Skip to content


Problemi kulturor në trendet e zhvillimeve demokratike të shekullit tonë

Avni AVDIU*

Karakteri kontraverz që është imanent te shumë kultura botërore është një rreth kontinum kohoro-hapësinor sajimesh të parenditura që nuk subordinohen nën projekte të sistematizuara në bazë të një plani. Ai përshkohet nga parregullsi inventive që hapërojnë në shtegun e garimeve konkurrente. Vlimi kulturor përbëhet nga krizat, konfliktet dhe kundërthëniet midis tendencave kritike dhe disparative. Zhan Mari Domena Europën bashkëkohore e përkufizon në mënyrë bipolare, si kontinent i të jetuarit në ambiguitet, meqë autoproblematizimi dhe autokritika janë thelbi i kulturës europiane. Ky mbështjellës europocentrik nuk ka qenë sikurse kulturat e egra të Morganit ose Levi Strosit të prangosura në rrethin vicioz të ndonjë komuniteti, por gjithnjë ka përfshirë horizonte interkontinentale (si p.sh, figurat: Edipi, Fausti, Tartufi, Robnson Kruzo etj). Këtë Edgar Moreni e quan dialogjikë, duke synuar t’i shkrijë dy terme dialog dhe dialektikë. Përderisa Moreni në diversitetin dhe antagonizmin e saj, sheh bazën e shvillimit të kulturës europiane, Krist Simonsuri aty sheh tragjikën e saj-bazën e përçarjeve dhe të kontradiktave.

Dominimi i “perëndimores” si nocion, model dhe paradigmë imponon në mënyrë implicite idenë se edhe kultura ngërthen në vete vetë modernitetin perëndimor.

Franc Fanoni e derivon kulturën si manifestim të vetëdijes kombëtare. Shikuar nga ky kënd, varfëria e popullit, shtypjet shoviniste dhe pengimi i zhvillimit të kulturës në pushtetet autoritare - totalitariste, e bëjnë kulturën të ngurtësuar - rigide, të fundërsuar dhe të asfiksuar. Andaj, lufta për ekzistencën kombëtare e çliron kulturën dhe ia hapë asaj perspektivat krijuese. Më pastaj kombi ia siguron kulturës kushtet dhe hapësirën e zhvillimit. Kombi akumulon elemente të ndryshme që janë të dobishme dhe të domosdoshme për kulturën, sepse vetëm në saje të tyre ajo mund të bëhet e besueshme, e vlefshme, dinamike dhe krijuese. Pikërisht karakteri kombëtar i kulturës e bën të mundshme të ndikojë dhe t’i përshkojë kulturat e tjera. Mirëpo, kultura kombëtare më së tepërmi i drejtohet vetë kombit - njeriut kombëtar, të cilit i zgjojnë ndjenja etnocentrike. Lufta e organizuar dhe e vetëdijshme që e ndërmerr populli i robëruar për çlirim të plotë, përbën demonstrimin më të plotë kulturor. Vetë lufta me rrjedhën e saj, zhvillon drejtime të ndryshme të kulturës dhe hapë rrugë për drejtime të reja. Kombësia bëhet vlerë qënjësore. Në shtetet - kombe që nuk janë nën ndonjë sundim të huaj, organizimi shtetëror orvatet ta centralizojë kulturën kombëtare dhe ta mbajë nën kontrollin e vet. Epoka moderne ka dëshmuar se mbi bazën e një kulture të njëjtë kombëtare, lindin shprehje të ndryshme kulturore si p.sh te shqiptarët (besa) etj.

