Skip to content


Joseph E. Stiglitz, Globalizimi dhe premtimi i institucioneve globale

Përkthyen: Adnan KIKA dhe Gëzim SELACI

 

Burokratët ndërkombëtarë – këta simbole anonime të rendit botëror ekonomik – janë të sulmuar kudo. Takimet e mëparshme jointeresante të teknokratëve të panjohur, të cilët trajtonin tema të rëndomta, siç janë huaja koncesionale dhe kuotat tregtare, tani janë bërë skena të përleshjeve të ashpra në rrugë dhe të demonstratave të mëdha. Protestat gjatë takimit të Organizatës Botërore të Tregtisë në Sitëll (Seattle) në vitin 1999 qenë tronditëse. Që atëherë, lëvizja është forcuar dhe zemërimi është përhapur. Në të vërtetë, çdo takim i rëndësishëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i Bankës Botërore dhe i Organizatës Botërore të Tregtisë tani është skenë konflikti dhe trazire. Vdekja e një protestuesi në vitin 2001 në Gjenova ishte vetëm fillimi i shumë viktimave të mundshme në luftën kundër globalizimit.

 

Trazirat dhe protestat kundër politikave dhe veprimeve të institucioneve të globalizimit nuk janë të reja. Për dekada me radhë, njerëz nga bota në zhvillim kanë protestuar atëherë kur programe të ashpra të imponuara në shtetet e tyre, u treguan se janë shumë të vrazhda, mirëpo në përgjithësi protestat e tyre nuk viheshin re në Perëndim. Risi është vala e protestave në shtetet e zhvilluara.

 

Dikur ishte e zakonshme që temat si huatë për përshtatje strukturore (programe që ishin planifikuar për t’iu ndihmuar shteteve të përshtaten dhe të kalojnë krizat) dhe kuotat për import të bananeve (kufizimet që disa shtete evropiane ia vënin importit të bananeve nga shtetet tjera përveç ish-kolonive të tyre), u interesonin vetëm disave. Tashmë edhe fëmijët gjashtëmbëdhjetë vjeçar të periferive kanë pikëpamje të zhvilluara për marrëveshjet e fshehta, siç janë GATT (Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifa dhe Tregti) dhe NAFTA (Zona e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë, marrëveshje e nënshkruar në vitin 1992 nga Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja që lejonte qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe investimeve – por jo të njerëzve – ndërmjet këtyre shteteve). Këto protesta kanë shkaktuar brejtje të ndërgjegjes te pushtetarët. Madje edhe politikanët konservatorë, siç është presidenti i Francës Zhak Shirak, shfaqën shqetësimin e tyre se globalizimi nuk po e përmirëson jetën e atyre që kanë më së shumti nevojë për përfitimet e premtuara të tij. Gati gjithkush e ka të qartë se diku është bërë gabim trashanik. Thuajse brenda një nate, globalizimi është bërë çështja më urgjente e kohës sonë, diçka për të cilën debatohet që nga sallat e mbledhjeve dhe faqet e opinioneve dhe redaksionale të gazetave e deri te shkollat anekënd botës.

 

Përse globalizimi – kjo forcë që solli aq shumë të mira — u bë aq kundërthënës? Hapja ndaj tregtisë ndërkombëtare i ndihmoi shumë shtete të zhvillohen shumë më shpejt se sa do të mund të zhvilloheshin në kushte të tjera. Tregtia ndërkombëtare ndihmon zhvillimin ekonomik, kur eksporti i vendit i japin shtysë rritjes ekonomike. Zhvillimi i shtyrë nga eksporti, ishte baza e politikës industriale që pasuroi pjesën më të madhe të Azisë dhe ua përmirësoi dukshëm gjendjen miliona njerëzve atje. Për shkak të globalizimit, shumë njerëz në botë tani jetojnë më gjatë se përpara, kurse standardi i jetës së tyre është shumë më i lartë. Njerëz në Perëndim mund ta konsiderojnë punën me pagë të ulët në Nike si eksploatim, por për shumë njerëz të botës në zhvillim, të punuarit në një fabrikë është një zgjedhje shumë më e mirë sesa të qëndruarit në fermë dhe kultivimi i orizit.

