Skip to content


Mbi sovranitetin metafizik të Serbisë në Kosovë dhe opinionin e GJND-së

Adem BEHA

Për Carl Schmittin, të gjitha konceptet moderne politike janë koncepte teologjike të sekularizuara. I tillë është edhe koncepti sovranitet, që dikur kishte kuptimin se vetëm Zoti është kandidat i pakontestuar që trupëzonte të drejtën absolute të sundimit të njerëzve. Schmitt, në libërthin e tij Political Theology: Four Chapters on the Concept of Sovreignty sekularizon këtë koncept, duke e kontestuar kandidaturën e Zotit si Sovran mbi njerëz. Për të, ‘sovran është ai që vendos për gjendjen e jashtëzakonshme’(Schmitt, 1985). Sovrani është tokësor dhe ai duhet të ketë pushtet të pakontrolluar. Ky koncept më pas do të zhvillohet edhe më imtësisht nga Giorgio Agambenin, në librat Homo Sacer: Sovereign Power and Bare Life (1998) dhe State of Exception (2005). Për Agambenin, gjendja e jashtëzakonshme sanksionohet me ligj. Nëse vetë ligji sanksion në vetevete gjendjen e jashtëzakonshme, kjo nënkupton suspendimin e vetë ligjit. Megjithatë, sovrani është brenda edhe jashtë ligjit kundrejt subjektit të tij. Me suspendimin e ligjit dhe krjiimin e gjendjes se jashtëzakonshme, lind biopolitika post-politike si paradigmë politike. Ky koncept, për Slavoj Žizek, ka kuptimin e depolitizimit të shoqërisë, duke u fokusuar në të ashtuquajtura siguri të jetërave njerëzore, dhe mobilizimin e njerëzve përmes frikës. Kurse për Agambenin (Means Without Ends: Notes on Politics, 2000) forma më supreme e biopolitikës është kampi – hapësira ku pushteti nuk konfronton asgjë tjetër pos jetës biologjike të njeriut pa asnjë ndërmjetësim. Këtu iu është referuar qëllimisht Schmittit dhe Agambenit lidhur me konceptin e sovranitetit, për shkak se ky koncept shpjegon teorinë dhe praktikën e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën dhe kosovarët gjatë dekadës së kaluar dhe është po ky koncept përmes së cilit Serbia dëshiron të mbroj Kosovën para GjND.

Pas 15 muaj të negociatave për statusin e Kosovës mes Serbisë dhe Kosovës të sponzoruar nga Kombet e Bashkuara, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari në mars të vitit 2007 përgadit një Plan Gjithëpërfshirës dhe rekomandon pavarësi ndërkombëtarisht të mbikëqyrur për Kosovën. Pasi Federata Ruse (me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit) dhe Republika e Serbisë ishin kategorisht kundër planit, ri-negocimi i statusit të Kosovës do të ndërmjetësohej pasuksesshëm nga Troika për 6 muaj, nga gushti deri në dhjetor 2007. Kosova deklaron pavarësinë më 17 shkurt, 2008. Në gusht 2008, Serbia kërkon nga Asambleja e OKB-së zyrtarisht një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Në fund të vitit 2008, Asambleja e OKB-së miraton kërkesën e Serbisë për opinion të GJND.

Pyetja e parashtruar në rezolutën e Serbisë është kjo: A është shpallja e njëanshme e pavarsisë nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar?

Pavarësia e Kosovës është fakt. Ky fakt është pranuar nga 35% e shteteve të OKB-së, nga 82% e shteteve të BE-së; nga 85% e shteteve të NATO’së, nga 70% e shteteve të Këshillit të Europës, nga 36% shteteve të Organizatës së Konferencës Islamike dhe nga 31% e shteteve të Ligës Arabe. Kosovën nuk mund ta krijoj as të zhbëj opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kërkesa e Serbisë për të rikthyer territorin e Kosovës brenda territorit të saj është METAFIZIKË. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundrejt legalitetit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës është jo detyrues; megjithatë, ndonëse pa pasoja juridike, një opinion negativ i GjND-së, do të mund prodhonte efekte praktike sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Këtu do të shqyrohen katër sekuenca; a) sovraniteti si dhunë; b) sovraniteti si përgjegjësi; c) shpallja e pavarësisë është në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar; d) Efektet e një opinion negative të GjND.

