Skip to content


Politika bio-politike dhe post-politike: Recension i veprës së Slavoj Žižek, ‘Violence’ (Dhuna)

Adem BEHA


Libri Violence (Dhuna) e autorit Žižek ekzaminon dhunën në botën bashkëkohore: perceptimet, keqperceptimet, e deri tek moskonceptimet totale të disa prej dimensioneve konkrete të saj. Ekzistojnë tipe të ndryshme të dhunës me të cilat shoqëria kapitaliste ballafaqohet sot. Përtej kësaj dhune të jashtme, në këndvështrimin Žižekian sipërfaqet mendimi se vetë shoqëria kapitaliste është shoqëri e dhunshme. Dhuna këtu tipizohet në tri forma – dhunë subjektive, objektive dhe sistemike. Dhuna subjektive përbrendësohet në terror dhe krim; dhuna objektive shtrihet prej diskriminimit, ksenofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes; dhe, e fundit, dhuna sistemike paraqitet pazgjidhshmërisht e lidhur me “efektet ekonomike dhe politike të sistemeve”.


Për Slavoj Žižek, si dhuna subjektive ashtu edhe ajo objektive nuk mund të kuptohen nëse ne reflektojmë për to nga i njëjti pozicion. Ndërsa dhuna subjektive është konceptualizuar si dhunë kundër “nivelit zero të jo dhunës”, ose, me fjalë tjera, si dhunë kundër “gjendjes normale paqësore të gjërave”; dhuna objektive, si një dhunë e padukshme, për filozofin slloven, ekpozohet si një “dhunë e trashëguar në këtë gjendje ‘normale’ të gjërave”. Kjo nënkupton që ajo që ne quajmë “gjendje normale paqësore të gjërave” është e mirëmbajtur në mënyrë të dhunshme. Žižek merr në rishqyrtim rastet e ndryshme si 11 shtatorin dhe konfliktin Palestino-Izraelit – të ashtuquajtura rastet emergjente humanitare – dhe reflekton se si mediat perëndimore kanë raportuar në raport me këto emergjenca. Ai merr një shembull se si vdekja e një fëmije palestinez në Bregun Perëndimor është “mediatikisht e vlefshme mijëra herë më shumë sesa vdekja e një kongolezi të pa emër”. Prandaj, ai bën një pyetje nëse ka ose jo konsiderata/interesime politike përtej asaj që në botën e sotme quhen raste humanitare.


Në këtë konktekst, Žižek mendon se gjithmonë ekzistojnë interesa politike në përkufizimin e atyre që quhen raste humanitare, dhe rrjedhimisht edhe kërkesa për ndërhyrje humanitare nuk mund të kuptohet jashtë kuptimit të interesave dhe konsideratave politike. Žižek propozon që kurdo dhe kudo që ne bombardohemi me këto lloj raste, ne duhet të frenohemi dhe të mendojmë nga perspektiva të ndryshme, por në të njëjtën kohë duke mënjanuar sentimentin e simpatisë për viktimën. Žižek konstaton se si përafrimi dhe të qenurit afër me viktimën pengon në analizimin e rrënjëve strukturore që kanë bërë të mundur që një veprim i tillë mizor të ndodh. Nga kënvështrimi Žižekian, ne duhet të reflektojmë në vend se te reagojmë, dhe ngrihemi kundër diskursit liberal për urgjencën humanitare, që merr formën “Për aq kohë sa t’i lexon këtë paragraf, dhjetë fëmijë do të vdesin nga uria”. Duke reflektuar për këtë, ai është i mendimit se kjo formë e të paraqiturit të fakteve është një abstraktim i pseudo-konkretshmërisë dhe pseudo-urgjencës, e cila i përdor ndjenjat hipokrite, në vend se të krijojë hapësirë që njerëzit të frenohen dhe të kthehen disa hapa prapa, në mënyrë që të mendojmë lidhur me shkaqet dhe rrënjët që kanë prodhuar atë/ato veprim/e.


Cili është problem i Žižekut? Ndërsa reflekton mbi projektin liberal, ai mendon se qëllimi i liberalistëve ishte dhe vazhdon të jetë shkëputja e vëmendjes sonë nga telashet e vërteta. Cila është kjo e vërtetë? Žižek shpjegon atë nëpërmjet një anekdote. Një ushtar gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore viziton Picasson në Paris, dhe atje e sheh Guernikën. Ushtari ishte i tronditur nga kaosi i ekspozuar në pikturë dhe e pyet Picasson “Ju e keni bërë këtë?” dhe Picasso përgjigjet “Jo, ju e keni bërë këtë!”. Kjo do të mund të ishte përgjigja më brutale karshi çdo realitetit brutal kurdo që “bashkësia ndërkombëtare” pyet rreth kaosit dhe trazirave politike prej Palestinës në Somali, prej Bosnjës dhe Hercegovinës në Kamboxhë, dhe prej Kosovës deri në Irlandën Veriore.