 

Globalizimi ka zbutur ndjenjën e izolimit, që ka ndier pjesa më e madhe e botës në zhvillim, dhe shumë njerëzve atje u ka krijuar mundësi më të madhe për dije, madje më të madhe se sa të njeriut më të pasur në cilindo shtet në shekullin e kaluar. Vetë protestat antiglobaliste janë rezultat i kësaj lidhjeje. Lidhjet në mes aktivistëve nga pjesë të ndryshme të botës, veçanërisht lidhjet e krijuara përmes komunikimit në internet, shkaktuan trysni që rezultoi me traktatin ndërkombëtar të minave tokësore – përkundër kundërshtimit të shumë qeverive të fuqishme. I nënshkruar nga 121 shtete në vitin 1997, ky traktat zvogëloi mundësinë që fëmijët dhe viktimat e tjera të pafajshme, të gjymtohen nga minat. Po kështu, një trysni publike e koordinuar mirë, detyroi bashkësinë ndërkombëtare që të shlyente borxhet e disa shteteve më të varfra. Edhe në situata kur globalizimi ka anë negative, megjithatë, ai sjell edhe përfitime. Hapja e tregut xhamajkian të qumështit për importet e ShBA-ve në vitin 1992, mund të ketë dëmtuar prodhuesit lokalë të qumështit, por kjo po ashtu u mundësoi fëmijëve të varfër të blinin qumështin më lirë. Firmat e reja të jashtme mund të dëmtojnë ndërmarrjet e mbrojtura shtetërore, por ato po ashtu mund të sjellin futjen në përdorim të teknologjive të reja, hyrjen në tregje të reja dhe krijimin e industrive të reja.

 

Ndihma e jashtme, një aspekt tjetër i botës së globalizuar, me gjithë të metat e saj, prapëseprapë ka sjellë përfitime për miliona njerëz, shpesh në mënyra të cilat thuajse nuk janë vërejtur fare: projekti i financuar nga Banka Botërore u ofroi punë guerilëve në Filipine, e ata i dorëzuan armët; projektet e vaditjes kanë rritur më shumë se dyfish të ardhurat e fermerëve që patën fatin të përfitonin nga këto programe; kurse projektet arsimore kanë rritur shkallën e arsimimit në zonat rurale dhe në disa shtete projektet për SIDA-n kanë penguar përhapjen e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

 

Ata që flasin kundër globalizimit, shpesh nuk i vënë re dobitë e tij. Por ithtarët e globalizimit janë edhe më të çekuilibruar. Për ta, globalizimi (që në mënyrë tipike lidhet me pranimin e kapitalizmit ngadhënjyes të stilit amerikan) është progres dhe shtetet në zhvillim duhet ta pranojnë atë, nëse dëshirojnë të zhvillohen dhe ta luftojnë varfërinë. Por shumë shteteve të botës në zhvillim, globalizimi nuk u ka sjellë dobitë e premtuara ekonomike.

 

Hendeku në rritje ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, ka rezultuar që gjithnjë e më shumë njerëz të Botës së Tretë të mbesin në varfëri të skajshme, duke jetuar me më pak se një dollar në ditë. Me gjithë premtimet e përsëritura për uljen e varfërisë, të bëra gjatë dekadës së fundit të shekullit njëzet, numri i tanishëm i njerëzve që jetojnë në varfëri, në të vërtetë është rritur për gati 100 milionë. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë kur të ardhurat e përgjithshme botërore u rritën për afro 2.5 për qind në vit.