Argumenti kurrizor që e mban në këmbë rezolutën e Serbisë është ky: Shpallja e pavarësisë së Kosovës është e paligjshme pasi që me aktin e shpalljes së pavarësisë, autorët e deklaratës kanë dhunuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe shkelur Rezolutën 1244 dhe Kartën e OKB-së.

Cka është sovraniteti për Serbinë?

Sovraniteti si dhunë 1989-1999

Për më se një dekadë, nga viti 1989 kur Serbia e shfuqizoj autonominë e Kosovës, e deri tek ndërhyrja e NATO’së në Kosovë, në vitin 1999, Kosova ka qenë KAMP PËRQËNDRIMI ku gjendja e jashtëzakonshmë është realizuar në mënyrë absolute nga Serbia. Cka është kampi?, pyet Agamben. Kampi është “hapësira biopolitike më absolute që është realizuar ndonjëherë – një hapsirë në të cilën pushteti nuk konfronton asgjë tjetër pos jetës së pastër biologjike pa asnjë ndërmjetësim”. Për më tepër, kampet janë ato hapësira politike ku qeniet njerëzore janë totalisht të deprivuara nga të drejtat e tyre bazike dhe çdo krim që kryhet ndaj tyre nuk konsiderohet KRIM. Emri i Kosovës ishte KAMP për më se dhjetë vite. Ajo përbënte atë hapsirë biopolitike që kishte krijuar Millosheviqi, duke abroguar çdo bazë legale dhe legjitime të institucioneve të Kosovës: autonominë e Kosovës, Universitetin e Prishtinës, Radio Televizionin e Prishtinës, gazetën ‘Rilindja’. Shqiptarët ndonëse përbënin nëntëdhjetëpërqind të popullsisë, detyroheshin të flisnin në gjuhën e kampit: gjuhën serbe. Të gjithë ata burra e gra rezistues përjashtoheshin nga puna. Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) kishte raportuar se gjatë vitit 1990-1993, 1855 punëtorë mjekësor shqiptar ishin përjashtuar nga puna për shkak se kishin refuzuar të shkruanin recetën në gjuhën serbe pacientëve shqiptar. Pos përjashtimit masiv nga puna, gjatë viteve 1989-1997, mbi 10.000 shqiptar ishin viktima të dhunës serbe. Kjo dhunë ishte dhunë e sovranit serb kundrejt ‘trupit’ shqiptar: pra, dhunë biopolitike. Kundrejt kësaj dhunë, shqiptarët u përgjigjën në mënyrë paqësore. Meqë kjo qasje paqësore nuk u shpërblye, ballaqimi ‘trup me trup’ mes autoriteteve serbe dhe UçK’së fillon në vitin 1997. Rrjedhimisht, autoritetet serbe intensifikojnë sulmin mbi popullatën civile dhe një seri masakrash ndodhin në Kosovë, si ajo e 15 janarit 1999, ku në Reçak vriten 45 civil të pafajshëm dhe ambasadori amerikan William Walker pa hezitim aktin e tillë e quan krim kundër civilëve të pafajshëm. Si pasojë e biopolitikës së Millosheviqit, në Kosovë janë vrarë 12.000 njerëz, janë dhunuar 20.000 femra, janë shkatërruar 120.000 shtëpi, janë rrënuar mbi 500 kulla shqiptare dhe 218 xhami, dhe depërtuara nga Kosova afër 750.000 kosovar. Nuk ka ndonjë konflikt modern nga Sudani deri në Sierra Leone, nga Somalia deri ne Ruanda, ku femna është dhunuar më shumë se në Kosovë. Dhe kjo është prova më e saktë se deri në çfarë shkalle autoritet serbe kanë pasur për qëllim ta çintegrojnë dhe zhbëjnë BIOS’in e familjes si qendër të organizimit politik të etnisë shqiptare. E turpëruar para këtyre fakteve, e frikësuar nga destabiliteti rajonal, pas një seri tentimesh dhe negociatash me Millosheviqin dhe përfaqësuesit politik të Kosovës, në shkurt të vitit 1999 organizohet Konferenca e Rambujesë, për ta ndalur luftën. Marrëveshja Paqësore e Rambujes dështon, dhe Millosheviqi nuk e nënshkruan dokumentin me çka i hap rrugë ndërhyrjes dhe sulmeve të NATO-s në Kosovë nga 24 mars deri më 10 qershor 1999. Bashkësia civile dhe ushtarake ndërkombëtare vendoset në Kosovë, dhe 20.000 trupa të KFOR-it e suspendojnë ushtrimi faktik të sovranitet tiranik të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Sovraniteti si përgjegjësi 1999-2008

