Skip to content


Zbigniew Brzezinksi, Hegjemonia amerikane dhe siguria globale

Përktheu: Adnan KIKA

Vendi i veçantë i Amerikës në hierarkinë globale, është tani gjerësisht i pranuar. Befasia fillestare e të huajve, madje edhe zemërimi i tyre për arritjen eksplicite të rolit hegjemonik të Amerikës, hapi rrugë për përpjekje më shumë të dorëzuar – nëse akoma të zemëruar – për ta kontrolluar, penguar, shmang apo edhe përqesh atë hegjemoni. Madje edhe Rusët, të cilët për arsye të nostalgjisë ishin më së shumti të ndruajtur për ta njohur shkallën e fuqisë dhe influencës së Amerikës, e pranuan që për një kohë që do të vite, Shtetet e Bashkuara do të mbeten lojtari vendimtar në çështjet e botës. Kur Amerika u godit nga terrorizmi më 11 Shtator 2001, Britanikët, të udhëhequr nga kryeministri Toni Blair, ngritën zërin kryesorë në Uashington duke përqafuar menjëherë deklaratën e Amerikës për luftën kundër terrorizmit global. Pjesa më e madhe e botës ndoqi të njëjtën praktikë, përfshirë edhe shtetet të cilat më herët kishin përjetuar vet dhembjen e sulmeve terroriste me vetëm një keqardhje të kufizuar nga ana amerikane. Deklaratat ndërkombëtare që “Ne të gjithë jemi Amerikanë” nuk ishin thjesht shprehje të një keqardhjeje të sinqertë; ato ishin edhe pohime me vlerë, të lojalitetit politik.

Bota bashkëkohore, mund të mos e dëshiroj spikatjen amerikane-mund të mos i besoj asaj, ta urrej atë, madje herë pas herë edhe të komplotojë kundër saj. Por praktikisht, ajo nuk mund t’i kundërvihet asaj në mënyrë të drejtpërdrejt. Dekada e kaluar qe dëshmitare e disa përpjekjeve të herë pas hershme të një kundërvënie të tillë, por pa ndonjë dobi. Kinezët dhe Rusët u lidhën me një partneritet strategjik për të themeluar “multipolaritetin” global, term ky i cili me lehtësi u deshifrua si “kundër-hegjemoni”. Pak gjë doli nga kjo, duke e marrë parasysh dobësinë relative Ruse përballë Kinës, e po ashtu edhe pranimin nga ana e Kinës, se tani, më shumë se çkado tjetër, asaj i duhet kapitali dhe teknologjia e huaj. Asnjëra nga këto nuk do të vinin sikur marrëdhëniet e saj të kishin qenë antagoniste me Shtetet e Bashkuara. Në vitin e fundit të shekullit të njëzetë, Evropianët dhe posaçërisht francezët me të madhe shpallën se Evropa së shpejti do të arrij “një aftësi autonome globale të sigurisë”. Lufta në Afganistan, menjëherë tregoi se ky deklarim ishte një përkujtues i pohimeve të dikurshme të famshme Sovjetike, që fitorja historike e Komunizmit “është në horizont”, që ngjanë me një vijë imagjinare e cila zhduket, derisa dikush ecën drejt saj.

Historia është një regjistruese e ndryshimit, përkujtuese që asgjë nuk mbetet përgjithmonë. Ajo po ashtu na përkujton që megjithatë disa gjëra qëndrojnë gjatë dhe kur zhduken, status quo-ja e tyre nuk rishfaqet më. Kështu do të ndodhë edhe me mbizotërimin global Amerikan. Ai, po ashtu, dikur do të venitet, ndoshta më vonë sesa disa e dëshirojnë apo më herët sesa shumë amerikanë e marrin për të sigurt. Pyetja kyçe është: Çka do ta zëvendësojë atë? Një përfundim i menjëhershëm i hegjemonisë Amerikane pa dyshim do ta përshpejtonte një kaos global, në të cilin anarkia ndërkombëtare do të theksohej nga shpërthimet e një shkatërrimi të maëdhë dhe të vërtetë. Një rënie e shpejt dhe e padrejtuar do të kishte një përfundim të ngjashëm, që do të përhapej për një kohë më të gjatë. Por, një degjenerim gradual dhe i kontrolluar i fuqisë mund të çoj te një komunitet global, gjithnjë e më real, me interes të përbashkët, me marrëveshje mbinacionale, duke marr gjithnjë e më shumë disa role të veçanta të sigurisë nga disa shtete tradicionale.

