Skip to content


Samuel Huntington, Karakteristikat e luftës së vijave kritike

Përktheu: Adnan KIKA

Luftërat ndërmjet klaneve, grupeve etnike, komuniteteve fetare dhe nacioneve kanë për të qenë të dukshme në çdo periudhë dhe në çdo civilizim, sepse ato janë të rrënjosura në identitetin e popujve. E veçanta e tyre është që ato nuk përfshijnë çështje të gjera, ideologjike apo politike, me interes të drejtpërdrejtë për ata që nuk marrin pjesë, apo më mirë të themi për grupet e jashtme. Ato gjithashtu kanë të ngjarë të jenë vicioze dhe të përgjakshme, meqë këtu rrezikohen çështjet themelore të identitetit. Për më tepër, ato kanë tendencë të jenë të gjata; ato mund të ndërpriten nga pakte dhe marrëveshje, të cilat kanë tendencë të thyhen përsëri, kështu që konflikti rifillon. Por në krahun tjetër, fitorja decizive ushtarake e njërës palë në një luftë civile për identitet, rrit mundësinë e një gjenocidi.

Konfliktet e vijave kritike janë konflikte komunale ndërmjet shtetesh apo grupesh nga civilizime të ndryshme. Luftërat e vijave kritike janë konflikte të cilët kanë arritur shkallën e dhunës. Luftëra të tilla mund të shpërthejnë ndërmjet shteteve, ndërmjet grupeve joqeveritare, ose ndërmjet shteteve dhe grupeve joqeveritare. Konfliktete e vijave kritike brenda shteteve mund të përfshijnë grupe të cilat janë mbizotërues të vendosur në zona gjeografikisht të dallueshme. Në këtë rast, grupi që nuk ka kontroll mbi qeverinë normalisht lufton për pavarësi dhe nuk mund të jetë e sigurt nëse konflikti do të shuhet në qoftë se kjo gjë nuk do të arrihet. Gjithashtu, konfliktet e vijave kritike brenda shtetit mund të përfshijë grupe që janë gjeografikisht të përzier. Në këtë rast, marrëdhëniet vazhdimisht të tendosura nga koha në kohë bëhen të dhunshme, sikurse në rastin e hinduve dhe myslimanëve në Indi apo myslimanëve dhe kinezëve në Malajzi, ose një luftë e plotë mund të shpërthejë, sidomos kur shtetet e reja dhe kufijtë e tyre janë duke u caktuar. Të gjitha këto nxisin përpjekje brutale për ndarjen e njerëzve me forcë.

Ka raste kur konfliktet e vijave kritike janë përpjekje për kontroll mbi njerëz, por, kjo zakonisht ndodh kur bëhet fjalë për kontroll territoresh. Qëllimi i të paktën njërit prej pjesëmarrësve është të pushtojë territore dhe t’i çlirojë ato nga pjesa tjetër e popullsisë duke i përzënë apo vrarë ato, ose duke i bërë të dyja, që do të thotë një “spastrim etnik”. Këto konflikte kanë tendencë të jenë të dhunshme dhe të shëmtuara, ku të dyja palët kryejnë masakra, terrorizëm, përdhunime dhe tortura. Territori në rrezik është shpeshherë për njërën apo të dyja palët një simbol i lartë i historisë dhe identitetit të tyre, një tokë e shenjtë e drejta e së cilës është e padhunueshme: Bregu Perëndimor, Kashmiri, Nagarni-Karabakh, Lugina e Drino-s, Kosova.