Në raportin e vitit 2001, Komisioni Ndërkombëtar mbi Intervenim dhe Sovranitet Shtetëror (ICISS), në raportin e tyre “Përgjegjësia për të Mbrojtur”, e definon sovranitetin jo si dhunë ose autoritet final mbi një territor, por si përgjegjësi që implikon para se gjithash përgjegjësinë për të mbrojtur popullin si subjekt të tij. Për më tepër, raporti shkruan se intevenimi ushtarak ndërkombëtar është i lejuar kundrejt një shteti SOVRAN nëse ka dy shkaqe: a) shkallë të lartë të humbjes së jetërave të njerëzve; b) pastrim etnik. Ky raport është edhe më eksplicit kur thotë se intervenimi ndërkombëtar është i lejuar kur një popullatë është duke vuajtur dhe është cënuar si pasojë e dështimit të shtetit, mungesës së kapaciteteve ose mungesës së vullnetit.

Intervenimi ndërkombëtar në Kosovë, ndonëse jo legal për shkak të mungesës së autorizimit të OKB-së për ndërhyrje në Kosovë, ishte krejtësisht legjitim, për shkak se: a) shteti serb po vriste qytetarët e vet; b) kishte shkelje masive të të drejtave civile dhe politike të shqiptarëve; c) shteti serb nuk ishte i vullnetshëm të respektonte vullnetin politik të nëntëdhjetë përqind të qytetarëve shqiptarë të Kosovës. David Held kundrejt termit sovranitet shton mbiemrin liberal. Kjo do të thotë se sa herë që regjimet politike tiranike mundohen të fshihen pas konceptit të sovranitetit, ato duhet të kenë parasysh se sovraniteti modern është sovranitet i popullit, dhe jo i një Zoti-njeri, qoftë ky Millosheviq apo dikush tjetër. Kurse Martti Ahtisaari, në një ligjëratë së fundi, ka argumentuar se, Serbia nuk ka të drejtë morale për të qeverisur Kosovën, për shkak të krimeve të kryera kundrejt ish qytatarëve të saj. Përtej argumentit të Held dhe Ahtisaarit, raporti ICISS argumentonte se tanimë bashkësia ndërkombëtare jo vetëm që ka përgjegjësi për të mbrojtur, por së bashku me këtë përgjegjësi mbart tri përgjegjësi të tjera: a) përgjegjësinë për të parandaluar; b) përgjegjësinë për të reaguar dhe c) përgjegjësinë për të rindërtuar. Bashkësia ndërkombtare parandaloj Bosnjën apo Ruandën e dytë në Kosovë. Ajo reagoi dhe shfuqizoi sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe, së fundi, rindërtoi Kosovën.