Sido që të jetë, një fund eventual i hegjemonisë amerikane nuk do të përfshij rivendosjen e multipolaritetit në mes të fuqive kryesore të njohura të cilat dominuan çështjet e botës për dy shekuj me radhë që kaluan. Ai po ashtu nuk do t’i jepet ndonjë hegjemonie tjetër dominante e cila do t’i zëvendësoj Shtetet e Bashkuara me marrjen e një mbizotërimi ndërkombëtarë të njëjtë politik, ushtarak, ekonomik, teknologjik dhe shoqëroro-kulturor. Fuqitë e njohura të shekullit të fundit janë shumë të lodhura ose shumë të dobëta për të marrë rolin të cilin Shtetet e Bashkuara e luajnë tani. Është më rëndësi që, që nga viti 1880, në nivelin krahasues të fuqive të botës (duke u bazuar në mënyrë plotësuese në fuqinë e tyre ekonomike, buxhetin dhe vlerën ushtarake, si dhe popullsinë etj.) pesë vendet e para gjatë intervaleve të njëpasnjëshme prej njëzet viteve ishin të shpërndara vetëm në mes të shtatë shteteve: Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Rusisë, Japonisë dhe Kinës. Megjithëkëtë vetëm SHBA-ja në mënyrë të qartë, qe e përfshirë në mesin e pesë të parave, gjatë krejt intervaleve njëzetvjeçare, dhe hendeku në vitin 2000, në mes të kreut të renditjes, Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve ishte më i madh se kurdoherë më parë.

Ish-fuqitë kryesore Evropiane-Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca-janë shumë të dobëta të qëndrojnë në renditje. Në dy dekadat e ardhshme, ka pak të ngjarë që Bashkimi Evropian do të bëhet kaç i bashkuar politikisht që të mbledh vullnetin e njerëzve për të garuar me Shtetet e Bashkuara në fushën politiko-ushtarake. Rusia nuk është më një fuqi imperiale dhe sfida qendrore e saj është të rimëkëmbet shoqëroro-ekonomikisht, që të mos i merr territoret e saj në lindje të largët Kina. Popullsia e Japonisë po vjetërohet dhe ekonomia e saj është ngadalësuar; mençuria e njohur e viteve 1980-ta, që Japonia është e destinuar të jetë “supershteti” i ardhshëm, tani ka rrethin e ironisë historike. Kina, madje edhe pse ka pasur sukses në ruajtjen e përqindjeve të larta të rritjes ekonomike dhe në mbajtjen e stabilitetit të saj të brendshëm politik ( që të dyja shumë të pasigurta), më së shumti, do të bëhet një fuqi rajonale, e cila do të jetë e shtrënguar nga një popullsi e varfër, infrastrukturë e vjetruar dhe ndikim të kufizuar në skenën botërore. E njëjta gjë vlen edhe për Indinë, e cila përballet me pasiguri shtesë për sa i përket unitetit të saj kombëtar afatgjatë.