 

Në Afrikë, aspiratat e larta, pas pavarësimit të vendit nga kolonializmi, kryesisht nuk u përmbushën. Përkundrazi, kontinenti po zhytet më thellë në mjerim, ndërkohë që të ardhurat shënojnë rënie dhe standardi i jetesës vazhdon të bie. Rritja e shkallës së jetëgjatësisë, e arritur me vështirësi në disa dekada të kaluara, ka filluar të ngecë. Ndërkohë që sëmundja e SIDA-s është arsyeja kryesore e kësaj, varfëria po ashtu është bërë një vrasëse e popullatave. Madje edhe shtetet që kanë braktisur socializmin afrikan dhe kanë arritur të krijojnë qeveri mjaft të ndershme, që kanë baraspeshuar buxhetet e tyre dhe që e kanë mbajtur të ulët inflacionin, thjesht, nuk mund të tërheqin investitorë privatë. Pa këto investime, ato nuk mund të kenë zhvillim të qëndrueshëm.

 

Nëse globalizimi nuk ka pasur sukses në uljen e varfërisë, ai nuk ka pasur sukses as në krijimin e qëndrueshmërisë. Kriza në Azi dhe në Amerikën Latine ka kërcënuar ekonominë dhe qëndrueshmërinë e të gjitha shteteve në zhvillim. Ekziston frika e se infeksioni financiar do të përhapet në mbarë botën, ashtu që kolapsi i një valute të ndonjërit nga këto vende, do të parakuptonte edhe rënie të të tjerave, gjithashtu. Për një kohë, në vitet 1997 e 1998, u duk se kriza aziatike kërcënonte tërë ekonominë e botës.

 

Globalizimi dhe shfaqja e ekonomisë së tregut nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara në Rusi dhe në shumicën e vendeve të tjera, të cilat po kalonin nga komunizmi në ekonomi tregu. Këtyre shteteve Perëndimi u kishte thënë se sistemi i ri ekonomik do t’u sillte prosperitet të pashembullt. Mirëpo, në vend të kësaj, ai solli varfëri të pashembullt: për shumicën e njerëzve, ekonomia e tregut, në shumë aspekte, u tregua më e keqe se sa që kishin parashikuar prijësit e tyre komunistë. Dallimi ndërmjet tranzicionit të Rusisë (ashtu si u planifikua nga institucionet ekonomike ndërkombëtare) dhe tranzicionit të Kinës (të planifikuar nga vetë ajo) nuk do të mund të jetë më i madh: përderisa në vitin 1990 Bruto Prodhimi i Brendshëm (GDP) i Kinës ishte sa 60 për qindëshi i atij të Rusisë, në fund të dekadës situata ndryshoi në favor të Kinës. Ndërsa Rusia qe dëshmitare e një rritjeje te pashembullt të varfërisë, në Kinë numri i të varfërve ra si kurrë më parë.

 

Kritikët e globalizimit me të drejtë i akuzojnë shtetet perëndimore për hipokrizi. Shtetet perëndimore i kanë shtyrë shtetet e varfra të heqin barrierat e tregtisë, por nuk ato nuk i hoqën barrierat e veta, duke i ndaluar me këtë shtetet në zhvillim të eksportojnë prodhimet e tyre bujqësore dhe në këtë mënyrë i privuan nga të ardhurat shumë të nevojshme nga eksporti. Një nga fajtorët kryesorë për këtë, natyrisht, ishin Shtetet e Bashkuara, dhe kjo më shqetësonte mua. Kur isha Kryesues i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, kam luftuar me mish e shpirt kundër kësaj hipokrizie, ashtu siç kanë bërë paraardhësit e mi në këshill nga të dy partitë. Kjo, jo vetëm që i dëmtoi shtetet në zhvillim, por amerikanëve u kushtoi miliarda dollarë, si konsumatorë (për çmime më të larta që u deshën të paguajnë) dhe si taksapagues (për financim të subvencione të larta për bujqësinë). Përpjekjet e mia shpesh nuk patë sukses. Ngadhënjenin interesat e veçanta tregtare dhe financiare, dhe kur kalova në Bankën Botërore, i pashë fare qartë pasojat e kësaj për shtetet në zhvillim.

