Skip to content


Nacionalizmi

Glauk KONJUFCA*

 

Objektiv imi, me këtë rast, do të jetë edhe tentimi për shkoqitjen e aspektit koheziv dhe atij çintegrues të nacionalizmit, shqyrtimi i shumë kategorive që kanë të bëjnë me të (kombi dhe kultura, gjuha, feja, etnia dhe, jo rrallë, edhe raca), por nuk do të mungojnë as përpjekjet për të treguar se pse nacionalizmi ka gjasa të jetë shumë pak i shmangshëm në të ardhmen, apo pse ai mund të shpjegohet edhe si një riciklim i vazhdueshëm i destabilizimeve brendaevropiane që prodhon politika e vendeve të cilat vetëkonceptohen dhe pranohen nga të tjerët si ato të cilat duhet të jenë rregulluese të të ashtuquajturit ‘’Rend Evropian’’.

 

Objektivat dhe vështirësitë e studimit të nacionalizmit

 

Sa herë që i përvishemi studimit të nacionalizmit, duhet të kemi parasysh një gjë: kemi të bëjmë me fenomenin për të cilin mendimet e atyre që e studjuan atë janë të ndryshme e shpeshherë të kundërta, dhe e gjithë kjo e ka e ka burimin në vet natyrën tejet të papërcaktuar, konceptualisht mjaft të mjegulluar dhe kundërthënëse të këtij fenomeni social. Përveç kësaj, studimi vështirësohet edhe më nëse e kuptojmë që para nesh është një dukuri shoqërore, karakteristike për modernitetin e vonë, e cila u shfaq aty nga gjysma e shekullit 19, për të lulëzuar kah mesi i gjysmës së pjesës së parë të shekullit 20. Kjo sepse, kur pothuajse të gjithë po mendonin se përfundimi i Luftës së Dytë Botërore do të ishte limiti historik i fillimit të një epoke postnacionaliste, fenomeni nacionalizëm, aty kah dekada e fundit e shekullit që sapo e lamë pas, u rishfaq me tërë forcën e tij shpërthyese, i zgjuar ndoshta pas harxhimit të sedativëve që i jepeshin atij, prodhuar nga konstelacioni konfrontues i dy blloqeve ideologjike dhe ushtarake, të krijuara pas kësaj lufte (bllokut të Varshavës dhe atij të NATO-s). Me fjalë të tjera, ajo që e thellon paksa vështirësinë e ndërmarrjes sonë studimore është se, po t’u kushtosh vëmendjen e duhur gjërave që i thamë më lart, s’ka se si të mos krijohet përshtypja se nacionalizmi vjen e forcohet në proporcion të drejtë me rritjen e kompleksitetit të modernitetit nga konteksti i zhvillimit të gjithanshëm social.

 

Vështirësia e fundit vjen nga ajo që unë do t’a quaja aspekti sociologjikisht tejet jokonkret i natyrës së dukurisë së nacionalizmit. Nacionalizmin s’do të mund t’a studjojmë si një institucion social brenda të cilit, raportet e pjesëve përbërëse të tij janë mjaft të definuara (si familja p.sh). Ai (nacionalizmi) na e flakë tej këtë mundësi qasjeje, për të na e imponuar një tjetër që ka të bëjë më shumë me përqëndrimin në shpjegimin e kategorive mjaft të ndërlikuara, që, në fund të fundit, janë të lidhura me aspekte sentimentale të njerëzve: ndjenjat që ata ushqejnë për kolektivitetin të cilit i përkasin, elementet të cilat ata i konceptojnë si relevante për përcaktimin e përbashkësisë grupore, të cilat janë vendimtare për determinimin e raporteve dhe sjelljes ndaj të Tjerëve që s’i takojn atij grupi, dhe, natyrisht, rëndësia që u japin njerëzit atyre elementeve.

 

Krijimi i kombeve si premisë fundamentale e zhvillimit të nacionalizmit

 

Kombi, si kategori shoqërore, është mjaft vështirë i përcaktuar. Kjo sepse, çfarëdo definimi që do të mund të formulonim pët të, zor se do të ishte universal për nga vlefshmëria. Edhe studjuesit më të njohur të kësaj çështjeje pranojnë komplikimet që zakonisht sjellin përpjekjet për arritjen e formulimit të një definimi për kombin, që do të ishte i pranueshëm për të gjithë. Njëri nga studjuesit më të njohur të kësaj çështjeje dhe nga njohësit më të spikatur që njeh kjo problematikë, Hugh Seton Watson, pas një përpjekjeje të gjatë për të gjetur një definim përfundimtar dhe vlefshmërisht universal për kombin, e tëra që bëri ishte ardhja deri te përfundimi jo fort ngushëllues, por shumë i rendësishëm, se një definim shkencor në këtë rrafsh është krejt i pamundshëm. Por, sido që ta përkufizojmë kombin (pajtohemi në këtë rast, apo jo me të tjerët) një gjë është shumë e sigurtë: ai ekziston (H. S. Watson).

 

Ai që mund të shihet si problem akut nga konteksti i konceptimit të kombit, për çdo studjues e mendimtar që reflekton për këtë çështje, është vënia e një kriteri minimum elementesh, të cilat e bëjnë një grup të caktuar njerëzish të jenë komb. Në këtë rast, karakteristike për kombin, nga konteksti i definimit të kategorive themelore, të cilat janë vendimtare për përcaktimin dhe përmbushjen e statusit të një kolektiviteti për të qenë komb, është pamundësia që ta identifikojmë vetëm një element kriteri. Sa herë, pra, që vijmë në përfundimin se të gjitha përkufizimet që japin studjuesit për kombin konsistojnë në theksimin e disa elementeve që ndikojnë në statusin e një grupi të caktuar që karakteristikat e tij të jenë aq të mjaftueshme sa për të qenë komb, e që janë kryesisht: kultura e zhvilluar bashkërisht, prejardhja e përbashkët, gjuha, territori i caktuar, feja, e shpesh edhe raca etj., duhet të kemi gjithnjë parasysh se shpesh kemi të bëjmë me etnicitetin dhe vetëdijen kombëtare si pleksje e këtyre elementeve.

 

Po të ishte kriter përcaktimi vetëm elementi gjuhësor, zor se do të shpjegonim shkakun e krijimit të kombit mysliman boshnjak. Në anën tjetër, po ta merrnim si kriter të mjaftueshëm vetëm fenë, atëherë me siguri se nuk do të shihnim kurrfarë arsye që kombi i francezëve, spanjollëve dhe italianëve të mos ishte i përbashkët. Po kështu ndodh edhe nëse kufizohemi vetëm në prejardhjen e përbashkët: kjo logjikë do të na verbonte para një kombi të ndarë kroat dhe serb krahas ngjashmërive të tyre.