Madje edhe ndonjë koalicion në mes shteteve të lartpërmendura- perspektivë kjo e cila ka më së paku gjasa, duke i ditur konfliktet historike të tyre dhe përleshjet rreth pretendimeve territoriale-do t’i mungonte kohezioni, fuqia dhe energjia që është e nevojshme për të bërë dy gjëra, të largoj Amerikën nga pozita spikatëse e saj dhe ta mbaj stabilitetin global. Disa shtete udhëheqëse, sido që të jetë, do të rreshtoheshin me Amerikën nëse një largim i tillë do të vinte në shprehje. Në të vërtetë, çfarëdo rënie evidente e Amerikës mund të shkaktojë përpjekje që të rivendoset përsëri udhëheqja amerikane. Më e rëndësishmja, mëria e përbashkët ndaj hegjemonisë amerikane nuk do të shuaj përleshjet e interesit në mes të shteteve. Përplasjet më shumë intensive-në rast të rënies së Amerikës-mund të ndezin zjarr të pakontrollueshëm të dhunës rajonale, të ndihmuar më së shumti nga rreziku i shpërndarjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Rezultati final është i dyfishtë: Për dy dekadat e ardhshme, ndikimi stabilizues i fuqisë amerikane do të jetë i domosdoshëm për stabilitetin global, ndërkohë që sfida kryesore ndaj fuqisë amerikane mund të vjen vetëm nga përbrenda-ose nga mospranimi i fuqisë nga vet demokracia amerikane, ose nga keqpërdorimi global Amerikan i fuqisë së vet. Shoqëria amerikane, edhe pse më shumë e dhënë pas interesave të ngushta intelektuale dhe kulturore të saj, palëkundur përballoi një zotim të përzgjatur botëror kundër kërcënimit të komunizmit totalitar dhe ajo tani është mobilizuar kundër terrorizmit ndërkombëtarë. Për aq kohë sa do të zgjasë një përkushtim i tillë, aq kohë do të zgjasë edhe roli i Amerikës si stabilizues global. Po të shuhet ky zotim-ose sepse terrorizmi është shuar-apo sepse amerikanët humbin ndjenjën e tyre të qëllimit të përbashkët-roli global Amerikan në mënyrë të shpejt do të mund të përfundonte.

Ky rol mundet po ashtu të minohet dhe të bëhet jo-legjitim nga keqpërdorimi i fuqisë së SHBA-ve. Drejtimi i cili perceptohet në botë si arbitrar mund të shkaktoj shpejtim të izolimit amerikan si të tillë, duke gërryer nga poshtë jo fuqinë e Amerikës për ta mbrojtur vetveten, por më shumë aftësinë e saj për ta përdorur atë fuqi që të mobilizoj të tjerët për një përpjekje të përbashkët që të formohet një ambient ndërkombëtarë më i sigurt.

Në përgjithësi, publiku e kupton që kërcënimi i ri i sigurisë ndaj Amerikës, të dramatizuar nga 11 Shtatori, do të zgjasë. Pasuria dhe dinamizmi ekonomik i kombit bëri një buxhet mbrojtës të GDP-së prej 3-4 përqind, deri diku të pranueshëm; kjo barrë në mënyrë të konsiderueshme është më e ulët sesa që ishte gjatë Luftës së Ftohtë, pa përmendur këtu Luftën e Dytë Botërore. Ndërkohë, globalizmi kontribuon në këtë ndërthurje të shoqërisë amerikane me pjesën tjetër të botës në mënyrë të atillë, saqë siguria kombëtare amerikane po bëhet gjithnjë e më shumë e lidhur me çështjet e mirëqenies globale.

Detyra e lidershipit është që, këtë konsensus publik i cili përbën themelin për siguri, ta përkthej në një strategji afatgjate e cila do ta mobilizoj, e jo largoj mbështetjen globale. Kjo nuk mund të arrihet përmes kthimit tek shovinizmi apo përmes nxitjes së panikut. Ajo kërkon shkrirjen e idealizmit tradicional amerikan në pragmatizëm të matur, duke pasur parasysh realitetet e reja të sigurisë globale. Që të dyja këto çojnë tek përfundimi i njëjtë; Për Amerikën, siguria e shtuar globale, është një përbërës thelbësor i sigurisë së saj kombëtare.

Nga libri: Zbigniew Brzezinski, ‘Zgjedhja: Dominin Global apo Udhëheqje Globlale’ (Zenith, Prishtinë 2006)

Posted in Uncategorized.

0 Responses

Stay in touch with the conversation, subscribe to the RSS feed for comments on this post.

Some HTML is OK

(required)

(required, but never shared)

or, reply to this post via trackback.