Skip to content


Samuel Huntington, Perëndimi dhe modernizmi

Përktheu: Adnan KIKA

Ekspansioni i Perëndimit bëri të dyja, modernizimin dhe perëndimizimin e shoqërive joperëndimore. Liderët politikë dhe intelektualë të këtyre shoqërive iu përgjigjen ndikimit perëndimor në një apo më shumë të tri rrugëve: duke refuzuar modernizimin dhe perëndimizimin; duke i përqafuar të dy; duke përqafuar të parin dhe refuzuar të dytin.

Kundërshtimi (Rejektionizmi)

Japonia ndoqi një kurs kundërshtimi substancial që nga kontaktet e tij të para me Perëndimin më 1542 deri në mes të shekullit të 19. Vetëm forma të kufizuara të modernizimit ishin të lejuara, siç janë arritja deri te armët e zjarrit dhe importimi i kulturës perëndimore, duke përfshirë më së shumti krishterizmin, të tjerat ishin në masë të madhe të kufizuar. Perëndimorët ishin totalisht të përjashtuar në mes të shekullit të 17. Kësaj gjendjeje kundërshtimi i erdhi fundi me hapjen me forcë të Japonisë nga Komodor Peri më 1854 dhe përpjekjet dramatike që të mësohet nga Perëndimi duke pasuar restorimin Meixhi më 1868. Për shekuj me radhë Kina u mundua të ndalojë çfarëdo modernizmi apo uesternizmi domethënës. Edhe pse emisarët e krishterë u lejuan të hyjnë në Kinë më 1601, ata më pas u përjashtuan efektivisht më 1722. Sikurse Japonia, politika kundërshtuese kineze në masë të madhe ishte e rrënjosur në imazhin kinez të vetvetes si Mbretëri e mesme dhe besimi i plotë në superioritetin e kulturës kineze ndaj atyre të gjithë njerëzve të tjerë. Izolimi kinez, ashtu si ai japonez, u përfundua nga armët perëndimore, të aplikuara në Kinën nga britanikët në luftën e opiumit të 1839-1842. Ashtu si këto raste tregojnë, gjatë shekullit të 19 fuqia perëndimore e bëri vazhdimisht të vështirë dhe eventualisht të pamundur që shoqëritë joperëndimore të ndjekin strategji të pasërta përjashtuese.

Në shekullin e njëzet përmirësimet në transport, komunikim dhe ndërvarësi globale u shtuan fuqishëm çmimin e përjashtimit. Përveç komuniteteve të vogla, të izoluara dhe fshatarake që dëshiruan të ekzistonin në nivel normal, kundërshtimi total i modernizmit, ashtu si i uesternizmit ishte vështirë i mundur në një botë që po bëhej krejtësisht moderne dhe në shkallë të lartë e ndërlidhur. “Vetëm fundamentalistët më ekstremistë’’, shkruajti Daniel Piper, duke pasur parasysh Islamin, “refuzuan modernizimin, ashtu si edhe uesternizmin.” Ata gjuajnë Tv-të në lumenj, ndalojnë orët e dorës dhe refuzojnë makinën me djegie të brendshme. Jopraktika e programeve të tyre shpesh kufizon thirrjet e grupeve të tilla, megjithatë, dhe në shumë raste - siç është Jen Izala i Kanos, atentatorët e Sadatit, sulmuesit e Qabes në Mekë, dhe disa grupe dalësh maleziane - humbjet e tyre në konfrontimet e dhunshme me autoritetet i bëri ata më pas të zhduken me pak gjurmë.36 Zhdukja me pak gjurmë përmbledh pëgjithësisht fatin e politikave të varfëra refuzuese në fund të shekullit të njëzet. Zealotry, si term i Tojnnebe-se thjesht nuk është opcion i realizueshëm.