 

Meqë synim imi është shtjellimi i marrëdhënieve brendagrupore determinuar nga konceptimi i atyre karakteristikave që një grup e bëjnë të ndihet i ndryshëm nga grupet tjera, atëherë, këtu së pari duhet t’a definojmë konceptin e etnicitetit. Nëse me etni kuptojmë identitetin e caktuar social të karakterizuar nga një ngjashmëri (për shumëkë) metaforike apo fiktive, etniciteti ka të bëjë me atë aspekt të marrëdhënieve ndërmjet grupeve që e konsiderojnë veten e tyre dhe konceptohen nga të tjerët si kulturalisht të ndryshme (T. H. Eriksen). Me një fjalë, ‘’etnia ka të bëjë me praktikat dhe botëkuptimet kulturore që dallojnë një komunitet të caktuar njerëzish. Anëtarët e grupeve etnike e konsiderojnë veten e tyre si të veçantë nga ana kulturore nga grupimet e tjera në shoqëri dhe pokështu konsiderohen nga të tjerët’’1.

 

Tentimet për definimin e kombit, krahasuar me peruidhën e shfaqjes së hovshme të kombeve, janë relativisht të hershme. Përpjekje mjaft e hershme e definimit është ajo që bëri Akademia Franceze e Shkencës, e cila që më 1694 ‘’e përkufizonte kombin si tërësinë e të gjithë banorëve të të njejtit shtet, të të njejtit vend, që jetojnë nën të njejtin ligj dhe përdorin të njejtën gjuhë’’2.

 

Më vonë do të hasim në përkufizimet e shumë mendimtarëve gjermanë, definimet e të cilëve konsistojnë kryesisht në postulimin e komponenteve kulturore të kombit. Të tillë janë Herder-i, Schlayermaher-i, për të vazhduar pastaj e njejta tendencë edhe me Fichte-n dhe Hegel-in. Për ta, kombi s’ishte edhe aq i lidhur me territorin e përbashkët të përcaktuar qartë, sa q’ishte i lidhur me prejardhjen e përbashkët, kulturën e zhvilluar historikisht dhe rolin mjaft të rendësishëm të gjuhës.

 

Konceptualiteti dihotomik i komponenteve qenësore të kombit

 

Që këtu, pra që në definimet e para, vijnë e na përvijohen dy lloj koncetimesh për kombin, varësisht se cilat cilat elemente shihen si qenësore për përcaktimin e natyrës së tij.

 

Koncepti i parë na vjen nga francezët dhe si qenësore për kombin e koncepton kufirin territorial të përcaktuar qartë, në të cilin shtrihet zakonisht një pushtet politik i centralizuar, territory ky brenda të cilit gjendet një grup i caktuar njerëzish, që i nënshtrohen sundimit të një ligji të barabartë për të gjithë. Në këtë rast, vendimtare në përcaktimin e etnicitetit (të cilin e definuam më lart) është komponenta individuale: individi është ai që është i lirë në zgjedhjen e përkatësisë së tij kombëtare, e jo përkatësia etnike e paraardhësve të tij ajo që ia përcakton atij këtë përkatësi. Kombi këtu është plebishiti i përditshëm i njerëzve: një identitet kolekti i hapur çdo ditë ndaj dëshirës dhe vullnetit të njerëzve që t’i përkasin apo jo atij identiteti/kombi (E. Renan).

 

Ndërkaq, koncepti tjetër (ai që kryesisht u atribuohet gjermanëve), si element kyç në konceptimin e kombit e sheh prejardhjen e përbashkët, pra, lidhjen e gjakut, zhvillimin e përbashkët historik të kulturës dhe gjuhën. Siç mund të vërehet, në këtë rast, territori nuk është i një rendësie primare; ligji poashtu. Individi këtu është ai i cili vjen në këtë botë me përkatësi etnike të përcaktuar nativisht, i zhveshur plotësisht nga mundësia që t’a zgjedhë atë me dëshirën e vet. Këtu s’kemi të bëjmë me plebishitin e përditshëm renanian, ngase nuk është vullneti i individit ai që zgjedhë një kategori të caktuar identiteti, por individi është ai që duhet pranojë atë pa kurrfarë kushti.

 

Në literaturën që ka të bëjë me këtë dihotomi konceptuale për rendësinë e komponenteve thelbësore të kombit, koncepti i parë shpesh quhet ‘’kombi i shtetit’’, ndërsa, koncepti i dytë – ‘’komb i kulturës’’2.

 

Për të kuptuar edhe më thellë këtë ndryshim esencialisht konceptual për kombin, duhet t’u hedhim një vështrim periudhave të ndryshme historike gjatë të cilave u krijuan kombet në Evropë. Kjo përfundimisht do të na qartësonte disa nga dilemat e mundshme në lidhje me arsyet që i shohin njerëzit për nevojën e ushqimin të lidhjeve të ndryshme (shpeshherë speciale) me një komb të caktuar, e, kjo është ngusht e lidhur me dy mënyra krejt të ndryshme (gati të kundërta) të krijimit të kombeve në kontinentin evropian.

 

Së pari kemi krijimin e disa kombeve, të cilët u formësuan si të tillë brenda një shteti të caktuar, i cili i parapriu krijimit të kombit. Ekzistonte, pra, një hapësirë territoriale, me kufij të përcaktuar qartë, brenda të cilës bashkëjetonin një grup njerëzish. Esenca e identitetit kolektiv në këto kombe, erdhe e i’u referua kategorive politike të territorit të përbashkët dhe sundimit të ligjit në këtë territor për të gjithë njësoj. Shembuj tipikë për këtë lloj formësimi të identitetit kombëtar janë kombi francez, anglez, spanjoll dhe ai portugez, vendet e të cilëve ekzistonin si shtete që në mesjetën e vonë. Dhe, fillesat e këtyre kombeve shfaqen atëherë kur shteti dhe kultura u bashkuan në një tërësi të re, që më vonë u quajt shtet kombëtar’’3. Në po atë kohë, ky proces ndodhë edhe në Holandë, Danimarkë dhe Suedi.

 

Për ndryshim nga rruga që i karakterizoi kombet, krijimi i të cilëve u realizua si proces brenda kufijve të kufizuar shtetëror, shumica e kombeve tjerë të Evropës, nuk e paten këtë ‘’fat’’. Te pjesa më e madhe e tyre, krijimi i vetëdijes kombëtare i parapriu krijimit të shtetit, madje, mungesa e këtij të fundit, bëri që ai të shndërrohej në qëllimin fundamental për të (kombin; vetëdijen kombëtare), pra, një proces krejt i përkundërt me krijimin e kombeve brenda kufijve shtetëror. Dhe, këtu duhet identifikuar momentin më të ndjeshëm të konceptimit të kombit. Pse?

 

Në mungesë të shtetit, territori s’mund të ishte element thelbësor për kombin, i cili territorialisht ishte i copëzuar (apo në rastin më të mire i ndarë në dy pjesë). Vetëdija kombëtare, vinte e forcohej kryesisht mbi kategori primordiale, zakonisht si kompensim ndaj realitetit kombëtar të atomizuar politikisht dhe territoralisht. Kjo, njëherit, ishte edhe përpjekje për ruajtjen e ‘’pastërtisë së substancës kombëtare’’ nga përzierjet me ‘’të Tjerët’’. Pra, ‘’aty ku ndërgjegjja kombëtare në zgjim nuk pati një shtet që t’i referohej, populli u mbështet në parime joshtetërore, mbi prejardhjen e përbashkët, gjuhën dhe kulturën, duke ngritur një bashkësi të përbashkët prejardhjeje dhe kulture si bazë për shtetin komb. Ky konceptim i shtetit orientohet nga kritere – në dukje – objektive, domethenë kritere etnike – kulturore’’4. Ndërkaq, ‘’aty ku ndërgjegjja kombëtare mundi të formohej në një shtet, që ekzistonte, nocioni i kombit pati natyrë politike. Kombi është identik me nënshtetësinë.’’5.