 

Por, edhe kur nuk është fajtor për hipokrizi, Perëndimi zbaton globalizimin, duke siguruar një ndarje të pabarabartë të të mirave, në kurriz të Botës në zhvillim. Nuk ishte e drejtë që shtetet më të zhvilluara industriale refuzonin të hapnin tregjet e tyre për mallrat e shteteve në zhvillim – për shembull, duke i kufizuar kuotat e tyre për një mori mallrash që nga tekstili tek sheqeri – ndërkohë duke këmbëngulur që këto shtete (në zhvillim) të hapin tregjet e tyre për mallrat e shteteve më të pasura; nuk ka qenë e drejtë që shtetet më të zhvilluara industriale vazhdonin të subvenciononin bujqësinë, duke ua vështirësuar garën shteteve në zhvillim, ndërsa këmbëngulnin që këto shtete të mos subvenciononin prodhimet industriale. Nëse shihen “kushtet e tregtisë” (çmimet që shtetet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara i marrin për prodhimet e tyre) të marrëveshjes së fundit tregtare të vitit 1995 (e teta me radhë), efekti neto ishte ulja e çmimeve që disa nga shtetet më të varfra në botë i marrin në raport me çmimet që paguajnë për importet e tyre. Mu për këtë gjendja e disa shteteve më të varfra të botës u përkeqësua më shumë.

 

Bankat perëndimore përfituan nga humbja e kontrollit të tregut të kapitalit në Amerikën Latine dhe në Azi, por këto rajone pësuan humbje atëherë kur ndërroi drejtimi i lëvizjes së parave spekulative (para që hyjnë e dalin nga një shtet, shpesh brenda një nate, që zakonisht është bast në lidhje me atë se a do t’i ngrihet ose ulet vlera një valute), që para kësaj ishin derdhur në shuma të mëdha në këto vende. Dalja e papritur e parave lë prapa valuta të kolapsuara dhe sisteme bankare të dobësuara. Raundi i Uruguait po ashtu përforcoi të drejtat mbi pronën intelektuale. Kompanitë amerikane dhe perëndimore të barnave nuk kanë mundur të parandalojnë kompanitë e barnave nga India e Brazili të mos “vjedhin” pronën e tyre intelektuale. Por këto kompani të vendeve në zhvillim kanë prodhuar barna që shpëtonin jetën, ndërsa banorët e atyre vendeve mund t’i blinin ato me një çmim më të ulët se çmimet që ofronin kompanitë perëndimore. Pra, ekzistojnë dy anë të vendimeve që u morën në Raundin e Uruguait. Kështu, fitimet e kompanive perëndimore të barnave do të rriten. Përkrahësit thanë që kjo do t’i stimulonte më shumë ato për të bërë zbulime; por përfitimet nga shitjet në botën në zhvillim ishin të vogla, pasi që vetëm një pakicë pati mundësi t’i blejë këto barna. Prandaj, stimulimi i pritur, do të kufizohej. Ana tjetër ishte se mijëra njerëz, si të thuash, u dënuan me vdekje, meqë qeveritë dhe individët e vendeve në zhvillim nuk mund të paguanin më çmime aq të larta. Në rastin e sida-s, mllefi ndërkombëtar ishte aq i madh, saqë kompanitë e barnave u detyruan të tërhiqen dhe në fund të pranojnë t’i ulin çmimet dhe barnat t’i shesin me çmimet e fundit të vitit 2001. Por problemet kryesore që e shkaktuan këtë – meqë regjimi i pronës intelektuale, i vendosur pas Raundit të Uruguait, nuk është i baraspeshuar, sepse në masë të madhe reflektoi interesat dhe qëndrimet e prodhuesve, e jo të përdoruesve, si në shtetet e zhvilluara ashtu edhe të atyre në zhvillim – mbeten edhe më tutje.

 

Jo vetëm në liberalizimin e tregtisë, por në secilin aspekt tjetër të globalizimit, madje edhe përpjekjet që dukeshin si qëllimmira, shpesh sollën rezultate të padëshiruara. Kur dështojnë projektet e rekomanduara nga Perëndimi, qoftë në bujqësi a në infrastrukturë, që janë përpiluar sipas udhëzimeve të këshilltarëve të Perëndimit, e që i financon Banka Botërore, nëse nuk ekziston ndonjë formë tjetër e faljes së borxheve, njerëzit e varfër në botën në zhvillim prapëseprapë duhet të bëjnë shlyerjen e tyre.

