Trendet.net është revistë elektronike për diskutime e debate në lidhje me çështje shoqërore e politike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Revista është e përkushtuar ndaj kritikës, shprehjes së lirë, eksperimentimit, cilësisë, dhe kundër paragjykimeve, mosdurimit, joliberalizmit dhe konformizmit. Ajo boton analiza dhe komente inteligjente që provokojnë mendimin në lidhje me çështje aktuale dhe të rëndësishme në fushë të teorisë dhe praktikës së shkencave shoqërore.
Me qëllim që sfera publike në Kosovë të jetë më përfshirëse dhe më pluriverse, ajo ka nevojë urgjente për “input” edhe nga një diskurs akademik kritik dhe jokonformist. Analistët dhe specialistët më tepër shkruajnë se si duhet të jenë gjërat, andaj për të balancuar këto shkrime rekomanduese dhe ndonjëherë moralizuese, Trendet.net inkurajon shkrime që shpjegojnë se përse gjërat janë apo ndodhin ashtu siç ndodhin.
Ky nuk është një qëndrim pasiv, sepse mënyra se si mendojmë për shkaqet e dukurive shoqërore nuk është vetëm vëzhgim nga distanca, por ka ndikim të drejtpërdrejt në mënyrën se si i mendojnë dhe i shohin vetë dukurite dhe se si ndërveprojmë me to.
Faqet Enciklopedi… dhe Lexime… kanë për qëllim të mbledhin material të nevojshëm teorik dhe empirik nga autorë klasikë dhe bashkëkohorë mbi të cilat do të zhvillohet diskursi akademik. Në mungesë të përkthimeve të teksteve në shqip, kjo do të plotësonte deri në një masë nevojën e studentëve dhe të interesuarve për referenca bazike nga shkencat shoqërore.
Politika redaktuese është e hapur për kontribuues në baza vullnetare. Shkrimet dhe përkthimet tuaja dërgoni në: revista.trendet@gmail.com
Redaksia
Gëzim Selaci, ligjërues në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, kandidat i PhD në shkenca politike në Universitetin e Europës Qendrore në Budapest, MA i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe teorisë bashkëkohore politike në Universitetin e Uestminsterit në Londër.
Ardian Gola, ligjërues në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, MA i sociologjisë nga Universiteti i Prishtinës.
Komentet e fundit