 

Përderisa ai që në fillim e quajtëm koncept francez për kombin, këtu mund të quhet ‘’kombi i shtetit’’, shembull tipik i ‘’kombit të kulturës’’ është koncepti gjerman për kombin. Urs Altermatt, njëri nga studjuesit e njohur që reflektoi për këtë çështje, mendon se esenca e atij që e quajtëm koncept francez për kombin është ‘’dukuria e asimilimit’’, përderisa konceptin gjerman e shquan ‘’karakteri diferencues’’ i kombit. Me këto dy kategori, ne do të nënkuptojmë natyrën e disa kritereve përkatësie që kombi i vë përballë ‘’të Tjerëve’’, ‘’të Huajve’’.

 

Po t’i shkoqisim këto kritere duke marrë për mostra konceptin francez dhe atë gjerman për kombin, do të vërejmë ndryshime substanciale. Koncepti francez për kombin është ai, i cili, duke e konceptuar si esenciale për kombin kategorinë e territorit, rrjedhimisht do të pranojë parimin se çdokush që është i lindur brenda këtij territori të caktuar, i përket atij kombi. Si pasojë, s’do çuditur aspak nëse hasim në njerëz me ngjyrë, që për nga përkatësia kombëtare janë francezë. Ata zotërojnë gjuhën frënge aq sa një francez tjetër i bardhë dhe për vendlindje kanë pasur Francën. Kaq u mjafon atyre që t’i pranojë kombi francez si pjesëtarë të tij.

 

Por, kështu nuk qëndron puna me gjermanët. Nuk do të keni rastin të shihni një gjerman zezak. Fëmija i tij, poashtu, edhe po të jetë i lindur në Gjermani nuk do të mund të jetë një gjerman, ndërkaq, po të ishte i lindur në Francë, në pasaportën e tij, përkatësia e tij kombëtare do të mund të ishte franceze. Dhe jo vetëm kaq: nëse ai do të vazhdojë jetën e tij në Gjermani, si individ, ai gjithnjë do të jetë i privuar nga vullneti i tij që ta ketë mundësinë e zgjedhjes për përkatësinë apo mospërkatësinë e tij në kombin gjerman. Kjo do të thotë, që në Gjermani, mohimi për mundësinë e përkatësisë në kombin gjerman ndaj ‘’të Huajve’’ është i vlefshëm, madje, edhe para se ata të jenë të lindur. Në këtë rast, pothuajse e tërë përkatësia kombëtare është e reduktuar në prejardhjen, në përkatësinë kombëtare të prindërve. Nuk ekziston kurrfarë përzierje përkatësie ndërmjet gjarmanëve dhe ‘’ausslander’’-ëve bazuar në lindjen e këtyre të fundit brenda territorit të shtetit gjerman. Kjo bën që në shtetin gjerman, të ekzistojë një vijë më diferencuese demarkacioni ndërmjet ‘’deutsch’’-ve dhe ‘’ausslander’’-ëve, gjë që nuk ndodhë me ‘’peuple français’’ si identitet i dalë pas Revolucionit Francez të vitit 1793. Këtë gjë kishte parasysh Urs Altermatt, kur mendonte në ‘’natyrën diferencuese’’ të kombit gjerman. Kjo natyrë diferencuese bën që, ‘’më shumë’’ gjerman të jetë fëmija, prindërit e të cilit u rritën në Rusi, ku edhe lindi dhe u rrit ai, pa ditur as edhe një fjalë gjermanisht, se sa fëmija i një turku, i cili lindi e u rrit në Gjermani, mbaroi shkollën aty dhe përvetësoi gjuhën gjermane hiç më pak se një gjerman vendas. Kështuqë, më të rendësishëm për kombin bëhen ata të cilët për nga prejardhja janë gjermanë, por që nuk flasin gjuhën gjermane sepse janë rritur në vende tjera, sesa ‘’të Huajt’’ që s’ju mungon asgjë gjermane pos stërgjyshërve. Kjo bën që Gjermania të jetë ‘’njëri nga vetëm dy shtetet moderne që u lejoi fiseve të veta të shkapërderdhuara të drejtën për t’u rikthyer në atdhe. Shteti tjetër është, natyrisht, Izraeli’’6.

 

Ndarja në ‘’kombin e shtetit’’, pra në konceptin francez të kombit apo perëndimor, siç quhet ndryshe, në njërën anë, dhe në anën tjetër në atë gjerman, pra në ‘’kombin e kulturës’’ apo lindor siq quhet shpesh, për shkak se korrespondon me konceptin e vendeve të Evropës Lindore për kombin, na tregon pakgjë për nacionalizmin. Sepse ta postulosh ‘’kombin e shtetit’’ si përfundimisht të nevojshëm dhe humanisht superior ndaj ‘’kombit të kulturës’’, kjo aspak s’do të thotë se duhet të mbyllen sytë para rritjes së popullizmit dhe ksenofobisë në Francë e Holandë apo se në këtë mënyrë po e parandalojmë atë që filozofi francez, Jean – Paul Sartre e quante ‘’ushtrim të gjenocidit kulturor’’ të shtetit spanjoll mbi baskët, ‘’me qëllim të zhdukjes së personalitetit bask’’.

 

Etnia: kategori natyrore apo eventualitet historik. Primordialistët dhe konstruktivistët (situacionalistët)

 

Ngjajshëm me kombet të cilët janë ndarë në dy lloje për nga konceptimi i komponenteve që ata i shohin qenësore në ekzistencën e tyre, poashtu, edhe teoricientët e etnicitetit (të cilin e kemi definuar më herët) janë të ndarë në dy ‘’taborre’’. Varësisht nga bindja e tyre për etnicitetin si kategori natyrore apo si një komponentë identiteti e cila është më shumë rastësi dhe eventualitet historik, këta teoricientë ndahen në primordialistë dhe në konstruktivistë apo situacionalistë siq quhen ndryshe. Të parët, për shpjegimin e natyrës së etnisë nisen nga elemente primordiale që kryesisht janë prejardhja e përbashkët dhe ndarja e kulturës që më së shpeshti përfshin simbolet e përbashkëta, gjuha, feja etj. Kjo do të thotë që ‘’teoria primordialiste ka për bazë besimin e përbashkët në një formë më të thellë, më të përhershme dhe më të lashtë të identitetit/shoqërimit’’7, për të ardhur pastaj deri te pikëpamja se ‘’nation (kombi) dhe ethnic communities (bashkësia etnike) janë etnitete të natyrshme historike, si dhe elemente integrale të përvojës njerëzore’’8. Të bindur se ndryshimeve etnike ndërmjet grupeve janë esencialisht natyrore, karakteristike gati që nga ekzistimi i tyre, për ta (primordialistët) ‘’etnija përfaqëson diçka të natyrshme, në mos po edhe biologjike’’9. Si përfaqësues më i njohur i teorisë primordialiste njihet antropologu, Clifford Geertz.