Bashkësia ndërkombëtare ka shpenzuar biliona dollarë për të ndërtuar atë që kishte shkatërruar Millosheviqi në Kosovë. Shteti i Kosovës është rezultat i administrimit ndërkombëtar mbi Kosovën. Administrata Ndërkombëtare ka krijuar një sovranitet empirik në Kosovë nga vitit 1999. Kosova është projektuar në tri faza: a) ndërtimi i institucioneve të përkohshmë vetëqëverisëeve për Kosovën; b) konsolidimi i një lidershipi të moderuar politik dhe vendojsa e standardeve për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Kosovë; c) zgjedhja e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Pyetja serbe

Përfaqësuesist e zgjedhur të popullit të Kosovës e kanë shpallur Kosovën shtet sovran dhe të pavarur më 17 shkurt 2008. Kurse Vuk Jeremi?, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka vendosur që vullnetit të 90% të qyetetarëve të Kosovës, t’ia ballafaqoj një opinion të GjND-së. Argumenti kryesor që Serbia parashtron në kontributin e saj drejtuar GjND-ë është se shpallja e pavarësisë së Kosovës nga IPVQ’të është në kontradiktë me Ligjin Ndërkombëtar, pasi ky i fundit po e njohka parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial si parime supreme të Ligjit Ndërkombëtar. Para se shkoj më tutje, është mirë të nënvizohet këtu se në Ligjin Ndërkombëtar nuk ka asnjë normë që mund t’i subordinohet një norme tjetër, dhe rrjedhimisht nuk ka hierarki normash. Praktikisht, kjo do të thotë se Ligji Ndërkombëtar nuk e vendos sovranitetin si normen më të rëndësishme, më pas të drejtën për vetëvendosje si më pak të rëndësishme, paqe dhe stabilitetin ndërkombëtar si hiç të rëndësishëm dhe kështu me radhë. Pra, kjo nuk qëndron.

Përgjigja e përkrahësve të pavarësisë së Kosovës

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar, sepse:

1. Ligji Ndërkombëtar është neutral kundrejt secesionizmit. James Crawford, njëri nga shkollarët më eminent të fushës së shtet-formimit, argumenton se ‘secesioni/ndarja është një akt neutral juridik – pra as legal e as ilegal’ (The Creation of States in International Law, 2006)

2. Deklarata e Pavarsisë së Kosovës është në përputhje me Rezolutën 1244. Pjesa operative, pika 5, mirëpret bashkësinë ndërkombëtare të themeluar në Kosovë në bazë re Rezolutës 1244(1999). Rezoluta 1244 nuk e ka përcaktuara statusin e ardhshëm të Kosovës. Ndonëse, në preambulë, Rezoluta 1244 riafrimon përkushtimin për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të RSFJ’së, preambula nuk është pjesë operative e rezolutës dhe si e tillë është jo-detyruese. Vëtë Rezoluta 1244 siguron një lehtësim të procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, duke precizuar se pret zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Për dallim nga Rezoluta 1255 (1999), ku Këshilli i Sigurimit, në konfliktin mes Abkhazisë dhe shtetit të Gjeorgjisë, vendoste që statusi politik i Abkhazisë të zgjidhej brenda shtetit të Gjeorgjisë, Rezoluta 1244 nuk e prejudikon statusin politik të Kosovës. Siç argumentojnë në deklaratën e tyre SHBA’të, 9 nga 15 shtetet e OKB’së që sot e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 1999 kanë përkrahur rezolutën 1244 dhe kanë thirrur për respektimin e sovranitetit dhe integritetit terriotiral të shteteve të dalura nga Jugosllavia. Këto 9 shtete e kanë njohur Kosovën pasi parimet që janë vendosur lidhur me sovranitetin dhe integritetin territorial nuk kanë qenë valide për Kosovën.

3. Populli i Kosovës është njohur si entitet i veçantë, me karakteristika të dallueshme, edhe pa u shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Argumenti serb se shqiptarët kanë qenë kombësi brenda Republikës Federative Socialiste Jugusllave dhe pa të drejtë të vetë-vendosjes nuk njihet/pranohet nga Ligji Ndërkombëtar, por nga Doktrina Sovjektike e ndarjes së popujëve në kombe dhe kombësi.

