Taçeri e përqafuan një filozofi ekonomike që thotë se njësia e gjykimit nuk është vetëm individi por kënaqja personale e individit. Në njëfarë mënyre ky është ngadhënjimi i konsiderimit të individëve si qenie të kulluara emocionale të cilët kanë nevoja dhe dëshira që duhen të kënaqen dhe mund të kënaqen me pavetëdije. Kjo i ka rrënjët tek Frojdi dhe koncepti i nënvetëdijes që thotë se njerëzit janë më pak racionalë, që lundrojnë në këtë det të gjerë të pasioneve dhe frikës për të cilat jemi të pavetëdijshëm. Më tutje, roli i shitësve, përfshirë këtu edhe politikanëve, është t’u përgjigjen këtij vëllimi të madh të pasioneve të pavetëdijshme.

Si Partia e Re Laburiste, nën Toni Blerin, ashtu dhe Partia Demokratike, e udhëhequr nga Bill Klintoni, e përdorën fokus-grupin, që ishte zbuluar nga psikanalistët për të rimarrë pushtetin. Ata filluan t’ia përshtatnin politikat e tyre dëshirave dhe ndjenjave të brendshme të njerëzve, mu sikurse vepronte kapitalizmi me produkte.

Prej kësaj doli një kulturë e re e marrëdhënieve me publikun në politikë, biznes dhe gazetari. Një nga yjet e saj në Britani ishte Mathju Frojd i cili ndoqi gjurmët e kushëririt të tij, Eduard Bërnejs, shpikësit të marrëdhënieve me publikun në vitet 1920. Mathju Frojd, stërnipi i Sigmundit, një konsulltant i marrëdhënieve me publikun, ishte pjesë e përpjekjeve gjatë viteve të nëntëdhjeta për të sjellë përsëri në pushtet demokratët në SHBA dhe laburistët e rinj (New Labour) në Mbretërinë e Bashkuar. Adam Kërtis hulumton metodat psikologjike që atëherë po përdoreshin në politikë. Ai gjithashtu argumenton se rezultati përfundimtar i ngjan shumë vizionit të Eduard Bërnejsit për “Democracity” i prezantuar në Panairin Botëror në Nju Jork në vitin 1939.

Politikanët besonin se po krijonin një formë të re dhe më të mirë të demokracisë, e tillë që me të vërtet iu përgjigjet ndjenjave të brendshme të individit. Por ajo që ata nuk e kuptuan ishte se qëllimi i atyre që fillimisht i kishin krijuar këto teknika nuk ishte të çlirojnë popullin, por të krijojnë një mënyrë të re për t’i mbajtur nën kontroll ata.

Sfondi i kësaj historie

Partia Laburiste e kishte humbur lidhjen me një klasë të konsideruar votuesish: me klasën punëtore. Gu kishte zbuluar se këta njerëz nuk donin të shiheshin si pjesëtarë të ndonjë klase apo grupi por, si individë autonomë që, si konsumatorët, meritonin të respektoheshin dhe të fitonin shërbime më të mira si kundërpagesë e pagesës së taksave. Gu e bëri këtë përmes fokus-grupeve. Njerëzit vërtet kishin ndryshuar. Gu i propozoi Partisë Laburiste që të mos ngrehnin taksat, sepse votuesit nuk do t’i votonin ata, për shkak se kjo nuk ishte në vetinteres të votuesve. Për shkak se e mohuan këtë, kjo parti humbi zgjedhjet në vitin 1992.

Këtë gabim nuk e bëri Bill Klintoni; ai iu adresua klasës së mesme. Nga fokus-grupet, ai kishte mësuar se njerëzit nuk donin të paguanin taksat nëse nuk ishin në dobi të tyre të drejtpërdrejtë.

Për të fituar zgjedhjet, Klintonit i duhej të ndërronte natyrën e politikës së tij. Votuesit e lëkundur (swing voters) të paralagjeve, tani trajtoheshin si konsumatorë. Mënyra e vetme për të rikthyer besimin e tyre ishte të harrohen ideologjitë, kurse politika të shndërrohej në një formë biznesi konsumues. Klintoni u përpoq të identifikonte dëshirat e tyre personale dhe pastaj t’u premtonte se do t’ua realizojë ato. Nëse ai do t’ua plotësonte ato dëshira konsumatoriste, ata do të votonin për të. Dik Morris, një konsulltant i marrëdhënieve me publikun, prej të cilit Klintoni kishte kërkuar këshillë për të rifituar zgjedhjet flet: “(Klintonit) I propozova që në sistemin politik t’i sjellim të njëjtat rregulla të filozofisë konsumatoriste që i ka komuniteti i biznesit. Mendoj se politika duhet t’u përgjigjet dëshirave dhe kërkesave të tregut, mu sikur bizneset. Prandaj, në vend se votuesit t’i trajtosh si objekt, i trajton ata si pronarë; në vend se si diçka që mund t’i manipulosh, i trajton si diçka prej të cilëve mund të mësosh diçka. Në vend se të qëndrosh në një vend dhe t’i manipulosh ata, duhet të mësosh se çfarë dëshirojnë ata dhe t’u përshtatesh atyre dëshirave.”