 

Të kundërt me këtë pikëpamje janë ithtarët e torisë konstruktiviste ose situacionaliste. Këta, kategoritë të cilat primordialistët I shohin si të natyrshme, mendojnë të jenë rezultat I shumë situatave historike të rastësishme, gjatë të cilave u krijuan dallime të shumta në elemente të ndryshme identiteti të etnistë, si gjuha, feja, kultura etj., të cilat krejt vonë u postuluan nga këto etni si komponente të natyrshme, primordiale. Për kunstruktivistët, ‘’etniciteti përfaqëson një mënyrë moderne për t’I organizuar ndryshimet kulturore në mënyrë sociale dhe politike’’10. Pra, ajo që quajmë etnicitet, për ta, është ‘’produkt I rrethanave historike, ekonomike, politika dhe ideologjike etj., dhe se identiteti I tillë është I konstruktuar (nga ana e elitave) dhe është rezultat I disa përputhjeve të qëndrimeve të masës dhe të udhëheqjes’’11 sesa manifestim identiteti racional esencialisht natyror që përligj domosdoshmërinë e postulimit të karakteristikave të tij shquese. Përfaqësuesit më të njohur të kësaj teorie janë Ernest Gellner, Anthony. D. Smith, Urs Altermatt etj. Konstruktivistët relativizojnë çdo tentim që rreket ta nxjerrë kombin si një nevojë identiteti e cila e gjen raison d’etre në elemente primordialisht natyrore. Sipas Urs Altermatt-it, ‘’ai që e kupton kombin si një bashkësi etnike origjine, kapet pas një tabloje ahistorike dhe bioligjistike të botës. Të gjitha kombet-shtet janë njësi të rritura, që janë mbrujtur përmes procesesh shekullore shtegtimi e ngulitjesh. Tek e fundit të gjithë evropianët janë fëmijë migrantësh, sepse të parët e tyre kanë pasë ardhur këtu dikur me një gjuhë tjetër, me një fed he kulturë tjetër’’. Mendimi se ‘’kombet (…) janë më tepër eventualitet dhe jo domosdoshmëri universale’’12, është esenca që karakterizon pikëpamjen e ithtarëve të teorisë konstruktiviste apo situacionaliste.

 

Nacionalizmi: shkaqet apo pasojat ?

 

Shumica e studjuesve të nacionalizmit, ndahen kryesisht në ata që e damkosin dhe në ata të tjerët, që i thurrin lavde atij. Në studimin tim, unë do të mundohem të mbetem krejt neutral në këtë rrafsh, apo të paktën aq sa mundem. Dhe kjo për një shkak: nacionalizmi s’është përfundimisht as i mirë, as i keq. Ai ka nuanca. Të mos i vëresh ato, do të thotë të jesh sociologjikisht miop, duke qenë rob i emocioneve të caktuara të cilat të mbajnë larg çdo distinguimit të realitetit të një fenomeni dhe terminologjisë e cila shfrytëzohet për t’a cilësuar atë. E, në rastin e nacionalizmit, qëllimi ynë më së paku është cilësimi i tij si i mirë apo si i keq, ngase mungesa e shumë termave të cilët do t’i vinin në pah elemetët kryesor që na pasqyrojnë nuancat e nacionalizmave, nuk duhet të na pengojë për identifikimin e natyrave të ndryshme të këtij fenomeni. Me fjalë të tjera, këtu, realiteti social i marrëdhënieve që karakterizojnë kombet, është më i thellë e kompleks se terminologjia me anë të cilës tentojmë t’i shqyrtojmë dhe kuptojmë karakteristikat esenciale të atij realiteti të caktuar.

 

Në të shumtën e rasteve, kemi dëgjuar për nacionalizmin si gatishmëri që identitetin tonë etnik t’a potencojmë deri edhe në nëpërkëmbjen dhe stigmatizimin e identitetit etnik të ‘’Tjetrit’’. Atë priremi shpesh ta konceptojmë si të ndryshëm nga patriotizmi, të cilin zakonisht jemi mësuar ta cilësojmë si një ndjenjë të vlefshme, të lidhur më shumë me atdhedashurinë, ruajtjen e vlerave të kombit të cilit i takojmë, pa kurrfarë tendence që ‘’të Tjerëve’’ t’ua mohojmë ato gjëra që ia dëshirojmë kombit tonë. Mirëpo, ky lloj të menduari, jo vetëm që është tejet i varfër në kontrast me atë që në të vërtetë manifestojmë në realitet, por është edhe sinjifikim i një reflektimi skematik e të mangët, të padenjë për atë që mëton t’a shqyrtojë realitetin social me dioptri studjuesi.

 

Sot, jemi lodhur nga studimet për nacionalizmin, që për pikënisje zakonisht kanë qëllimin e tij. Të pakta janë ato qasje studimore, që, kur i përvishen studimit të nacionalizmit, nisen nga shkaqet e shfaqjes së tij, apo ato që e nxisin atë. Nëse ne zgjedhim këtë rrugën e dytë, kjo mbase do të na impononte që të rezervohemi para cilësimit të nacionalizmit si fenomen që përfaqëson ‘’irracionalizëm në teori e metodë, reaksion ndaj racionalizmit, mitizim të kombit, gjakut, traditës, racës, shtetit dhe funksioneve të tij apo si doktrinë e kategorive të mistifikuara’’13. Nëse me nacionalizëm nënkuptojmë doktrinën e amplifikimit të karakteristikave të konceptuara si qenësore për kombin, glorifikimin e komponenteve etnike që e bëjnë atë komb të caktuar të jetë i ndryshëm nga të tjerët, apo tejtheksimin e tyre deri edhe në mohimin që u bëjmë ‘’të Tjerëve’’ nëse ata mendojnë që komponentet e natyrave të tilla janë poaq të rëndësishme edhe për identitetin etnik te tyre, atëherë, po të nisemi nga shkaqet që prodhojnë këto tendenca, do të kuptojmë se çështja është shumë më komplekse se cilësimi i nacionalizmit vetëm si fenomen irracional apo i mirë, ose ndarja e tij në nacionalizëm, i cili është i keq dhe në patriotizëm si diçka e mirë.

 

Kërkesat e nacionalizmit

 

Nacionalizmi, jo pa arsye, shpesh cilësohet të jetë njëra ndër, jo vetëm me një ndikim të pamohueshëm në pothuajse të gjitha zhvillimet e rrjedhave të jetës shoqërore të bashkëkohësisë, por edhe forca sociale e përcaktimit të formës së rregullimit të asaj që sot e quajmë strukturë ndërkombëtare e njësive themelore shtetërore – kombit-shtet.

 

Mund të flitet për nacionalizmin si për ‘’një parim politik, sipas të cilit bashkësia politike dhe ajo nacionale, duhet të jenë kongruente’’14. Ndërkaq, nga aspekti i konsekuencave emotive që karakterizojnë raportin e gjendjes sonë shpirtërore lidhur me atë parim, ‘’nacionalizmi si ndjesi është të ndjerit e zemërimit të shkelur nga shkelja e parimit, apo ndjenja e kënaqësisë e zgjuar nga përmbushja e tij’’15. Kjo do të thotë që ndjejmë njëfarë kënaqësie kur kuptojmë që kufijtë shtetërorë kanë përfshirë në brendi tërë individët që për nga identiteti etnik janë homogjen dhe të njejtë me ne. Në këtë mënyrë, ndodhë ai që Hannah Arendt e quan ‘’pushtimi i shtetit nga kombi’’. Së këndejmi, ‘’nacionalizmi është një teori e ligjshmërisë politike, e cila kërkon që kufijtë etnikë, të mos i këpusin ata politikë’’16 dhe anasjelltas.