Kemalizmi

Një përgjigje e dytë e mundshme ndaj Perëndimit është herodianizmi tojnebeian, të përqafohen modernizmi dhe uesternizmi. Kjo përgjigje është e bazuar ne supozimin që modernizmi është i dëshirueshëm, jo i domosdoshëm, që kultura indigjene është e papërputhshme me modernizmin dhe duhet braktisur ose shfuqizuar, dhe që shoqëria duhet tërësisht të uesternizohet, në mënyrë që me sukses të modernizohet. Modernizmi dhe uesternizmi e riforcojnë njëri-tjetrin dhe duhet të shkojnë së bashku. Kjo qasje u përmblodh në argumentet e disa intelektualëve japonezë dhe kinezë të vonshëm të shekullit 19, në mënyrë që të modernizohen shoqëritë e tyre duhet të braktisin gjuhët e tyre historike dhe të adaptojnë atë angleze, si gjuhë të tyre nacionale. Kjo pikëpamje, jo befasisht, ishte madje më shumë popullore në mes elitës perëndimore sesa asaj joperëndimore. Mesazhi i saj është: “Të jeni të suksesshëm, ju duhet të jeni si ne; rruga jonë është e vetmja rrugë”. Argumenti është që “vlerat religjioze, botëkuptimet morale dhe strukturat sociale të këtyre shoqërive (joperëndimore) janë të huaja dhe ngandonjëherë kundërshtuese ndaj vlerave dhe praktikave të industrializmit.” Kështu zhvillimi ekonomik do të kërkojë një rirregullim radikal dhe destruktiv të jetës dhe shoqërisë dhe, shpesh, riinterpretim të kuptimit të vetë ekzistencës, ashtu si ishte e kuptuar nga njerëz që jetuan në këto civilizime.”37 Pipe bën të njëjtën gjë me referencë eksplicite për Islamin:

“Në mënyrë që t’i ikin anonimitetit, myslimanët nuk kishin zgjidhje tjetër, për modernizim duhet uesternizimi… Islami nuk ofron një mëyrë alternative për modernizmim… Sekularizmi nuk mund të shmanget. Shkenca moderne dhe teknologjia kërkojnë një përvetësim të procesit të të menduarit që i shoqëron ata; njëjtë po ashtu me institucionet politike. Sepse përmbajtja duhet të imitohet jo më pak se forma, predominimi i civilizimit perëndimor duhet të pranohet ashtu që të jetë i aftë të mësohet nga ai. Gjuhët evropiane dhe institucionet edukative perëndimore nuk mund të shmangen, edhe nëse i dyti nxit të menduarit e lirë dhe të jetuarit e lehtë. Vetëm atëherë kur myslimanët në mënyrë eksplicite pranojnë modelin perëndimor do të jenë në gjendje të teknologjizohen dhe atëherë të zhvillohen.”

Gjashtëdhjetë vjet para se këto fjalë të shkruhen Mustafa Kemal Ataturk kishte ardhur në konkluzione të njëjta, duke krijuar një Turqi të re nga gërmadhat e Perandorisë Osmane, dhe kishte filluar një përpjekje masive që ta uesternizojë dhe ta modernizojë atë. Me hyrjen në këtë rrjedhë dhe refuzimin e të kaluarës islame, Ataturku e bëri Turqin një “shtet të copëtuar”, një shoqëri që ishte myslimane në religjionin e vet, trashëgimin, zakonet, dhe institucionet, por me një elitë udhëheqëse të determinuar ta bëjnë atë moderne, uesterne dhe një më Perëndimin. Kah fundi i shekullit të 20-të një numër shtetesh ndoqën opcionin kemalist dhe u munduan të zëvendësojnë një identitet perëndimor për një joperëndimor.