 

Nëse dobitë e globalizimit nuk ishin aq të mëdha sa paralajmëronin ithtarët e tij, kostoja e paguar për globalizim është edhe më i lartë, kur merret parasysh që ambienti është shkatërruar, procesi politik është korruptuar dhe ritmi i vrullshëm nuk u ka dhënë kohë të mjaftueshme shteteve për adaptim kulturor. Krizat të cilat në fillim kanë sjellë papunësi masive, u pasuan nga probleme afatgjata të shpërbërjes shoqërore – nga dhuna urbane në Amerikën Latine, te konfliktet etnike në pjesë të tjera të botës, për shembull në Indonezi.

 

Këto probleme nuk janë aq të reja, porse reagimi botëror gjithnjë e më i fuqishëm kundër politikave që shtyjnë globalizimin është një ndryshim i rëndësishëm. Për dekada me radhë, klithmat e të varfërve në Afrikë dhe në shtetet në zhvillim në pjesët e tjera të botës, nuk janë dëgjuar pothuajse fare në Perëndim. Punëtorët në shtetet në zhvillim e dinin se diçka nuk ishte në rregull kur vërenin se krizat financiare po bëheshin gjithnjë e më të zakonshme ndërsa numri i të varfërve po rritej. Por ata nuk kishin mënyrë për të ndryshuar ligjet ose për të ndikuar institucionet ndërkombëtare financiare që i kishin shkruar ato ligje. Ata që i vlerësojnë proceset demokratike, e panë se si “kushtëzimi” (kushtet që huadhënësit ndërkombëtarë i imponuan në këmbim për ndihmën e tyre) minon sovranitetin kombëtar. Por deri në kohën kur u paraqitën protestuesit, pati pak shpresë për ndryshim dhe asnjë derë për ankim. Disa nga protestuesit ia tepruan kur kërkuan barriera më të larta proteksioniste ndaj shteteve në zhvillim, gjë që do të mund ta përkeqësonin edhe më gjendjen e rëndë të tyre. Por, pavarësisht nga këto probleme, ishin sindikalistët, studentët, mbrojtësit e ambientit – pra, qytetarët e zakonshëm – ata të cilët marshonin rrugëve të Pragës, Sitllit, Uashingtonit dhe Gjenovës që futën nevojën për reformë në agjendën e botës së zhvilluar.

 

Protestuesit e shohin globalizimin nga një aspekt shumë të ndryshëm nga ç’e sheh Sekretari i Ministrisë së Financave të Shteteve të Bashkuara, ose ministrat e financave ose të tregtisë të shumicës së shteteve industriale të zhvilluara. Dallimet në pikëpamje janë aq të mëdha, saqë lind dyshimi nëse politikanët dhe protestuesit janë duke folur apo jo për të njëjtën dukuri? A shohin ata të njëjtat fakte? A është të parit e pushtetarëve aq i mjegulluar nga interesat e veçanta dhe personale?

 

Çfarë është, pra, dukuria e globalizimit, që njëkohësisht është temë e kritikave dhe e lëvdatave aq të mëdha? Në thelb, ky është një integrim më i afërt i shteteve dhe i popujve të botës, që ka shkaktuar zvogëlimin e madh të kostos së transportit, të komunikimit dhe heqjen e barrierave artificiale të rrjedhës së mallrave, shërbimeve, kapitalit, dijes dhe (në një masë më të vogël) të njerëzve përtej kufijve. Globalizimi është shoqëruar nga krijimi i institucioneve të reja, të cilat u janë bashkëngjitur atyre ekzistuese, për të punuar përtej kufijve. Në fushën e shoqërisë civile ndër¬kombëtare, grupe të reja u janë bashkëngjitur organizatave më të , si për shembull lëvizja “Jubilee” e cila thërret për reduktim të borxheve të shteteve më të varfra, i është bashkëngjitur organizatës së Kryqit të Kuq. Globalizimin e avancojnë korporatat ndërkombëtare të cilat lëvizin tej kufijve jo vetëm kapitalin e mallrat, por edhe teknologjinë. Globalizimi gjithashtu ka përtërirë vëmendjen për institucionet ndërkombëtare ndërqeveritare të krijuara shumë kohë më parë: Kombet e Bashkuara (UN), që mundohet të ruajë paqen; Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), fillimisht e krijuar në vitin 1919, e cila promovon agjendën e vet në tërë botën nën moton “punë të ndershme”; dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), e cila përqendrohet në përmirësimin e gjendjes së shëndetit në Botën në zhvillim.