 

Nacionalizmi është ngushtë i konceptuar me pikëpamjen dhe vizionin që ka ai për mënyrën e rregullimit të tablosë së bashkësive etnikisht të ndryshme në këtë botë. Ai, për studjuesit, si teori, gjithnjë është i prirur të jetë i lidhur më shumë me ‘’kombin e kulturës’’, me konceptin primordialist të kombit apo me kombin e ‘’etnosit’’. Kjo do të thotë që, nacionalizmin do ta dëshpëronim thellë po të tentonim ta bindnim për kombin si një bashkësi krejt të rastësishme identiteti, e zhveshur nga çdo lloj qëllimi aprioristik e madhështor që përligjë dhe hyjnizon ekzistencën e tij. Atij hiç s’i pëlqen të jetë fryma mbrojtëse e kategorive të identitetit etnik, që për stërgjyshërit tanë të lashtë nuk do të kishin kurrfarë kuptimi. Si rrjedhim, ai vetëglorifikohet si proces, që për nga mënyra e shfaqjes aspiron të identifikohet me progresin e gjithanshëm të botës moderne. Në këtë mënyrë, qëllimi i ekzistimit të tij lartësohet edhe më.

 

Çka i pëlqen nacionalizmit të glorifikojë ?

 

Sa herë që reflektojmë për nacionalizmin, jemi të prirur të gjykojmë gabimisht për procesin e krijimit të kombeve të Evropë në njëfarë mënyre kryesisht të qetë, në njërën anë, dhe për luftërat konstante që karakterizuan historinë evropiane shekuj me radhë, si për dy periudha të ndryshme kohore. Në të vërtetë, ato janë dy procese të mishëruara në njëra–tjetrën. Kur kësaj i shtojmë edhe nevojën e qasjes studimore, e cila do të nisej nga shpjegimi i shkaqeve të nacionalizmit, atëherë, do të ishte paradoksal cilësimi i tij si vetëm si i keq apo irracional.

 

Elementët që i glorifikon nacionalizmi janë kryesisht komponentet që përcaktojnë etnicitetin, por ngritja apo zbehja e përkushtimit të çfarëdoshëm ndaj kredos nacionaliste gati gjithnjë është e lidhur me disa rrethana të caktuara sociale dhe ekonomike.

 

Njëri nga këta ekementë mund të jetë gjuha. Tendenca për relativizimin e saj i irriton nacionalistët. Për ta, ajo është shpeshherë vet kuptimi i kombit. Isaiah Berlin, shpjegonte se si për individidët, është e një rëndësie të pazëvendesueshme funksioni që luan gjuha, nëse ata i përkasin një kolektiviteti me identitet të njejtë etnik. Ajo që është më e rëndësishme për ta në raport me gjuhën që e përdorin, ka të bëjë me kënaqësinë që ata përjetojnë kur gjuha u mundëson atyre të kuptuarit se ata i takojnë një kolektiviteti që poashtu flet këtë gjuhë dhe se vetëm si të tillë mund të ndjehen se ‘’janë dikush në këtë botë’’, dikush që ndryshojnë nga ata që janë ‘’të Tjerët. Unifikimi i gjuhës në shumë shtete kombëtare ishte njëri ndër parakushtet kryesore të artikulimit të ndjenjave nacionaliste.

 

Feja, gjithashtu mund të jetë element qenësor i etnicitetit, bile në raste të caktuara ai mbi të cilin fundamentohen ndjenjat nacionaliste. Në Irlandën e Veriut, të qenit protestant, nga katolikët konceptohet si servilizëm ndaj shtetit britanik dhe tradhti ndaj shtetit irlandez. Për protestantët, të qenit katolik do të thotë, para së gjithash, të mos dëshirosh të jesh britanik, bile edhe më shumë: t’i përkasësh një kolektivi i cili anatemohet dhe akuzohet nga ta për nënshtrim para forcës së James-it të II-të, me ç’rast ata u konvertuan nga protestantë që ishin, në katolikë, një histori kjo më e vjetër se 400 vjeçare. Konotacioni etnik i komponentës fetare, në këtë rast, ndërtohet mbi konceptin e një lojalisti, për të cilin ‘’të jesh britanik, do të thotë, në thelb, të jesh protestant’’16.

 

Prejardhja e përbashkët është jo rralë element puro etnik mbi të cilën nacionalizmi gjen prehjen e tij më të plotë. Por se, ky element është ai i cili më së shpeshti ka lidhje me mitet. Ato i japin kombit dimensione hyjnore të prejardhjes së përbashkët. Një mit ku ndërthurren komponenta gjuhësore, fetare dhe ajo e prejardhjes së drejtëpërdrejtë hyjnore të kombit është fakti se ‘’qysh në shekullin 12, shfaqet në Gjermani ideja sipas të cilës Adami dhe Eva flisnin gjermanisht…’’ 17.

 

Nacionalizmi në vend të fesë dhe funksioni i plotësimit të zbraztësirave shpirtërore të njeriut në epokën e industrializmit: dy procese të gërshetuara

 

Lindja e nacionalizmit është proces kompleks që s’ekzistonte para lindjes së kombeve. Ai është, gjithashtu, edhe një fenomen që vjen e forcohet në proporcion të zhdrejtë me humbjen e forcës ndikuese të fesë sidomos në kohët e modernizmit të shekullarizuar evropian. Identiteti më i fortë i individit mesjetar ishte feja. ‘’Ideali mesjetar nënkuptonte besimin e patundur se të gjithë kombet dhe popujt, janë pjesë e një bashkësie të madhe. Siç thoshte Gëteja: ‘’Më lart se populli është njerëzimi (…)’’ 18.

 

Nga konteksti i ngjashmërive të nacionalizmit me fenë, studjuesit e shumtë mbrojnë qëndrimin se, nacionalizmi për nga natyra përfaqëson njëfarë ‘’feje të modernitetit’’, veçanërisht për nga forca e tij ndikuese (B. Anderson, E. Gellner, John Lukacz, Urs Altermatt etj.)

 

Për Bennedict Anderson-in, vendimtar në humbjen e ndikimit të fesë është shekulli 16. Për të, në këtë kohë ‘’bindjet themelore që e humbën veprimin e tyre mbi njerëzit ishin tri: bindja që shkrimi i shenjtë i jepte njerëzve çelësin për te e vërteta, besimin te një hierarki shoqërore që e kish paracaktuar Zoti dhe barazvlerësimi i kohës kozmike me kohën historike. Besimi transcendental e humbi forcën e vet vepruese, pasiguria u përhap ngado. Në këtë situatë, nacionalizmi mbushi zbraztësitë e krijuara’’19.