Reformizmi

Refuzimi përfshin punën e pashpresë të izolimit të një shoqërie nga bota moderne në shkatërrim. Kemalizmi përfshin punën e vështirë dhe traumatike të shkatërrimit të kulturës që kishte ekzistuar për shekuj dhe vendosjen në vend të saj një kulturë totalisht të re të importuar nga ndonjë civilizim tjetër. Zgjedhja e tretë është përpjekja të kombinohet modernizimi me ndalimin e vlerave kryesore, praktikave dhe institucioneve të kulturës indigjene të shoqërisë. Kjo zgjidhje kuptimisht ishte më popullorja në mes të elitave joperëndimore. Në Kinë në etapën e fundit të dinastisë Ching, slogani ishte Ti-Yong, “Të mësuarit kinez për principet fundametale, të mësuarit perëndimor për përdorim praktik.” Në Japoni ishte Vakon Josei: “Shpirti japonez, teknika perëndimore.” Në Egjipt më 1830 Muhamed Ali “u përpoq për modernizmim teknik pa perëndimizim kulturor të tepruar.” Megithatë, kur britanikët e detyruan atë të braktisë shumicën e reformave të tij modernizuese, kjo përpjekje dështoi. Si rezultat, Ali Mazrui observoi: “Fati egjiptian nuk ishte fat japonez për modernizim teknik pa perëndimizim kulturor, e as nuk ishte fat i Ataturkut modernizim teknik përmes perëndimizimit kulturor.” Në pjesën e mëvonshme të shekullit të 19, megjithatë, Xhemaluddin Afgani, Muhamed Abduhu dhe reformistë të tjerë u përpoqën për një ripajtim të ri të Islamit dhe modernitetit, duke argumentuar “përputhshmërinë e Islamit me shkencën moderne dhe më së miri me mendimin perëndimor” dhe duke siguruar një “racionalitet islamik për pranimin e ideve moderne dhe institucioneve, qoftë shkencore, teknologjike, ose politike (qeveri kushtetuare dhe reprezentative).” Kjo ishte një reformizëm i një mase të gjerë, duke shkuar drejt kemalizmit, që pranoi jo vetëm modernitetin, por po ashtu edhe disa institucione perëndimore. Reformizmi i këtij lloji ishte përgjigjja dominante për Perëndimin nga një pjesë e elitës myslimane për 50 vjet me radhë, nga 1870 deri më 1920, kur kjo u sfidua nga ngritja e së pari kemalizmit, e pastaj e një reformizmi më shumë të varfër në formë të fundamentalizmit.

Refuzimi, kemalizmi dhe reformizmi janë të bazuara në supozime të ndryshme, si në çka është e mundur dhe çka është e dëshirueshme. Për refuzimin (rejektionizmin) të dyja, modernizmim dhe uesternizmi, janë të padëshirueshëm dhe është e mundur të refuzohen që të dy. Për kemalizmin modernizmi dhe uesternizmi janë të dëshirueshëm, i pari sepse është i domosdoshëm të arrihet i dyti, dhe të dy janë të mundshëm. Për reformizmin, modernizimi është i dëshirueshëm dhe i mundshëm pa ndonjë uesternizim substancial, që është i padëshirueshëm. Kështu, konfliktet ekzistojnë në mes të refuzimit dhe kemalizmit në dëshirueshmërinë e modernizimit dhe uesternizimit dhe në mes kemalizmit dhe reformizmit nëse modernizimi mund apo jo të ndodhë pa uesternizim.

Në fazat e hershme të ndryshimit, uesternizimi kështu bëri modernizimin. Në fazat e mëvonshme, modernizimi bëri deuesternizimin dhe ringjalljen e kulturës indigjene në dy rrugë. Në nivel shoqërie, modernizimi rrit fuqinë ekonomike, politike, dhe ushtarake të shoqërisë si të tërë dhe nxit njerëzit e asaj shoqërie të kenë konfidencë në kulturën e tyre dhe të bëhen të vetëdijshëm në mënyrë kulturore. Në nivel individual, modernizimi gjeneron ndjenjat e ftohjes dhe anonimitetit, ndërsa lidhjet tradicionale dhe sociale janë të thyera dhe çojnë në kriza të identitetit për të cilat religjioni jep përgjigje.