 

Një pjesë e madhe, ndoshta pjesa dërmuese, e këtyre aspekteve të globalizimit kanë qenë gjithkund të mirëseardhura. Askush nuk dëshiron të shohë fëmijën e tij duke vdekur, ndërsa dija dhe barnat ekzistojnë diku tjetër në botë. Lëndë të polemikave janë aspektet ekonomike më pak të përcaktuara të globalizimit dhe institucionet ndërkombëtare që i shkruan ligjet, të cilat detyrojnë ose i shtyjnë gjërat, siç është liberalizimi i tregjeve të kapitalit (heqja e ligjeve dhe rregullave në shumë shtete në zhvillim që ka për qëllim të stabilizojnë qarkullimin e parave të paqëndrueshme brenda dhe jashtë shtetit).

 

 

Ku është gabuar

 

Për të kuptuar se ku është gabuar, është me rëndësi të shikohet në tri institucionet kryesore që administrojnë globalizimin: FMN-në, Bankën Botërore dhe OBT-në. Veç këtyre, ka një mori institucionesh të tjera që luajnë rol në sistemin ekonomik ndërkombëtar – një numër i bankave rajonale, simotra të mëdha dhe të vogla, të Bankës Botërore, dhe një numër i madh i organizatave të OKB-së, siç janë Programi i Zhvillimit i OKB-së (UNDP) ose Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD). Këto organizata shpesh kanë pikëpamje që janë dukshëm më të ndryshme se sa ato të FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe të Bankës Botërore. ILO-ja (Organizata Ndër¬kombëtare e Punës), për shembull, shqetësohet që FMN-ja u kushton shumë pak vëmendje të drejtave të punëtorëve, ndërkohë që Banka Aziatike e Zhvillimit bën thirrje për një “pluralizëm konkurrues”, nëpërmjet të të cilit shteteve në zhvillim do t’u ofroheshin opinione alternative të strategjive përkitazi me zhvillimin, përfshirë “Modelin Aziatik” (në të cilin qeveritë, ndërsa mbështeten në tregje, marrin një rol aktiv në krijimin, formimin dhe udhëzimin e tregjeve, përfshirë edhe promovimin e teknologjive të reja, dhe në të cilin firmat do të merrnin një përgjegjësi të konsideru¬eshme për mirëqenien shoqërore të punëtorëve të tyre) që Banka Aziatike e Zhvillimit e sheh qartazi si diçka të ndryshme nga modeli amerikan i nxitur nga institucionet me seli në Uashington.

 

Në thelb të problemeve të FMN-së dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare ekonomike qëndron problemi i udhëheqjes: kush vendosë se çfarë duhet të bëjnë ato. Ato udhëhiqen jo vetëm nga shtetet më të pasura industriale por edhe nga interesat tregtare dhe financiare të këtyre shteteve, prandaj politikat këtyre institucioneve e pasqyrojnë këto interesa. Zgjedhja e udhëheqësve të këtyre institucioneve simbolizon problemin e institucioneve në fjalë dhe shumë shpesh ka kontribuuar për mosfunksionimin e tyre. Ndërkohë që pothuajse të gjitha aktivitetet e FMN-së dhe të Bankës Botërore sot bëhen në botën në zhvillim (në formë të huadhënies), në krye të këtyre institucioneve gjenden përfaqësues të shteteve të industrializuara. (Sipas zakonit ose marrëveshjes së heshtur, kryetari i FMN-së gjithherë është evropian, ndërsa ai i Bankës Botërore, amerikan). Ata zgjedhen prapa dyerve të mbyllura dhe asnjëherë nuk është kërkuar nga udhëheqësi i ardhshëm të ketë përvojë pune në botën në zhvillim. Këto institucione nuk janë përfaqësuese të vendeve që u shërbejnë.