 

Nisur nga koncepti për natyrën e nacionalizmit si një kategori emotive e cila mbush disa zbraztësi shpirtërore nga humbja e ndikimit të atyre forcave që më parë e luanin këtë rol, nuk qëndron larg as Ernest Gellner, për të cilin ‘’nacionalizmi është një përshtatje funksionale ndaj modernizmit, një përpjekje që përmes shtetit-komb, të ofrohen ritet e përkatësisë kolektive, dhe lidhjet të cilat më parë i ofronin fisi, fshati dhe bashkësia lokale’’20. Duke e përgënjeshtruar konceptin dyrkemian për tendencën kontinuale të fesë që gjithnjë të transmormohet për nga manifestimi i saj, dhe që gjithnjë të mbetet forca më me influencë për kohezionin grupor, Gellner-i, mendon që ‘’shoqëria nuk po e nderon më veten përmes simboleve fetare; kultura e lartë, moderne, e formësuar (…) i thurrë vetes lavde me këngë e valle që i huan (duke i stilizuar në proces e sipër) nga folkkultura e cila ëmbëlsisht i beson vetes të jetë formësuar, mbrujtur dhe riafirmuar’’21. Për të, industrializimi ishte ai proces që shkërmoqi përfundimisht dominimin e mënyrës së organizimit tribalist të jetës së grupeve në ‘’shoqërinë agrare’’.

 

Nga konteksti i ndjesisë që ngjallë, ‘’nacionalizmi është mesa duket në gjendje ta zëvendësojë fenë, për arsye se ai kënaqë nevojën fetare të shqisave dhe të bashkësisë. Ndërkohë që largoheshin nga feja e tyre e krishterë dhe praktikat e përditshme fetare, njerëzit filluan të kërkojnë zgjidhje zëvendësuese. Pika vendimtare e kthesës ishte pothuajse në të gjitha vendet industrializmi i cili e nxiste indiferencën fetare dhe çlironte lidhjen me kishën. Kjo solli një vakuum shpirtëror i cili u mbush në Evropë me përmbajtje besimtare e nacionaliste’’23.Pas kësaj filluan përpjekjet e shtetit (të lidhura ngusht me veprimtarinë intelektuale e udhëheqëse të elitave) për unifikimin e gjuhës dhe sistemit arsimor. Këtu, pra, ‘’shteti nuk e ka vetëm monopolin e dhunës legjitime, por poashtu edhe akreditimin e kualifikimit arsimor. Kështu ndodh martesa e e shtetit me kulturën dhe ne e gjejmë veten në Epokën e Nacionalizmit’’22. Dhe, në këtë mënyrë ‘’shoqëritë e industrializuara ishin të parat shtete njëkombëshe që filluan të ekzistojnë’’23. Kur kësaj i shtojmë atë që B. Anderson e sheh si moment kryesor për krijimin e konceptit të kombit nga njerëzit, pra fillimin e procesit të shtampimit (botimit, editimit) të revistave, librave etj., atëherë vjen e na krijohet vetëdija për kombin si ‘’komunitet imagjinar’’, mundësia që të imagjinohet një komunitet ku edhe ata që s’i njeh dhe ndodhta s’do t’i njohësh kurrë, flasin të njejtën gjuhë dhe i përkasin po këtij ‘’komuniteti imagjinar’’.

 

Ajo që i karakterizon studjuesit e nacionalizmit të tipit të E. Gellner-it dhe B. Anderson-it, është mendimi se nacionalizmi është një fenomen i cili ushqen emocione të caktuara, e i cili gjen ‘’truall’’ të përshtatshëm pikërisht në kohën kur ndodhin ndryshime shoqërore, të cilat manifestohen si përmbysje të natyrës së marrëdhënieve sociale deri atëherë ekzistuese, qoftë për arsyen e kthesave radikale që bëri procesi thelbësor i modernizmit – industrializmi, qoft rrëgjimi i lidhjes speciale që ushqente njeriu me autoritetin transcendental hyjnor, proces ky që u determinua nga ai i pari.

 

Ideatorët e nacionalizmit: elitat intelektuale si gjeneratorë të doktrinës nacionaliste

 

Sa herë flasim për nacionalizmin s’duhet të harrojmë se ai s’është frymë karakterizuese vetëm e masave: ai para së gjithash u ka takuar elitave jo vetëm udhëheqëse, por edhe atyre intelektuale.

 

Në Evropë, kjo karakteristikë u vishet zakonisht gjermanëve. Mendimtarë e filosofë si Herder-i, Schlayermaher-i, Fichte e deri edhe Hegel-i, ishin ata që sa herë folën për kombin, gjithmonë e veshën atë me elementë cilësisht superiorë. Kur Hegel-i në konceptin e tij për kombin e mbarsë atë me destinacionin përfundimtar dhe sublim të tij – arritjen e shtetit ose kur pohonte se ‘’një vend përbën një realitet më të rëndësishëm e më me vlerë se cilido indidvid (…) ai a’bënte gjë tjetër veçse thoshte qartë, e në mënyrë filosofike atë që mendojnë sot shumë nacionalistë’’24, dhe se ai s’ishte veçse në pozicionet e një flamurtari të idesë së kombit të ‘’etnosit’’. Ky mendim i Hegel-it edhe pse një artikulim i konceptit për kombin-shtet, koncept i cili është shumë i varur nga gjendja politike në të cilën gjendej kombi i tij atëkohë, megjithatë, ideja e tij për domosdoshmërinë që kombi ta ketë edhe shtetin e tij, ngërthen njëfarë qëllimësie imanente të një kolektiviteti të caktuar me një shkallë mjaft të pjekur identiteti përballë nevojës për një institucion ku ky kolektiv do të mund të siguronte kushtet për zhvillim të gjithanshëm.

 

Fichte shkon edhe më larg. Ai në konceptin e tij për kombin, i hyn një përpjekjeje që synon nxjerrjen e domosdoshmërisë që kombi gjerman t’i sundojë të tjerët, nga njëfarë epërsie të kombit gjerman që sipas Chantal Millon – Delsol-it, Fichte e koncepton të një natyreje ontologjike, pra ‘’ndryshim cilësor në rangun e qenies’’, e që ‘’përligjet me lashtësinë e origjinës, me lashtësinë specifike’’. Bindja për këtë lashtësi origjine, për pastërtinë e kombit e të racës, për superioritetin jo vetëm intelektual ‘’të sojit’’ të cilit i përket, s’pranon të mbetet vetëm në pozicionet e konceptit hegelian të ‘’kombit për vete’’. Kjo sepse ‘’siguria e madhështisë lind mitin e misionit universal dhe shpëtimtar’’25. Që këtu, koncepti morbid se ‘’të Tjerët’’ kanë nevojë për nënshtrimin para një force qytetëruese që përfaqëson kombi të cilit i takon, në të vërtetë një shpikje që vjen nga miti për lashtësinë, konsiston në nevojën ‘’qëllimmirë’’ që ‘’Ata’’ të edukohen. Kjo bindje i jep kombit qëllimin mesianik për t’u qytetëruar ‘’të Huajt’’. Kjo ishte përmbajtja kryesore e miteve mbi të cilat u ushqye vite më vonë ideologjia naziste.

 

Aty ‘’domosdoshmëria’’ që ‘’të Tjerët’’ të jenë të sunduar nga populli gjerman, që raca ariane të sunduese dhe qytetëruese e popujve tjerë, ‘’të lindur’’ për të qenë të nënshtruar nga ajo, kulminon me tërë irracionalitetin e saj për të kaluar gati në një demencë kolektive të shoqërisë gjermane të asajkohe.