Ky model hipotetik gjeneral është i përputhshëm me teorinë e shkencave shoqërore dhe eksperiencën historike. Duke rishikuar për së gjati evidencën e vlefshme që konsideron “hipotezat e pandryshueshme”, Rainer Baum konkludoi që “kërkimi i vazhdueshëm i njeriut për një autoritet kuptimplotë dhe autonomi personale kuptimplote ndodh në modat e veçanta kulturore. Në këto çështje nuk ka konvergjencë në drejtim të një bote homogjene ndërkulturore. Në vend të kësaj, ka të ngjarë të jetë përputhshmëria në modat që u zhvilluan në forma të veçanta gjatë epokave historike dhe të hershme të zhvillimit”. Teoria huazuese, ashtu siç u elaborua nga Frobenius, Spengler dhe Bouzman, në mes tjerash, thekson masën te e cila civilizimi marrës në mënyrë selektive huazon gjërat nga civilizimet e tjera dhe adapton, transformon dhe asimilon ato në mënyrë që të forcojë dhe të sigurojë mbijetesën e vlerave kryesore ose “paideuma” të kulturës së tyre.42 Pothuajse krejt civilizimet joperëndimore në botë ekzistuan për së paku një milenium dhe në disa raste për disa mileniume. Ato kanë një rekord të demonstruar të huazimit nga civilizimet e tjera, në mënyrë që të rrisin mbijetesën e tyre. Përvetësimi kinez i budizmit nga India dështoi të bëjë “indianizimin” e Kinës. Kinezët adaptuan budizmin për qëllime dhe nevoja kineze. Kultura kineze mbeti kineze. Kinezët duhet të shënojnë qëllimet e dështuara konsistente të përpjekjeve të Perëndimit t’ i kristianizojë ata. Nëse, deri në një pikë ata importuan krishterizmin, është për t’u pritur që ai do të përvetësohet dhe adaptohet në një mënyrë të atillë që të jetë i përputhshëm më elementete qendrore të kulturës kineze. Njëjtë, myslimanët arabë morën, vlerësuan dhe bënë të përdorshëm ‘trashëgiminë e tyre helene për qëllime esencialisht utilitare. Duke qenë më së shumti të interesuar në huazimin e formave të caktuara të jashtme ose aspekte teknike, ata ditën si t’i shpërfillin të gjitha elementete në trungun e të menduarit grek, që do të mund të ishte në kundërshtim me “të vërtetën”, ashtu si u rrënjos në normat e tyre fundamentale kur’anore dhe perceptimet. Japonia ndoqi model të njëjtë. Në shekullin e shtatë Japonia importoi kulturën kineze dhe bëri “transformimin e saj nga iniciativa e vet, e lirë nga presionet ekonomike dhe ushtarake” në një civilizim të lartë. “Përgjatë shekujsh që pasuan, periudhat e izolimeve relative nga influencat kontinentale gjatë së cilave huazimet paraprake u klasifikuan dhe ato të vlefshme u asimiluan do të alternoheshin me periudhat e kontakteve të ripërtërira dhe huazimeve kulturore”. Gjatë të gjitha këtyre fazave kultura japoneze ruajti karakterin e vet të veçant.

Forma e moderuar e argumentit kemalist që shoqëritë joperëndimore mund të modernizohen me uesternizimin e tyre mbetet e paprovuar. Argumenti ekstrem kemalist që shoqëritë joperëndimore duhet të uesternizohen, ne mënyrë që të modernizohen, nuk qëndron si pohim universal. Ai, megjithatë, ngre pyetjen: A ka disa shoqëri joperëndimore në të cilat pengesat që kultura indigjene bën për modernizim janë aq të mëdha, saqë kultura duhet të zëvendësohet në mënyrë substanciale nga kultura perëndimore nëse modernizimi duhet të ndodhë? Në teori kjo do të duhej të ishte më shumë e mundshme me kulturat konsumuese sesa me ato instrumentale. Kulturat instrumentale janë “të karakterizuara nga një sektor i madh i qëllimeve të ndërmjetme të ndara dhe të pavarura nga qëllimet përfundimtare.” Këto sisteme “rinovohet lehtë me përhapjen e plotë të traditave mbi vetë ndryshimin… sisteme të tilla mund të rinovohen pa pasur nevojë të ndryshojnë institucionet e tyre sociale në mënyrë fundamentale. Rinovimi është i bërë t’i shërbejë më shumë stërlashtësisë.” Sistemet konsumuese, në të kundërten, “janë të karakterizuara nga një marrëdhënie e afërt në mes qëllimeve të ndërmjetme dhe përfundimtare… shoqëria, shteti, autoriteti dhe të ngjashme janë të gjithë pjesë e një sitemi të mbajtur në mënyrë elaborate dhe me një solidaritet të lartë, në të cilin religjioni si udhëzues kognitiv është depërtues. Sisteme të tilla kanë qenë kundërshtare të zbulimit.” Apteri i përdor këto kategori të analizojë ndryshimet në fiset afrikane. Eisenstadt aplikon një analizë paralele në civilizimet e mëdha aziatike dhe arrin në konkluzion të njëjtë. Transformimi i brendshëm është “shumë i lehtësuar nga pavarësia e institucioneve sociale, kulturore dhe politike.”46 Për këtë arsye, shoqëritë më shumë të instrumentalizuara japoneze dhe hindu lëvizën heret dhe më lehtë kah modernizimi, sesa shoqëritë konfuciane dhe islame. Ato ishin më shumë të zonjat të importojnë tekonologjinë moderne dhe ta përdorin atë, të mbështetin kulturën e tyre ekzistuese. A nënkupton kjo që shoqëritë kineze dhe islame duhet ose të heqin dorë nga modernizimi dhe uesternizimi, ose t’i përqafojnë të dyja. Zgjedhjet nuk shfaqen aq të kufizuara. Krahas Japonisë, Singaporit, Taivanit, Arabisë Saudite dhe, në një shkallë më të vogël Irani, u bënë shoqëri moderne pa u bërë uesterne. Në të vërtetë, përpjekjet e Shahut të ndjekë një kurs kemalist dhe t’i bëjë të dyja gjeneroi një reaksion antiperëndimor, por jo edhe antiomodern. Kina është e qartë hyri në një rrugë reformiste.