Një pjesë e kulturës krijuese nuk pranon reduktimin e kulturës vetëm në karakterin kombëtar. Gëte duke i ndenjur besnik në këtë kuptim iluminizmit, i dha epërsi letërsisë botërore. Viktor Hygo predikonte një kombësi europiane. Stendali e shpallte ndjenjën kombëtare të kundërt me natyrën. Bajroni ndahet nga kombi i vet dhe bëhet shkrimtar i Europës. Sipas Pushkinit, vepra artistike nuk ka atdhe. Së këndejmi edhe njëra nga shkaqet thelbësore të paraqitjes së larpurlartizmit në Europë ishte refuzimi i funksioneve utilitare d.m.th mosvënia e kulturës në shërbim vetëm të kombit. Një mes do të gjendej në atë që konstaton Klod Levi Strosi se “qytetërimi botëror s’ mund të jetë tjetër veçse një koalicion në nivel botëror të kulturave që e ruajnë origjinalitetin e tyre”. 1

Tokvili mendonte se demokracia në esencë nuk është edhe aq korelat me kulturën. Fryma e demokracisë preferon barazinë ( të drejtën politike përpara ligjit) edhe nëse kjo i kërcënohet lirisë së individit. Ndërkaq, fryma e kulturës ushqehet nga pabarazia e produkteve të veta. Virtyti i demokracisë pra është barazia, kurse virtyti kyç i të gjitha bashkësive të konceptuara pluraliste është toleranca politike. Parimi i tolerimit të tjetrit në këtë kontekst reflekton kulturën politike. Ideja e tolerancës nënkupton edhe garën e konkurrencës së ideve, projekteve dhe iniciativave. Nga aspekti psikologjik tolerancë do të thotë ta durosh tjetrin. Toleranca është parametër inkoherent: atë që sot e tolerojmë nesër mund të mos e tolerojmë. Karl Poperi përkitazi me këtë ngriti një çështje shumë delikate: se si mund ta tolerojmë atë që është intolerant?! Modeli i tolerancës shpie në harmonizimin temporal të antinomive eksplicite të interesave, vizioneve etj.

Halberstem kur bën dallimin ndërmjet fanatikut dhe liberalit thotë se ”për dallim nga fanatiku, i cili beson se e vërteta e tij është absolute, liberali lë vend për dyshim..”2

Problemi kulturor konsiston gjithashtu edhe në zhdukjen e dallimit midis kulturës “së lartë” që u atribuohej klasave sunduese dhe asaj “të ultë” klasave të ulta. Pra “kultura elite” në vorbullin e kësaj tematike potencon botëkuptimin, sipas të cilit vlerat kulturore të shoqërisë gjenden tek elitat dhe jo tjetërkund.