4. Autorët e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, thuhet në Komentin e Kosovës drejtuar GjND, nuk janë Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës. Pyetja e Serbisë drejtuar GjND është çorientuese, pasi që presupozon se shpallja e pavarësisë është bërë nga IPVQ’të. Në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës nuk përmendet në asnjë paragraf IPVQ’të. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ashtu siç thuhet në Deklaratë, është bërë nga udhëheqësit e popullit të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Edhe nëse GjND deklaron – që mund të jetë shumë e mundshme – se shpallja e pavarësisë është bërë nga IPVQ-të, kjo përsëri nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi që baza e IPVQ’ve ishte Rezoluta 1244, për të cilën statusi i Kosovës nuk ka qenë i paprejudikuar.

5. UNMIK, si autoritet supreme në Kosovë sipas Rezolutës 1244, nuk e ka abroguar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, sepse si e tillë ka qënë në frymën e Rezolutës 1244 dhe parimeve të Kartës së OKB’së. Autorët e shpalljes së pavarësisë, bashkë me aktin e shpalljes së pavarësisë, zotohen të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare dhe të respektojnë parimet e Kartës së OKB’së.

6. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundështrim me parimin e sovranitetit të Ligjit Ndërkombëtar. Neni 2 i Kartës së OKB’ i jep sovranitetit karakter inter-shtetëror (ndër-shtetëror) dhe jo intra-shtetëror (brenda-shtetëror). Neni 2. Pika 4. Të gjithë anëtarët ndalojnë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare çdo kërcënim apo përdorim dhune, që drejtohet kundër paprekshmërisë territoriale apo pavarësisë politike të një shteti ose që bie ndesh me qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Pra, Karta thotë që shtetet anëtare obligohen të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e shteteve tjera. Kosova nuk ka qenë anëtar i OKB’së në momentin e shpalljes së pavarësisë dhe, për më tepër, Kosova nuk ka qenë fare shtet. Rrjedhimisht, parimi i sovranitetit në Ligjin Ndërkombëtar nuk vlen për entiete jo shtetërore. Serbia nuk ka referencë në Ligjin Ndërkombëtar për të akuzuar qytetarët e Kosovës dhe përfaqësuesit legjitim të tyre se këta të fundit e kanë cenuar sovranitetin e Serbisë. Ligji ndërkombëtar nuk e njeh të drejtën e Serbisë për tu ankuar ndërkombëtarisht se qytetarët e saj i kanë cenuar sovranitetin.

7. Sikurse në vitin 1989, kur pa aprovimin e shqiptarëve të Kosovës Serbia abrogon autonominë e institucioneve Kosovës, insituticione këto që kishin kompetenca gati të barabarta me republikat federative të Jugosllavisë, Serbia do të veproj njëjtë me Kushtetutën e saj të vitit 2006, kur në preambulë përfshin Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë, pa miratimin e popullit të Kosovës. Autonomia që ofron Serbia me Kushtetutën e vitit 2006 është më e vogël se ajo që kishin shqiptarët në vitin 1974. Kjo tregon se Serbia nuk ka qëne e vullnetshme të ju ofroj shqiptarëve të Kosovës, ashtu si argumentonte, autonomi të gjerë.

8. Sovranitetin i dhunshëm i Serbisë mbi Kosovën, dhe shkelja masive e të drejtave të shqiptarëve ka bërë përfaqësuesit e popullit të Kosovëstë të përgjegjshëm të shpallin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Sovraniteti sot njihet si përgjegjësi dhe jo dhunë.

9. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në mënyrë paqësore, ku kanë votuar të gjitha komunitetet në Kosovë, pos komunitetit serb.