Shoqëritë islame kishin vështirësi me modernizimin, dhe Pipe mbështet pretendimin e tij që uesternizmi është parakërkesë, duke shënuar në konfliktet në mes Islamit dhe modernitetit në çështjet ekonomike, si interesi, agjërimi, ligjet e trashëgimisë dhe pjesëmarrja e femrës si forcë punëtore. Akoma madje duke aprovuar citon Maksin Radisonin për efektin që “nuk ka asgjë të tregojë në mënyrë bindëse që Islami pengoi botën myslimane nga zhvillimi, krahas rrugës për kapitalizmin modern” dhe argumenton atë në shumicën e çështjeve të tjera pos ekonomike.

Islami dhe modernizimi nuk ndeshen. Myslimanët e devotshëm mund të kultivojnë shkencën, të punojnë efektivisht në fabrika, ose bëjnë armët e avancuara. Modernizimi nuk kërkon asnjë ideologji politike ose grup institucionesh: zgjedhje, kufij nacionalë, shoqata civile dhe shenja dalluese të tjera të jetës perëndimore nuk janë të domosdoshme për rritjen ekonomike. Si besim, Islami i kënaq konsultantët menaxhues ashtu si bujqit. Sheriati nuk ka asgjë për të thënë rreth ndërrimeve që shoqërojnë modernizimin, si kalimi nga agrikultura te industria, nga fshati në qytet, ose nga stabiliteti social te dyndjet socale; e as nuk cenon në gjëra, si edukimi i përgjithshëm, komunikimet e shpejta, format e reja të transportimit ose kujdesi shëndetësor. (Pajps, “Path of God”)

Njëjtë madje, kundërshtarët ekstremë të antiuesternizmit dhe rigjallërimit të kulturës indigjene nuk hezitojnë të përdorin teknikat moderne të emailit, kasetave dhe televizionit për të çuar përpara kauzën e tyre.

Modernizimi, shkurt, nuk nënkupton domosdo uesternizmim. Shoqëritë joperëndimore mund të modernizohen dhe u modernizuan pa braktisur vlerat e tyre, institucionet dhe praktikat. I pari, në të vërtetë, mund të jetë gati i pamundur: çfarëdo pengesash që kulturat joperëndimore paraqesin për modernizim janë të zbehta para atyre që ato paraqesin për uesternizmin. Do të ishte, ashtu si Braudel observoi , “fëmijërore” të mendohet që modernizimi ose “triumfi i civilizimit në njëjës” do të çonte te fundi i shumicës së kulturave historike të mishëruara për shekuj me radhë në civilizimet e mëdha të botës. Modernizimi, në vend të kësaj, forcon këto kultura dhe redukton fuqinë relative të Perëndimit. Në rrugë fundametale, bota është duke u bërë më shumë moderne, e më pak uesterne.

Nga libri: Samuel Huntington, ‘Përleshja e Civilizimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror’, Lidhja, Podujevë 2004.

Posted in Uncategorized.

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.