Një çështje tjetër që ia vlen të shqyrtohet këtu është edhe konflikti që vie në shprehje në mes të gjeniut neurotik dhe publikut. Pop arti dhe krijimtaria avangardiste…në vazhdën e rebelimeve romantike, janë sot po ashtu një konflikt me realitetin ekzistues. Dispariteti ndërmjet sistemit demokratik dhe kulturës mund të tërheq transversale që nga Sokrati e deri te Sartri. Apologjia e gjeniut antik sot mund të kuptohet si apoteozë e kulturës politike kundruall demokracisë së brishtë. Gabimin e pushtetit të atëhershëm grek nuk e përsëriti De Goli. Ai refuzoi të nënshkruante një urdhër arresti për Sartrin, që shkelte dekretin qeveritar përkitazi me ndalesën e një gazete. “Mendimi demokratik duket se ka rënë në grackën e kontradiktave të veta”.3 Tashmë qëllimi kryesor që imponon krijimi i sistemeve demokratike anekënd botës është konsolidimi i demokracive të posakrijuara dhe përmbyllja e tranzicionit të demokracive në zhvillim e sipër. Procesi i demokratizimit mund të krijojë probleme si: 1)konfliktin etnik, sepse gara për vota nënkupton përvetësimin e zgjedhësve në baza etnike, fetare, fisnore etj (p.sh ish BRSS dhe RSFJ) 2) luftëra të jashtme. Xhek Shnajder dhe Eduard Menzfiëld në studimin e tyre erdhën në përfundim se në fazën tranzicionale të demokratizimit shtetet bëhen më agresive dhe më luftëdashëse. 3)Demokratizimi ngërthen në vete heqjen e detyrimeve të shtetit ndaj sjelljeve të individëve. Kjo sjell pasiguri dhe konfuzion rreth standardeve të moralitetit. Kësisoj i lëshohet vendi atmosferës imorale. Për rrjedhojë çdo gjë bëhet e pranueshme. Kështu inkurajohet dezintegrimi i familjes, shtohet kriminalitetit dhe në përgjithësi sjelljet patologjike devijante. Trendet demokratike zhveshën maskat e personaliteteve. Sinqeriteti u thye, u shkel dhe u përdhos. Shumë komunistë të dikurshëm brenda natës u bën “demokratë të devotshëm”. Kjo në njëfarë mënyre figurativisht është “ekspoloziv latent” që në çdo fryerje alternative të erës, kërcënon kthimin e të kuqëve. S’ka dyshim se po kjo kërcënon edhe vetë demokracinë. Vlerat demokratike mund të kontestohen edhe në fitoret e partive ekstreme radikale. Ato dëshmojnë se me vota të lira në pushtet mund të vijnë edhe ato forca që synojnë sistemin demokratik. Ndërkaq abrogimi i rezultateve zgjedhore dhe anulimi i fitores së partisë opozitare siç ndodhi më 1992 në Algjeri i vë në dyshim edhe më tepër vlerat e proceseve demokratike. Tekefundit modeli i zgjedhjeve të lira le mundësinë e hapur se përzgjedhja mund të jetë edhe keqzgjedhje. Dikotomia e demokracisë në horizontale :opinioni publik, demokracia elektorale, pjesëmarrëse, e referendumeve dhe ajo vertikale: parimi i shumicës dhe sundimi i pakicës është gjithashtu një mpleksje kryqëzore që më shumë ngatërron sesa qartëson. Zh.Zh Ruso sikur e anticipoi amalgamën që do të krijohej më pas kur u shpreh kundër ligjit që të sundojë shumica dhe që të sundohet pakica. Nuk është shprehur kot Winston Churchil se njëmend demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, por më e mirë se të tjerat. Ndryshe thënë kur s’ka shi, bën edhe breshër. “Demokracia është mënyra më e arsyeshme që ndryshimi të kryhet pa revolucion. Në këtë kuptim ajo është më e frytshme se format e tjera të qeverisjes”.4 Në këtë kontekst”..mjaft autorë shtrojnë pyetjen nëse shfaqja e demokracisë shoqërore është ajo që e shkatërron, në afate të mesme ose të gjata vetë demokracinë”.5