 

Dy lloje të nacionalizmit: Raporti i ‘’Ne’’-së me ‘’të Tjerët’’

 

Varësisht se a është nacionalizmi doktrinë e lartësimit të komponenteve primordiale të identitetit etnik, apo parim që nga konteksti i këtij identiteti si qenësore i sheh kategoritë politike si territori dhe ligji i përbashkët, nacionalizmi shpesh është ndarë në nacionalizëm etnik dhe në atë qytetar.

 

Nacionalizmi etnik, si doktrinë do t’i përgjigjej konceptit për ‘’kombin e kulturës’’ ose të ‘’etnosit’’, përderisa naionalizmi qytetar ka të bëjë me ‘’kombin e shtetit’’ apo të ‘’demosit’’. ‘’Nacionalizmi qytetar, pohon se kombi duhet të përbëhet nga të gjithë ata që, pavarësisht nga raca, ngjyra, besimi, seksi, gjuha apo etniciteti, i përkushtohen kredos politike të kombit. Ky nacionalizëm quhet qytetar, me të drejta të barabarta (të individëve që e përbëjnë atë; vër. ime), të bashkuar në një lidhje patriotike, të mbështetur në pjesëmarrjen e barabartë, në praktikat dhe vlerat politike të komunitetit. Ky nacionalizëm është patjetër demokratik, përderisa ai i jep sovranitet gjithë popullit’’26. Nisur nga natyra e nacionalizmit qytetar, kuptojmë se këtu kemi të bëjmë me aspiratën e një komuniteti, që për identitet etnik t’i referohet kategorive të atilla, që, të vëna si kritere përkatësie për atë identitet, s’përjashtojnë askë nga mundësia që t’i përkasë atij.

 

Në anën tjetër kemi nacionalizmin etnik. ‘’Nacionalizmi etnik, në kontrast me nacionalizmin qytetar, shpall se një individ lidhjet më të thella i trashëgon, nuk i zgjedhë. Është komuniteti kombëtar, ai që përcakton individin dhe jo individët ata që përcaktojnë komunitetin kombëtar’’27. Kjo pashmangshëm çon në atë që Edgar Moren-i e quante ‘’mëkati i obsesionit të purifikimit’’. Në këtë rast, natyra diferencuese e këtij nacionalizmi lartëson ‘’substancën e pastërt kombëtare’’ duke vënë kritere të atilla përkatësie që e mbajnë atë larg çdo ‘’përzierje’’ me ‘’të Tjerët’’, ata që s’janë ‘’Ne’’. Raporti i ‘’Ne’’-së me ‘’të Tjerët’’, këtu s’ka se si të mos kalojë në një vetëkonceptim të ‘’Ne’’-së si më superiore se ‘’të Tjerët’’. Në të kundërtën, nuk do të kishte kurrfarë arsye që të ndalohej përzierja e ‘’Ne’’-së me ‘’të Tjerët’’ nëse këto dy komunitete në përkatësitë e tyre etnike nuk shohin asfarë superioriteti. Por kjo në praktikën që karakterizojnë kolektivitetet me identitete të ndryshme etnike, nuk ndodhë shpesh sepse ‘’dallimet etnike rrallëherë janë “neutrale”” 28. Në këtë situatë nacionalizmi s’mundt të jetë i suksesshëm veçse kur potencon njëfarë rreziku që mund t’i kanoset mirëqenies së komunitetit nëse ai do të humbte identitetin e tij të lashtë nga përzierja me ‘’të Tjerët. Me fjalë të tjera ‘’nëse nacionalizmi përligj një apel për besnikëri ndaj gjakut, dhe, si pasojë sakrificën e gjakut, ai e bën këtë në mënyrë bindëse vetëm nëse u bën thirrje tipareve më të mira të karakterit njerëzor (…)’’29. Ajo ‘’Ne’’, atëherë, mund të mbijetojë vetëm duke i ushqyer që i përkasin asaj me pohime se madhështia e gjithanshme e saj do të zbehej me përzierjen e ‘’Ne’’-së me ‘’të Tjerët’’.

 

Raporti i ‘’Ne’’-së me ‘’të Tjerët’’ në rastin e nacionalizmit qytetar është fleksibil. Këtu ‘’Ne’’-ja ndoshta edhe do të mund ta konceptonte veten si më superiore se ‘’të Tjerët’’, por ajo është e hapur ndaj atyre që janë ‘’të Tjerët’’ dhe është vullneti i ‘’të Tjerëve’’ ai që mund t’i bëjë ata të jenë ‘’Ne’’. Kështu që, në këtë rast, kemi një proces të vazhdueshëm të ndryshimit të ‘’Ne’’-së, por gjithnjë duke mbetur ‘’Ne’’. Përderisa nacionalizmi etnik mendon se ‘’Ne’’-ja duhet edhe më tej të mbetet ‘’Ne’’ vetëm se e tillë ishte edhe për stërgjyshërit tanë, ‘’Ne’’-ja e nacionalizmit qytetar ribëhet ‘’Ne’’ vazhdimisht, pavarësisht se çfarë ‘’Ne’’-je kishte qenë më parë.

 

Natyra kohezive dhe ajo çintegruese e nacionalizmit

 

Karakteri koheziv dhe ai çintegrues i nacionalizmit nuk duhet ngatërruar si procese të cilat për nga objekti në të cilin manifestohen janë të njejta. Pikërisht se manifestohen njëherësh, edhe natyra e tyre ështe e ndryshme.

 

Nacionalizmi si forcë kohezive/strukturore sociale është manifestim i integrimeve grupore rajonale apo shtetërore brendanacionale. Ndërkaq, si forcë shoqërore çintegruese, vjen e bëhet i tillë kryesisht në shtete federale, të cilët ngërthejnë komunitete me identitete të forta etnike. Pra, mund te flasim për natyrën kohezive të nacionalizmit kryesisht në kontekstin e ndjenjës së lidhshmërisë grupore që ai efekton te komuniteti me identitet të caktuar etnik, përderisa për karakterin çintegrues të nacionalizmit mund të flasim vetëm nga aspekti i rrjedhojave izoluese që ai u shkaton dy apo me shumë komuniteteve me identitete të ndryshme etnike. Në rastin e fundit, sforcimi i ndjenjave ndaj komponenteve primordiale të identitetit etnik zakonisht çon në shkatërrimin e shteteve me rregullim shtetëror federal dhe krijimin e njësive të reja shtetërore me tendencën që kufijtë shtetëror të jenë aq sa të jetë e mundur të perputhshëm me ata kulturorë/etnikë. Shembuj të kërtyre proceseve janë shkatërrimi i ish Çekosllovakisë dhe krijimi i dy shteteve të reja: atij çek dhe atij sllovak, dhe shkatërrimi i ish federatës jugosllave, prej të cilës u formuan njësi të reja shtetërore. Nëse nacionalizmi luan rolin e forcës kohezive për komunitetin, mund të bëjmë fjalë kryesisht për forcën e tij mobilizuese të çfarëdo natyre për arritjen e një synimi të caktuar të komunitetit. Dhe, historia tregon se nacionalizmi ka arritur shpesh të realizojë qëllimet që i ka parashtruar vetes sepse ai, përfaqëson atë fenomen që ‘’është në gjendje të përfshijë forcat shoqërore përtej gjithë shtresave sociale dhe pozicioneve ideologjike (…)’’ 30.