Veç kësaj, në lidhje me atë që këtu quhet shkëputje nga qendra e vërtetë e problemit (që kryesisht i referohet diskursit liberal), Žižek shpjegon që kjo shkëputje e vëmendjes është e qëllimshme për shkak të faktit se përtej shqetësimeve dhe brengave humanitare qëndron eksploatimi ekonomik dhe social. Për shembull, George Soros është një prej filantropistët më të mëdhenj planetar. Žižek analizon dy fytyrat e tij paralele. Për Žižek, Sorosi është një person që “gjysmën e kohës së punës së tij ia kushton spekulimeve financiare dhe gjysmën tjetër aktiviteteve humanitare – si ndihma financiare për aktivtete kulturore dhe demokratike në vendet post-komuniste, shkruan ese dhe libra – që në fund të fundit i lufton efektet e spekulimit të tij”. Së këndejmi, Žižek konstaton (në këtë rast dhe tjera) që profiti është neutralizuar nga ndihma, e cila është “maska humanitare që fsheh fytyrën e eksploatimit ekonomik”.


Në kapitullin e II, Frikësoju Fqinjit Tënd Sikurse Vetvetes, Žižek në mënyrë sinjifikative përcakton koordinatat e politikës së sotme mbizotëruese si politikë e frikës. Politika e frikës është paradigma e politikës post-politike bio-politike. Ideja prapa konceptit “post-politikë” është ajo e administrimit të politikës, ku përkatësitë ideologjike për shkak të “moçmërisë së tyre” lihen anash. Bio-politika është modeli i politikës i cili është i brengosur me sigurinë e jetërave njerëzore, siç sugjeron edhe vetë koncepti bio. Me një shoqëri post-politike të depolitizuar, mekanizmi i vetëm nëpërmjet së cilës është e mundshme që të mobilizohen njerëzit është frika – frika nga çdokush dhe çdoku – frika nga imigrantët, krimi, praktikave seksuale dhe katastrofat ekologjike. Shoqëritë e sotme liberal demokratike janë duke jetuar, sipas Žižek, nga frika obsesive e ngacmimit. Kjo do të thotë që toleranca liberale është kundërpeshuar nga prania e frikës nga të tjerët. Me fjalë tjera, siç thotë Žižek, “detyra e ime që të jem tolerant është që unë nuk do të duhej t’i afrohem tepër shumë atij, përzihem në hapsirën e tij” - që derivativisht nënkupton që, ne duhet të tolerojmë intolerancën e tij. Rrjedhimisht, fqinjët tonë shndërrohen në armiqë tanë, dhe “ një armik është dikush tregimin e të cilit ju nuk e keni dëgjuar”.


Për më tepër, siç do të shqyrtohet në kapitullin IV, Toleranca si një Kategori Ideologjike, shumica e problemeve kyçe me të cilat ballafaqohet politika sot nuk janë të lidhura me kategorinë e tolerancës/intolerancës, por me problemet e barazisë dhe pabarazisë. Žižek ka theksuar se si dallimet politike – dallime këto që janë të kushtëzuara nga pabarazitë dhe eksploatimet – në politikën kontemporante janë neutralizuar . Këto dallime janë prezentuar si “të dhëna” dhe që nuk mund të “tejkalohen” dhe që rrjedhimisht ato do të duhej të toleroheshin. Ky është kuptimi ideologjik i tolerancës në shoqëritë liberale – “kulturalizimi i politikës”, i cili tokë-fjalësh do të duhet të përmbysej nga “politizimi i kulturës”. Në përceptimin e Žižek, shkaku real i ngritjes së një gjuhe të tillë nga qasja liberale është lidhur me faktin se projekti liberal ka dështuar për të adresuar në mënyrë të duhur zgjidhje politike si ato që kanë të bëjnë me Shtetin e Mirëqenies.


Përmbledhtazi, mund të pohohet që Žižek në mënyrë tej-kritike ka vlerësuar projektin liberal dhe lidhshmërinë e tij me fenomenin e dhunës, dhe kjo perspektivë analitike mund të përdoret gjerësisht në shpjegimin e shoqërive post-konflituoze, ku qasja etno-theksuese luan një rol themeltar në ndërtimin e legjitimitetit dhe kohezionit ndërgrupor.

Posted in Recensione dhe botime. Tagged with , , .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.