 

Problemet është gjithashtu se kush flet në emër të shtetit. Në FMN, shtetet i përfaqësojnë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore. Në OBT ministrat e tregtisë. Secili nga këta ministra është i lidhur ngushtë me grupe të caktuara (zgjedhës) brenda shtetit të tij. Ministrat e tregtisë përfaqësojnë shqetësimet e komunitetit të biznesit, si të eksportuesve të cilët dëshirojnë të hapin tregje të reja për prodhimet e tyre, ashtu dhe prodhuesve të mallrave të cilët ia kanë frikën konkurrencës së importit. Natyrisht, këta grupe dëshirojnë të mbajnë sa më shumë që munden barriera tregtare dhe të përfitojnë nga çfarëdo subvencioni q? arrijnë ta bindin kongresin (ose parlamentin) e tyre. Fakti që barrierat tregtare rrisin çmimet për konsumatorët ose që subvencionet imponojnë barra mbi taksapaguesit atyre u intereson më pak se fitimi i prodhuesve. Aq më pak u interesojnë çështjet e ambientit dhe të punëtorëve. Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore janë të lidhur ngushtë me komunitetin financiar. Ata vijnë nga firmat financiare dhe, pas periudhës së shërbimit në qeveri, atje kthehen. Robert Rubin, ministër i financave gjatë kohës dërrmuese të periudhës për të cilën flet ky libër, ka ardhur nga banka më e madhe investuese e quajtur Goldman Sach, dhe është kthyeer te firma Citigroup, që e kontrollon bankën më të madhe komerciale, Citibank. Stan Fischer, personi numër dy në FMN gjatë kësaj periudhe, nga FMN-ja shkoi drejtpërdrejt në në Citigroup. Këta njerëz, natyrisht, botën e shohin me sy të komu¬nitetit financiar. Vendimet e cilitdo institucion natyrshëm reflektojnë pikëpamjet dhe interesat e njerëzve që i marrin këto vendime. Jo befasisht, ashtu siç do të shohim në mënyrë të përsëritur në kapitujt vijues, politikat e institucioneve ndërkombëtare ekonomike janë shpesh të lidhura ngushtë me interesat tregtare dhe financiare të institucioneve në shtetet e zhvilluara industriale.

 

Për fshatarët në shtetet në zhvillim të cilët duhet të punojnë me mund për t’ia paguar huatë e vendit të tyre FMN-së ose p?r biznesmenët të cilët bartin barrën e pagesës së taksave me vlerë të shtuar që ua imponon FMN-ja, sistemi i tanishëm i udhëhequr nga FMN-ja është sistem në të cilin ata nuk kanë përfaqësuesit e tyre në trupën e cila ua vë ato taksa. Zhgënjimi në sistemin ndërkombëtar të globalizimit nën mbrojtjen e FMN-së rritet ndërsa të varfrit në Indonezi, Marok ose Papua Guine të Re humbasin subvencionet për karburante dhe ushqime; në Tajlandë shtohet numri i të infektuarve me SIDA si rezultat i uljeve të shpenzimeve për shëndetësi sipas urdhrit të FMN-së; kurse familjet në shumë shtete në zhvillim me dhembshuri zgjedhin që të mos i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë, sepse për arsimimin e fëmijëve të tyre u duhet të paguajnë të ashtuquajturat programe për restaurim të kostos.