Në këto rrethana sipas Teodor Adornos dhe Maks Horkhajmerit, rikthimi kah kultura tashmë mbetet dhe duket vetëm një mall. Teknika e ka në dorë njeriun jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Sot njeriu i civilizuar ëndërron për objekte përdorimi më të mira dhe më cilësore. Fajtor për këtë nuk është racionalizmi i botës, por iracionalizimi i këtij racionalizmi. Teknika nuk është më tehné, por dues machina e dramave të Euripidit. Ajo mund të shihet nga një anë si instrument për zgjidhen e problemeve të ekzistencës, por nga ana tjetër si iluzore, atomizuese e personalitetit njerëzor. Si kulturë ka rol humanizues dhe si kontrakulturë ka rol dehumanizues. “Sot me gjasë duan ta racionalizojnë njeriun për zhvillimin teknik dhe jo zhvillimin teknik për njeriun”.6Teknizimi kulturor bën riprodhimin e artit në disqe e videokaseta, DVD, plasimin përmes internetit dhe pajisjeve tjera. “Kultura masive (shtypi,radioja,Tv, kinemaja..) paralajmërojnë marrëzisht dhe fëmijërisht një qytetërim të kënaqësisë”.7 Këtu nuk dihet se a humb apo fiton më shumë kultura. Sido që të jetë ajo sot pulson me ritme të reja dhe të tjera. Në horizont janë shtrirë probleme të shumta me përmasa dhe dimensione të mëdha. Qasja për studimin, analizimin dhe zgjidhjen e tyre gjithashtu kërkon alternativa tjera shumë më serioze. Në vazhdë të kësaj edhe synimi duhet të jetë i qartë :”afirmimi i vlerave dhe anashkalimi i pseudovlerave”. Mirëpo pikërisht kjo çështje është ndër më të vështirat, sepse pseudovlerat me formacionin e shundit dhe kiçit vërshojnë duke pushtuar shijet e auditorit. Ato janë më të kërkuarat dhe më të shiturat. Rrjedhimisht interesimi për vlera të mirëfillta ka rënë, meqë ato nuk çmohen sa duhet dhe nuk gjejnë vendin e merituar. Kriteri i vlerësimeve është çoroditur. Edhe njerëzit e artit dhe kulturës kanë filluar të shkasin drejt sindromit të kiçit dhe shundit. Të pambështetur institucionalisht ata janë lënë nën fatin e mbijetesës vetanake. Andaj edhe zgjidhja për ta nuk ka alternativë. Kaherë është pritur një zë i fortë që do të donte dhe do të dinte të luajë rolin e policit të trafikut, meqë senjat e semaforit veçmë nuk po respektohen. Abraham Moli thoshte: “Askush s’mund të jetë nën pushtetin e kiçit, nëse bëhet i vetëdijshëm mbi ekzistimin e tij”.8 Nëse institucionet përkatëse që merren me mbarëvajtjen e çështjeve kulturore nuk ndërmarrin diçka, atëherë aspekti kulturor do të goditet vërtetë në palcë nga palaçot e snobizmit. Obskurantizmi kulturor po i bie këmbanës së vet, ai duhet të trokasë në ndërgjegjet e fjetura. Gjërat duhet të kanalizohen drejt rrjedhave të mbara dhe duhet të kristalizohen ashtu siç u ka hije. Kultura është vlerë shpirtërore, andaj nuk ka lojë me të, sepse siç thoshte me të drejtë Sokrati më rrezik është të konsumosh kontrakulturë sesa ushqim të prishur, sepse nëse helmohesh nga ushqimi të shërojnë mjekët,por po që se helmohesh në konsumimin e gjërave të pavlera, atëherë vështirë se mund të shërohesh. Për këtë shkak duhet pasur kujdes që opinionit t’i ofrohen vlera. Arnold Hauzer, sociolog i njohur i kulturës dhe artit, për këtë gjë thotë: “për strukturat sociale të artit përgjithësisht janë të rëndësishme shtresat shoqërore, të cilave u dedikohet arti, më tepër sesa shtresës së cilës i takojnë autorët e saj. Sado të jenë të ndryshme qarqet nga të cilat rrjedhin artistët, veprat e tyre, prapëseprapë, kanë rëndësinë e shtresës për të cilën ato dedikohen. Motivet artistike mund të ngriten nga populli - gjë që edhe në praktikë shpesh ndodhë, lëshohen në qarkullim të popullit nga shtresat e larta, por për rëndësinë e tyre sociale prapëseprapë gjithnjë është evident publiku të cilit i drejtohen producentët”. 9 Është në interes të të gjithëve që vlerat kulturore të avancohen gjithnjë e më tepër. Ngecja e tyre është njëherit edhe stagnim i hapërimeve të mëtutjeshme të një populli drejt afirmimit të tij. Secili popull duhet të kultivojë diçka të vetën që të jetë e pëlqyeshme për t’u përvetësuar edhe nga ndonjë popull tjetër. Nën optikën e zhvillimeve moderne kjo nuk është vetëm kërkesë, por edhe domosdoshmëri.

Referencat:

1) Claude Levi Strauss, “ Race et histoire” Paris, 1961 ,fq 177
2) Xh. Halberstem “Rasprave o demokratskoj kulturi” fq 375
3) Izajah Berlin, “Idetë filozofike të shekullit XX” fq71
4) Chantal Millon Delson, ”Idetë politike në shekullin XX-të” fq 293
5) Ralf Dahrendorf, “Konflikti shoqëror modern” fq74
6) Edgar Moren, ”Hyrje në një politikë të njeriut” fq 69
7) Edgar Moren, “Hyrje në një politikë të njeriut” fq 92
8) “Gjeneza e kiçit”- revista Jeta e re, nr3, Prishtinë , 1974 fq 539
9) M. Ili?, “Sociologija kulture i umetnosti”, Naucna knjiga, Beograd, 1974. fq9

*Autori është Magjistër i Filozofisë.

Posted in Shoqëri dhe kultura.

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.