 

Nacionalizmi rrallë herë ka arritur të jetë nje fenomen i izoluar. Bile ai shpesh ka qenë përftues i një nacionalizmi tjetër, sa herë që ai ka qenë i veshur me vell hegjemonizmi. Nëse nacionalizëm quhet një prirje e kolektivitetit që, ushqyer nga mite, të jetë në gjendje të realizojë qëllime që shkojnë deri aty sa t’i asgjësojnë edhe fizikisht pjesëtarët e komunitetit tjetër etnik, ai zakonisht nxitë një kundërpërgjigje të domosdoshme nacionaliste. Kur nacionalizëm quhet reagimi i pjesëtarëve të një kolektiviteti si mbrojtje nga një gjenocid, me qëllim të shpëtimit, në radhë të parë të integritetit të tyre fizik, atëherë kjo prodhon një ndjenjë që s’i përket më vetëm individit. ‘’Përpara përvojës së një gjenocidi, një popull mund të mos besojë se i përket një kombi. Përpara gjenocidit ai mund të besojë se është një çështje e zgjedhjes së tij personale nëse i përket apo beson te një komb. Pas gjenocidit, ky besim shndërrohet në fatin e tij’’31. Dhe, do të shtoja që, komuniteti që përjetoi këtë fat është vështirë të bindet se s’meriton asgjë dhe se duhet të ketë mendime të njejta për komponentet e identitetit etnik, si ato që kishte para se t’a përjetonte gjenocidin.

 

Shumë studjues pranojnë mendimin se përmasat e një gjenocidi që përjeton një popull pa shtet mund të jenë vendimtare që ai të bindë të tjerët shtete se, nëse ai vazhdon të mbetet edhe me tej i tillë, mund të jetë viktimë gjenocidesh të tjera që mund t’i ndodhin atij.‘’Historia e gjenocidit dhe e nacionalizmit janë të ndërthurrura me njëra-tjetrën. Ishte gjenocidi ai që bindi hebrenjtë, madje edhe botën se ata do të ishin një popull gjithmonë i pasigurtë përderisa nuk kishin një komb-shtet të vetin’’32. Përpjekjet për krijimin e shtetit izraelit kishin qenë gjithnjë të pranishme jo vetëm te ta, por, ai që përligji meritën për një shtet-komb për ta është përjetimi i gjenocidit. Para gjenocidit nazist, hebrenjtë pak do të kishin gjasa që krijimin e shtetit të tyre ta arsyetonin me argumente të së drejtës historike për ta pasur atë. Pas tij, kjo e drejtë historike themel kishte pafajësinë e një kombi të pafuqishëm që t’i kundërvihej atij gjenocidi, nga mungesa e shtetit-komb, gjë që komrpomentoi deri në fajësi mekanizmat e atëhershëm ndërkombëtar për parandalimin e tendencave hegjemoniste të komb-shteteve të atëhershme. Për hebrenjtë, lashtësia e kombit hebre, që lidhej edhe me dofarë bindjesh speciale për të qenit ‘’të përzgjedhurit e hyjnisë’’, pa gjenocidin nuk do të ishte argument i mjaftueshëm për meritimin e një kombi shtet në një territor të cilin s’e banonin me shekuj.

 

Evropa si industri e nacionalizmit (apo pse ai ka të drejtë të jetë vështirë i tejkalueshëm)

 

S’do të gabonim nëse pohojmë se e ardhmja e nacionalizmit evropian do të mund të jetë shumë e pasur, e frytshme. Nëse pranojmë pikëpamjen e studjuesit të madh të nacionalizmit, Hugh Seton-Ëatson, se nacionalizmi është një fenomen i cili s’mund t’i karakterizojë ata popuj që s’e kanë ‘’shijuar’’ asnjëherë robërinë nga popuj tjerë, atëherë, mendimet që synojnë ta shqyrtojnë atë si një proces i cili do të jetë shpejt i tejkalueshëm nga zhvillimi i gjithanshëm social, por kryesisht nga ai ekonomik, me të drejtë do të duhej të shiheshin me dyshim: çka nëse janë të rralë ata popuj që asnjëherë s’e ‘’shijuan’’ ndjenjën e të qenit i pushtuar? (në evropë këta janë vetëm anglezët)

 

Se nacionalizmi ishte një fenomen që lidhej vetëm me të kaluarën, u mendua edhe në dy dekadat e para të pas Luftës së Dytë Botërore. U mendua poashtu se Evropa, në alternativën që e kishte parashtruar Karl Jaspersi, po shkonte kah helvetizimi e jo kah ballkanizimi i saj. U besua fort se kombe të tëra mund të jetonin në harmoni me njëra-tjetrën pa pasur nevojë të masakrohen. Pastaj jo ta rrala ishin edhe pikëpamjet se mitet e kishin humbur infuencën e tyre dhe s’mund t’i shtyenin kombet drejt luftërave të përgjakshme. Por, të gjithë këta që menduan kështu dhe i jetuan dy dekadat e fundit të shekullit që sapo e lamë pas, u zhgënjyen keq. Nacionalizmi tashmë ishte kudo, por kësaj radhe i mbarsur me parimin e idesë dyrkemiane për transformim të vazhdueshëm, por jo edhe për zhdukjen përfundimtare të tij. Ai ishte në ksenofobinë, racizmin dhe populizmin evropian. Shumëkush s’e shihte, por ai vetëm kishte ndërruar pamje.

 

Po të analizohet me vëmendje harta e Evropës në dy shekujt e fundit, do të vëreni procesin gradual të atomizimit të kësaj hapësire në dhjetëra komb-shtete. Nacionalizmi ishte gjeneratori, forca shtytëse i këtij procesi. 

 

 

Referencat

 

1) ‘’Etnonacionalizmi në Europë’’, Urs Altermatt, 2002

2) ‘’Gjaku dhe përkatësia: Udhëtime në nacionalizmin e ri’’, Michael Ignatieff, 2000

3) ‘’Nations and nationalism’’, Ernest Gellner, 1983 (botimi i parë i veprës)

4) ‘’Sociologjia’’, Anthony Giddens, 1997

5) ‘’Shndërrimi i etnisë’’, Anton Kolë Berishaj, 1998

6) ‘’Të kesh apo të jesh’’, Erich Fromm, 2001

7) ‘’Arratisje nga liria’’, Erich Fromm, 1998

8) ‘’Idetë politike të shekullit XX-të’’, Chantal Millon-Delsol, 2000

9) ‘’Ese mbi individualizmin: Një vështrim antropologjik mbi ideologjinë moderne’’, Louis Dumond, 1997

10) ‘’Situatat’’, Jean-Paul Sartre, 1986

11) ‘’Origjinat e totalitarizmit’’, Hannah Arendt, 2002

12) ‘’Konditat e lirisë: Shoqëria civile dhe rivalët e saj’’, Ernest Gellner, 2002

13) ‘’Hyrje në një politikë të njeriut’’, Edgar Moren, 1998

14) ‘’Mendimi politik’’, Glen Tinder, 1993

 

*Autori është i diplomuar në filozofi.


0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.



Some HTML is OK

or, reply to this post via trackback.