 

Kur nuk kanë kurrfarë mundësi të tjera për të shprehur shqetësimet e tyre dhe p?r t? bërë trysni për ndryshime, njerëzit krijojnë trazira. Natyrisht, rruga, nuk është vend ku mund të diskutohen çështjet, të formulohen politika ose t? arrihen kompromise. Por protestat janë ato që i kanë shtyrë zyrtarët qeveritarë dhe ekonomistët anekënd botës për të menduar për alternativa të politikave të dala nga Konsensusi i Uashingtonit si mënyra e vetme dhe e drejtë për zhvillim ekonomik. Po u bëhet gjithnjë e më e qartë, jo qytetarëve të zakonshëm por edhe politikanëve, dhe jo vetëm për atyre në shtetet në zhvillim por edhe në shtetet e zhvilluara, se globalizimi, ashtu siç është praktikuar, nuk e ka jetësuar at? q? përkrahësit e tij kanë premtuar, atë që ka mundur ta bëjë dhe ?sht? dashur ta bëjë. Në disa raste ai madje as që ka rezultuar me rritje ekonomike, por edhe atëherë kur e ka bërë këtë, nuk ka sjellë përfitime për të gjithë. Efektet i vendimet të politikave të Konsensusit të Uashingtonit shpesh u ka sjellë përfitime vetëm disave në kurriz të shumicës tjetër – të pasurve në në kurriz të fukarenjve. N? shumë raste interesat dhe e biznesit i kanë vënë në rend të dytë shqetësimeve për ambientin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë shoqërore.

 

Globalizimi në vetvete as nuk është i mirë e as i keq. Ai ka fuqinë të sjellë shumë të mira, ndërsa për shtetet e Azisë Lindore, të cilat e kanë përqafuar globalizimin me kushtet e tyre dhe me ritmin e tyre, ai solli një përfitim të madh, përkundër pengesës së krizës në vitin 1997. Por në pjesën më të madhe të botës nuk janë arritur rezultate të ngjashme.

 

Sot – me rënien e vazhdueshme të kostos së transportit dhe komunikimit dhe uljen e barrierave të krijuara nga vet njeriu për mallrat, shërbimet dhe kapitalin (ndonëse mbeten akoma barriera të rënda për lëvizjen e lirë të klasës punëtore) – ne kemi një proces të “globalizimit” të ngjashëm me proceset e mëhershme në të cilat u formuan ekonomitë e shtetit. Për fat të keq, nuk kemi nj? qeveri të botës, që për të gjitha vendimet do t’u përgjigjej të gjithë banorëve të çdo shteti, që ta mbikëqyrte procesin e globalizimit ngjashëm si qeveritë kombëtare që udhëhoqën procesin e nacionalizimit. Në vend të kësaj, kemi një sistem që mund të quhet qeverisje globale pa qeveri globale në të cilin udhëheqin disa institucione (Banka Botërore, FMN-ja dhe OBT-ja) dhe disa aktorë (ministrat e financave dhe tregtisë, të lidhur ngushtë me interesa të caktuara financiare dhe tregtare), por në të cilën shumica që ndikohen prej vendimeve të tyre pothuajse nuk u dëgjohet fare zëri. Është koha për të ndryshuar disa rregulla që drejtojnë rendin ndërkombëtar ekonomik, përsëri të mendohet rreth asaj se si merren vendimet në nivel ndërkombëtar – dhe në interes të kujt – dhe më pak të theksohet ideologjia, por të merret parasysh më shumë ajo që funksionon më mirë. Është kritike që zhvillimi i suksesshëm i parë në Azinë Lindore të arrihet edhe gjetiu. Nëse paqëndrueshmëria globale vazhdon, ajo do të ketë kosto shumë të lartë. Globalizimi mund të ritrajtohet dhe kur të ndodhë kjo, në mënyrë të duhur dhe të udhëhequr mirë, ashtu që të gjitha shtetet t? marrin pjesë në vendimet prej të cilave ndikohen, atëherë do të jetë e mundur të krijohet një ekonomi globale e re në të cilën zhvillimi ekonomik më i gjatë dhe më pak i paqëndruesh?m dhe në të cilin frytet e këtij zhvillimi do të ndahen në mënyrë më të barabartë.

 

Shënim: Nga libri: Globalizimi dhe pakënaqësitë e shkaktuara prej tij (Zenith 2007)