Për të hyrë në mendjet e votuesve të lëkundur (swing voters) Morris solli marketingun e ‘lifestylit’ në politikë për herë të parë dhe përdori sondazhe dhe fokus-grupe për të zbuluar se cilët janë votues të lëkundur dhe pastaj për t’i identifikuar dëshirat e tyre përkitazi me ‘lifestylin’ e tyre. Detaje të imëta të dëshirave dhe shqetësimet personale të njerëzve, të cilat politika më parë as që i kishte vërejtur a menduar për to, tani u bënë çelësi për të fituar pushtet. Ato kishin të bënin me sigurinë në lagje, pirjen e duhanit. Klintoni i bëri ndryshime duke u mundësuar fëmijëve të mbanin telefona celularë në autobusë shkollorë, në mënyrë që prindërit të ndiheshin më të sigurt, çipa që instalohen në aparate televizive për të ndaluar fëmijët të shikonin pornografi, e kështu me radhë.

Liberalëve në mesin e partisë demokratike nuk u pëlqente kjo qasje. Mendonin, pse do të duhej që politikanët t’u adresoheshin dëshirave aq të imëta dhe të rëndomta personale të njerëzve. Por, arsyetimi i Klintonit dhe Morrisit ishte se nëse nuk i bëjmë kështu i fitojnë votat. Në fushatën e vitit 1996 Rober Rajk (Robert Reich), anëtar i kabinetit të Klintonit prej 1993 deri 1997, flet: “Unë thashë, çfarë rëndësie ka të rizgjidhesh nëse nuk ke mandat për të bërë çfarë dëshiron. Ai mu përgjigj: Çfarë rëndësie ka të kemi mandat nëse nuk rizgjidhemi. A nuk është qëllimi final të rizgjidhemi?!”

Kampanja e Morrisit pati sukses të madh. Duke marrë gjithnjë e më shumë në konsideratë miratimin dhe propozimet e votuesve të lëkundur, ata u bënë diktues të politikës së brendshme dhe të jashtme amerikane. Ky ishte fundi i trashëgimisë së Ruzveltit (Roosvelt) i cili mendonte dhe përpiqej që votuesit t’i bindë të mendojnë dhe të sillen si qenie sociale, dhe jo si individë egoistë vetëm për interesa egoiste. Rajk vazhdon: “Njerëzit që e formuan mendjen e presidentit ishin ata që mendonin se votuesit duhet të shihen si përmbledhje e dëshirave individuale të cilat duhet të kënaqen. Kjo sugjeron se demokracia nuk është asgjë më shumë dhe nuk do të duhej të ishte asgjë më shumë se kënaqje e atyre dëshirave të pamenduara dhe primitive (primitive në kuptimin që madje janë të pavetëdijshme dhe janë vetëm ato që njerëzit i duan për të kënaqur vetveten).”

Po kështu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, dëshirat dhe pasionet e klasës së mesme formësonin politikën e Partisë Laburiste. “Atë që populli e jep, atë mund ta marrë. Ne jemi shërbëtorë, ata janë zotërinjtë tani.” (Toni Bler). Viti 1997 ishte një kthesë në politikën e Britanisë. Është fundi i politikës së elitave që ka mbizotëruar në shekujt e fundit në Britani.

Kurthi i politikës së fokus-grupit dhe demokracia konsumeriste: qytetaria aktive v.s. konsumerizmi

Në vitin 1939, nipi i Frojdit, Eduad Bërnejs krijoi një vizion të një bote të ardhme ku konsumatori është mbret. Është një shoqëri ku nevojat dhe dëshirat e konsumatorëve lexohen dhe plotësohen nga biznesi dhe tregu i lirë. Kjo shoqëri nuk udhëhiqet nga ideologjia ose politika, por thjesht nga vullneti i popullit. Këtë model të demokracisë Partia e Re Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar dhe Partia Demokratike në SHBA e sollën në mënyrë që të fitojnë pushtet. Ata përdorën teknikat e zhvilluara nga bizneset për të njohur dëshirat e konsumatorëve për qëllimet e tyre.