10. Deklarata e Pavarësisë ka qenë zgjidhja e fundit (last resort), pas shterrjes së dy viteve të negociatave ndërkombëtare. Mbi 20 shtetet në argumentet e tyre drejtuara GjND lidhur me legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e përkrahin deklaratën e pavarësisë së Kosovës duke e parë atë si last resort.

11. E drejta për vetëvendosje i takon popullit të Kosovës edhe jashtë kontekstit kolonial. Në kontributin e saj drejtuar GjND, përmes së cilës përkrah Serbinë, Venezuela argumenton se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e paligjishme pasi që e drejta për vetëvendojse i takon popujve të kolonizuar, dhe se Kosova nuk ka pasur një status të tillë. Megjithatë, ky nuk mund të jetë argument për GjND, pasi vetë kjo gjykatë ka argumentuar në rastin e Timorit Lindor, se e drejta për vetëvendosje është një e drejtë edhe jashtë kontrollit kolonial.

Efektet e një opinioni të GJND-së kundër shpalljes së pavarësisë

Në librin e tij Fundametal Perspectives on International Law (2006), shkollari William Slomanson argumenton se politika i parapinë ligjit, pra edhe atij ndërkombëtar. Mundësia që opinioni i GjND të jetë i paqartë është e madhe. Një opinion i tillë do të mund të interpretoj politikisht si fitore si nga autoritet në Beograd ashtu edhe nga autoritet në Prishtinë. Për shkollarin Mark Weller, autorin e librit Contested Statehood: Kosovo’s Struggle for Indepedence (2009), mundësia që opinion i GjND të jetë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës ëshë e vogël (Koha Ditore, 17 korrik). Duke pasur parasysh atë që thotë Slomanson, le të reflektojmë për një moment se cilat do të ishin efektet e opinionit negativ të GjND kundrejt shpalljes së pavarësisë.

Një opinion i GjND se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në shpërputhje me Ligjin Ndërkombëtar do të kishte këto efekte politike në terren:

1. Kërcënon stabilitetin rajonal dhe arsyeton ndërhyrjen direkte të Serbisë në territorin e Kosovës,

2. Legjitimon kursin politik të Serbisë mbi Kosovën, dhe fuqizon pozicionin e Serbisë karshi shteteve që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës,

3. Arsyeston strukturat paralele në pjesën Veriore të Kosovës, dhe fuqizon pozicionin e tyre çintegrues në raport me Kosovën. Kjo pastaj mund të rrit dhunën në veri të Kosovës nga serbët në raport me shqiptarët dhe, si pasoj, hakmarrjen e shqiptarëve në raport me serbët në pjesën jugore të Kosovës,

4. Pengon implementimin e Strategjisë për Integrimin e Veriut të Kosovës,

5. Mundëson ri-shqyrtimin e Planit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të Martti Ahtisaarit,

6. Pengon zbatimin e decentralizmit në pjesën jugore të Kosovës, dhe konfuzon serbët e pjesës jugore që tashmë kanë filluar të integrohen në institucionet e Kosovës

7. Inicion negociata politike për riaranzhimin e kufijëve, të cilat negociata nuk mund të kufizohen vetëm në mes të Serbisë dhe Kosovës, por parasegjithash negociata rajonale për riaranzhimin e kufijëve të shteteve suksesore të ish Jugosllavisë, në të cilat shtete popullësia shqiptare përbën një grup të konsiderueshm të qytetarëve të shteteve respektive.

Krejt në fund, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Serbia nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Atëherë, pse është është aq i nevojshëm Opinioni i GjND për Serbinë?

Janë dy qëllime që Serbia ka dashur t’i realizoj përmes rezolutës së saj drejtuar Kombeve të Bashkuara, për të kërkuar opinion nga GjND-ja: a) që të vonoj procesin e njohjeve/pranimit të Kosovës shtet të pavarur dhe sovran nga shtetet anëtare të OKB-së dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB; dhe b) që të përdor Opinionin e GjND-së për negociata të reja.

Posted in Ligj dhe të drejta. Tagged with , , , , , , , , .

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.