Luftërat e vijave kritike kanë në përgjithësi disa karakteristika të ngjashme me luftërat komunale. Ato janë konflikte të zgjatura e të zvarritura. Kur ato janë zhvilluar brenda shteteve ato kanë zgjatur mesatarisht gjashtë herë më tepër se luftërat ndërmjet shteteve. Fakti që ato përfshijnë çështje themelore të identitetit dhe fuqisë së grupit i bën ato të vështira për t’u zgjidhur me negociata dhe kompromise. Por edhe në rast kur marrëveshjet arrihen, ato nuk takojnë miratimin e të gjitha palëve në secilin krah dhe zakonisht nuk zgjasin shumë. Luftërat e vijave kritike janë të një natyre ndizu-përsëri-shuhu-përsëri. Ato mund të ndizen në violenca masive dhe më pas mund të zbuten në luftëra të intensitetit të ulët apo në një armiqësi të heshtur për t’u ndezur përsëri më pas. Flakët e urrejtjes dhe identitetit komunal rrallë herë shuhen totalisht, përveçse nëpërmjet gjenocidit. Si rezultat i karakterit të tyre të përzgjatur, luftërat e vijave kritike, sikurse luftërat e tjera komunale, kanë tendencë për të shkaktuar një numër të madh vdekjesh dhe refugjatësh. të dhënat për këto duhet të trajtohen me kujdes, megjithatë figurat më të pranuara përsa i përket numrit të të vdekurve në luftërat e vijave kritike që zhvilloheshin në fillim të viteve 1990 përfshinin: 50,000 në Filipine, 50,000-100,000 në Sri Lanka, 20,000 në Taxhikistan, 50,000 në Kroaci, 50,000-200,000 në Bosnjë, 30,000-50,000 në Çeçeni, 100,000-200,000 në Tibet, dhe 200,000 në Timorin Lindor.20 Në të vërtetë, të gjitha këto konflikte rezultuan gjithashtu në një numër shumë të madh refugjatësh.

Shumë nga këto luftëra kontemporane janë thjesht rundi më i fundit në një histori të gjatë konfliktesh të përgjakshme, dhe dhuna në fund të shek. 20 i ka rezistuar përpjekjeve për t’i dhënë fund asaj. Luftimet në Sudan për shembull, shpërthyen në 1956, vazhduan deri në 1972 kur u arrit një marrëveshje, e cila i siguronte Sudanit të Jugut një farë autonomie, por filluan përsëri në 1983. Rebelimi Tamil në Sri Lanka filloi në 1983; negociatat për paqe dështuan në 1991, por korren sukses përsëri në 1994 me një marrëveshje të arritur për armëpushim në janar 1995. Megjithatë, vetëm katër muaj më pas, Tigrat rebelë e thyen paktin dhe u tërhoqen nga bisedimet për paqe, kështu që lufta filloi përsëri me një dhunë të intensifikuar. Rebellimi i Moro-ve në Filipine u ndez në fillim të viteve 1970 dhe u zbut në 1976 pas një marrëveshje e cila u siguronte pavarësinë disa zonave në Mindanao. Megjithatë, në 1993 dhuna e përsëritur kishte filluar të bëhej e shpeshtë dhe e një shkalle në rritje, meqë disa grupe rebelësh disidentë hodhën poshtë përpjekjet për paqe. Udhëheqësit rusë dhe çeçenë arritën në korrik të vitit 1995 një marrëveshje për demilitarizim, me qëllim për t’i dhënë fund dhunës që kishte filluar në dhjetorin e kaluar. Lufta pushoi për pak, por ajo rifilloi me sulmet e çeçenëve mbi udhëheqësit rusë dhe prorusë, hakmarjen ruse, inkursionin çeçen në Dagestan në janar 1996, dhe një ofensive masive ruse në fillim të vitit 1996.