Por në të vërtetë, Berneys për klientët e tij (korporatat e mëdha amerikane) kishte bërë propagandë. Ai vetë nuk besonte se demokracia mund të funksionojë. I ndikuar nga axha i tij, Frojdi, ai besonte se natyra njerëzore nuk udhëhiqej nga mendime racionale, por nga ndjenjat primitive irracionale. Kjo, besonte Bërnejs, domethënë se është shumë e rrezikshme që masat të lihen të kontrollojnë vetë jetët e tyre. Konsumerizmi është t’u lejosh njerëzve të kenë ndjenjën e rrejshme të kontrollit, ndërsa elita të lejohet të menaxhojë shoqërinë. “Nuk drejtojnë njerëzit, por drejtojnë dëshirat e tyre. Populli nuk drejton, sepse nuk ushtron kurrfarë procesi të vendimmarrjes në këtë mjedis. Demokracia është reduktuar nga qytetaria aktive në idenë se publiku është konsumator. Problemi i Partisë së Re Laburiste ishte se i besonte kësaj propagande. Ata besuan në idenë e promovuar nga biznesi se sistemi për të lexuar mendjet e konsumatorëve do të formësojë një demokraci të re. Por ajo çfarë iu mundësoi bizneseve përkitazi me produktet, e shpuri Partinë Laburiste në ngatërrime dhe kontradiktë të dëshirave dhe vullneteve. Shembull: sipas rezultateve nga analizat e fokus-grupeve, linjat hekurudhore nuk ishin një nga prioritetet e shoqërisë, prandaj partia nuk kishte një program investimesh në këtë fushë. Fatkeqësi të shumta në komunikacionin hekurudhor ndikuan që populli, i cili më parë nuk kishte kërkesa përkitazi me komunikacionin hekurudhor, të akuzonte qeverinë pse nuk kishte bërë investime për mirëmbajtjen dhe modernizimin e linjave hekurudhore.

“Problemi i politikës së fokus-grupit është se njerëzit janë kontradiktorë dhe irracionalë dhe se nuk mund të vendosësh se çfarë do të bësh. Krejt çfarë bën është se dëgjon një masë të opinioneve individuale jokohorente dhe të pa vëna në kontekst. Prandaj njerëzit kërkojnë shërbime publike më të mira, por nuk janë të gatshëm të paguajnë më shumë taksa për këto shërbime më të mira, ngase edhe nuk janë të sigurt se ato para do të shfrytëzohen drejt. Kështu, përfundon në një qorrsokak ku politikani duhet të thotë: Shiko, kjo është ajo që unë besoj: unë besoj se duhet të paguash pak më shumë taksa për shërbime më të mira publike dhe betohem se do t’i përdorë ato para me mençuri. A do të votosh për mua, a jo! Ky është gabimi i Blerit. Ai reagonte ndaj asaj që njerëzit besonin, që siç e thamë është absurditet jokoherent. Kjo ishte e tëra që Bleri e ofronte. Pastaj çuditej pse njerëzit nuk e votonin atë. Nuk e votonin, sepse thjesht ata kërkonin dikë që ua realizon ato që vetë nuk mund t’i realizojnë dhe, sepse nuk kishin një opinion koherent politik.”

Partia Laburiste u përball me dilema. Sistemi i demokracisë konsumeriste që e kishin pranuar i kishte çuar në një grackë të politikave afatshkurtëra dhe shpesh kontradiktore. Ata tani duhej të shfrytëzonin pushtetin për t’u marrë me problemin e pabarazisë shoqërore. Por për ta bërë këtë, ata duhej t’i apelonin elektoratit të tyre për të menduar matanë interesit të tyre egoist. Kjo ishte sfidë për pikëpamjen frojdiane mbi natyrën e qenies njerëzore, si individë egoistë të udhëhequr nga instinkte, koncept ky për qenien njerëzore i formësuar dhe i zhvilluar nga komuniteti i biznesit, ngase prodhon konsumatorë idealë.

“Kemi dy pikëpamje për natyrën njerëzore dhe demokracinë. Kemi pikëpamjen se njerëzit janë irracionalë dhe se udhëhiqen nga emocione të pavetëdijshme/nënvetëdijshme. Kjo pikëpamje rrjedh drejtpërsëdrejti nga Frojdi. Bizneset kanë zhvilluar teknika për të njohur këto ndjenja dhe për t’i përmbushur ato: cilat janë simbolet, muzika, fjalët që i josh këto ndjenja të nënvetëdijshme. Politika duhet të jetë më shumë se kaq. Politika dhe lidershipi duhet të përfshijë publikun në debate dhe diskutime racionale për atë se cila është më e mira dhe t’i trajtojë njerëzit me respekt në kuptim të zotësisë së tyre për të marrë pjesë në debate racionale mbi më të mirën. Nëse nuk është kështu, nëse është frojdiane, nëse synon vetëm t’u përgjigjet ndjenjave të nënvetëdijshme të cilave iu përgjigjet biznesi, atëherë pse nuk e lejon biznesin ta bëjë këtë punë. Biznesi e bën këtë më mirë. Di ta bëjë këtë më mirë. Kjo është puna e tij. Biznesi ka për detyrë t’u përgjigjet këtyre ndjenjave.”

Posted in Media. Tagged with , , , .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.