Megjithëse, luftërat e vijave kritike ndajnë me luftimet e tjera komunale përzgjatjen, shkallën e lartë të dhunës dhe konfuzionin ideologjik, ato përsëri dallojnë me njëra-tjetrën në dy pika. Së pari, luftërat komunale mund të shpërthejnë ndërmjet grupeve etnike, fetare, raciale apo linguistike. Por, përderisa feja të jetë karakteristika kryesore që dallon civilizimet, luftërat e vijave kritike zënë vend pothuajse gjithmonë ndërmjet popujve të feve të ndryshme. Disa analistë e nënvleftësojnë mundësinë e këtij faktori. Për shmebull, ato vënë në dukje etnicitetin dhe gjuhën e përbashkët, bashkekzistencën paqësore të mëparshme dhe ndërmartesat e serbëve dhe myslimanëve në Bosnjë, dhe e përjashtojnë faktorin fe, duke iu referuar teorisë së Frojdit mbi “narcicizmin e dallimeve të vogla.”21 Sidoqoftë, ky gjykim është i rrënjosur në një miopi laike. Mileniumet në historinë e njerëzimit kanë treguar qartë që feja nuk është një “ndryshim i vogël”, por ndoshta ndryshimi më i thellë që mund të ekzistojë mes njerëzve. Frekuenca, intensiteti dhe dhuna e luftërave të vijave kritike pa dyshim rriten shumë nga besimi në zotëra të ndryshëm.

Së dyti, luftërat e tjera komunale relativisht nuk kanë tendencë për t’u përhapur dhe për të përfshirë pjesëmarrës të tjerë. Në kontrast me këtë, luftërat e vijave kritike janë me definicion luftëra mes grupesh të cilat janë pjesë e entiteteve më të mëdha kulturore. Në konfliktet e zakonta komunale, grupi A lufton grupin B dhe grupet C, D dhe E nuk kanë arsye për të marrë pjesë për sa kohë që A apo B nuk sulmon direkt interesat e C, D, apo E. Ne kontrast me këtë, në luftërat e vijave kritike grupi A1 lufton me grupin B1 dhe secili do të përpiqet të zgjerojë luftën dhe të mobilizojë mbështetje nga grupe të të njëjtit civilizim, A2, A3, A4 dhe B2, B3, dhe B4, ndërsa këto të fundit do të identifikohen me të afërmit e tyre në luftë. Zhvillimet në transport dhe komunikim në botën moderne e kanë lehtësuar themelimin e këtyre lidhjeve dhe si rezultat edhe “ndërkombëtarizimin” e konflikteve të vijave kritike. Emigrimi ka sjellë diasporën në civilizimet e treta. Komunikimi ua ka lehtësuar rrugën palëve në fjalë për të kërkuar ndihmë dhe grupeve të tyre të afërta për të marrë vesh menjëherë për fatin e tyre. Kështu tkurrja gjenerale e botës i mundëson grupeve të afërta të japin mbështetje morale, diplomatike, financiare dhe materiale për palët kontestuese – dhe do të ishte më e vështirë për të mos bërë këtë. Rrjete ndërkombëtare ngrihen për të furnizuar këtë mbështetje, dhe si rezultat kjo mbështetje shndërrohet në një shkak për përzgjatjen e konfliktit. Ky “sindrom vendesh të afërme” në shprehjen e H.O.S Grinuei, është një e veçantë qendrore e luftërave të vijave kritike në fund të shekullit 20.2 Më gjeneralisht, edhe sasia më e vogël e dhunës mes njerëzve të civilizimeve të ndryshme ka degëzime dhe konsekuenca të cilat i mungojnë dhunës brenda një civilizimi. Kur disa sunni të armatosur vranë 18 adhurues shiit në një xhami në Karaçi në shkurt 1995, ata shqetësuan edhe më tepër paqen në qytet dhe krijuan probleme për Pakistanin. Kur tamam një vit më parë, një banues çifut vrau 29 myslimanë, të cilët faleshin në Shpellën e Patriarkëve në Hebron, ai shqetësoi procesin për paqe në Lindjen e Mesme dhe krijoi probleme për të gjithë botën.

Nga libri: Samuel Huntington, ‘Përleshja e Civilizimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror’, Lidhja, Podujevë 2004.

Posted in Uncategorized.

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.